Drejtori i Iniciativës për Stabilitet Evropian, Knaus: Lëvizja e kufijve apo e njerëzve nënkupton shpërthim

E mërkurë, 29 August 2018 07:31

Drejtori i Iniciativës për Stabilitet Evropian, Gerald Knaus, ka thënë se ideja për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është metodë për konflikte të reja.

Këto, Knaus i ka thënë në një intervistë për mediumin boshnjak, “Dnevni Avaz”.

“Ideja se problemet e pakicave zgjidhen më së miri duke i hequr pakicat – duke zhvendosur kufij apo njerëz – gjithmonë ka qenë shpërthyese. Është një metodë për të krijuar konflikte të reja, dhe në Ballkan për të kthyer kohën prapa në të ’80-at, kur në vend se të diskutoheshin reformat, intelektualët dhe politikanët në ish-Jugosllavi u përqendruan në kufij dhe në çështjet etnike. E dimë se si përfundoi ajo. Kushdo me një kujtesë të historisë, apo me logjikë të qartë, do ta kundërshtonte këtë”, ka thënë Knaus, transmeton Koha.net.

Njohësi i zhvillimeve në rajon, Gerlad Knaus, thotë se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë nuk është debat për territor, por për njerëz.

“Ky debat nuk është për territor. Ajo që e bën atë më të rrezikshëm është se në të vërtetë ka të bëjë me njerëz. Ka të bëjë me idenë më të vjetër nacionaliste: se mund të jeni të sigurt dhe të keni jetë të mirë vetëm nëse jetoni në mesin e fisit tuaj, në mesin e njerëzve të besimit tuaj, etnisë apo gjuhës amtare. Dhe, për rrjedhojë, kufijtë e shteteve duhet të vizatohen për të garantuar se të gjithë njerëzit e fisit tuaj janë në një shtet. Kjo shpesh është parë, po ashtu edhe në të kaluarën, si një ide e thjeshtë, e madje edhe pozitive: pse të mos formohen shtete në atë formë që njerëzit që kanë shumë të përbashkëta të jenë së bashku? Por kur kjo ide të del nga teoria në praktikë, zakonisht bëhet monstruoze, sepse shoqëritë e vërteta janë gjithmonë të shumëllojshme, dhe njerëzit nuk dëshirojnë të lëvizin. Ka qenë ideja më e rrezikshme – bashkë me legjitimimin e dhunës për të arritur synime politike – në historinë e fundit të Ballkanit. Për çdo udhëheqës rajonal dhe zyrtarë evropianë, ringjallja e këtij Frankensteini tani do të ishte jashtëzakonisht e papërgjegjshme”, theksoi ai, transmeton Koha.net.

Ai thotë se aktualisht, askush s’po e di se për kush për çka po flet në kontekstin e kufijve të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa thekson se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka mandat nga parlamenti për të diskutuar as edhe një gjë të vetme në këtë moment.

“Ai thotë se kjo ka të bëjë me ‘korrigjim kufijsh’. Në rregull, ka pasur korrigjime kufijsh edhe më parë, por të gjithë e dinë se kjo nuk është ajo që po e dëshiron Beogradi: disa shkëmbinj apo pyje të pabanuara në Kosovën veriore. Kjo ka të bëjë me njerëzit e vërtetë, të cilët veçse kanë përjetuar kohë traumatike, në Kosovë dhe në Serbi dhe në tërë rajonin. Ajo që shohim ne janë dy presidentë që diskutojnë pa transparencë për kokat e këtyre njerëzve se ku duhet të jetojnë ata. Për të diskutuar të ardhmen e dhjetëra mijëra njerëz prapa dyerve të mbyllura është një gjë që e kanë bërë diplomatë evropianë në Kongresin e Berlinit në shekullin e 19-të. E dimë si përfundoi: shumë më shumë luftëra në Ballkan, për 100 vjet tjera, dhe shumë miliona tjerë të zhvendosur”, shtoi Knaus.

Sipas tij, shkëmbimi i territoreve mes dy vendeve nuk është opsion realist, madje thotë se ky debat ndez pasione, rrit brengat, ndryshon agjenda politike, kurse thekson se nuk do të ndikojë në përmirësimin e asgjëje.

“Presidenti Thaçi nuk do të merr mandat për të tregtuar Kosovën veriore dhe Mitrovicën veriore nga asnjë parlament. Presidenti Vuçiq nuk do të jetë në gjendje t’ia dorëzojë Preshevën dhe Bujanocin Kosovës. Për këtë arsye, më së miri do të ishte që një grup i vendeve evropiane të vë këmbën dhe të thotë se e inkurajojnë kompromisin, por disa mënyra të zgjidhjes së çështjeve të pakicave janë të papranueshme – edhe nëse liderët nacionalistë pajtohen”, tha Drejtori i Iniciativës për Stabilitet Evropian, Gerald Knaus, transmeton Koha.net.

Ai thotë se ndarja nuk është e mirë për serbët e Kosovës sepse shumica e serbëve nuk jetojnë në atë territor i cili mund të bëhet pjesë e Serbisë.

“Shumica e sertëve të Kosovës – në kundërshtim me mitet që ende qarkullojnë – kurrë s’janë larguar nga Kosova, as më 1999, as pas trazirave kundër tyre më 2004. Ata jetojnë në fshatrat e tyre stërgjyshorë përreth Kosovës, dhe kushtetuta u jep atyre shumë të drejta dhe garanca. Është në interesin e liderëve të Kosovës t’i respektojnë ato, të tregojnë se Kosova është një vend serioz që meriton njohjen dhe integrimin. Duke shkëputur vetëm një qendër urbane serbe, veriun e Mitrovicës, ndarja do të shkatërronte edhe idenë pjesës tjetër të Kosovës i shtet multi-etnik”, theksoi Knaus.

Njohësi i zhvillimeve në rajon, Gerald Knaus, foli edhe për ndryshimin e politikës së SHBA-së ndaj Kosovës dhe deklarimit haptas se mbështesin madje edhe ndryshimin e kufijve në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për mosmarrëveshjen e vjetër Kosovë-Serbi.

Ai thotë se instinkti i presidentit Trump është të mendojë në terme të fiseve. “Deklaratat e tij të vazhdueshme mbi hispanikët në SHBA kanë qenë haptas raciste, fushata e tij për të vënë në pikëpyetje shtetësinë e Obamas ka qenë haptas raciste, ai është përqafuar dhe ka lavdëruar racistët në SHBA. Kjo është një administratë amerikane e cila në krye pajtohet me racizmin dhe me tribalizmin, që është islamofob dhe nuk i intereson aspak për Ballkanin”, shtoi ai, transmeton Koha.net.

Sipas tij, është edhe Rusia në këtë mes, presidenti i së cilës, Vladimir Putin, dëshiron të ngadalësojë integrimin e Ballkanit në BE.

Deklaratat e zyrtarëve të BE-së që thonë se ‘sido që palët të merren vesh, për neve është në rregull’, Knaus i quan të rrezikshme. Thotë se inkurajimi për të gjetur një kompromis është ide e mirë, por thotë se çka do të ndodhte nëse dy presidentët ballkanikë do të pajtoheshin për shkëmbim të njerëzve, e jo territoreve?

“BE-ja duhet të jetë krejtësisht e qartë: do të pranojmë ndryshim kufijsh nëse për këtë janë pajtuar të dyja palët pas një debati serioz dhe transparent dhe do t’i lënë njerëzit të jetojnë aty ku janë duke jetuar tani. Ndarja e Kosovës do t’i linte shumicën e serbëve edhe më keq se që janë. Kjo është e papranueshme”, theksoi ai.

Knaus thotë se BE-ja duhet të jetë shumë më proaktive, e të thotë qartë se Serbia mund të hyjë në BE vetëm nëse e njeh Kosovën me kufijtë e saj aktualë dhe se Kosova do të hyjë në BE nëse i respekton përkushtimet ndaj të drejtave të pakicave dhe mbrojtjen e komunitetit të saj serb siç parashihet në Kushtetutë.

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Zbulohet ndeshja e trukuar nga grupi "Bajri"

Aktualitet

Zbulohet ndeshja e trukuar nga grupi "Bajri"

Mes 11 personave të arrestuar si pjesë e grupit kriminal "Bajri", është edhe shtetasi Armir Grima, trajner i kombëtares së futbollit për femra i cili gjatë karrierës së tij sportive...

"Pronari më shikonte format, më kërkonte foto' 23 vjeçarja tregon ngacmimin seksual në punë

Aktualitet

"Pronari më shikonte format, më kërkonte foto' 23 vjeçarja tregon ngacmimin seksual në punë

Ada është një vajzë 23-vjeçare nga Berati, e cila pasi përfundoi studimet e larta vendosi që të qëndrojë në Tiranë për t’u punësuar.Por, në ambientet punëdhënëse që ajo ka frekuentuar...

Punime në stacionin Selitë, ja zonat pa energji elektrike nesër

Aktualitet

Punime në stacionin Selitë, ja zonat pa energji elektrike nesër

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njofton abonentët e Tiranës se nesër do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të punimeve në nënstacionin Selitës. OSHEE bën me dije se...