Haradinaj: Samiti i Sofjes, presim lajme të mira për liberalizimin e vizave

E Enjte, 17 May 2018 20:10

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë sot se nënshkrimi i deklaratës së përbashkët në Samitin e Sofjes dhe diskutimet që janë bërë aty flasin për një gatishmëri të BE-së për t’i çmuar reformat e arritura të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe t’i shërbejë ato me avancim në rrugën drejt kësaj bashkësie.

“Serbia dhe Mali i Zi janë në pozicion më të avancuar, ndërsa pritet hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, kurse Kosova para vetes ka përgatitjen për status të kandidatit”.

“Përpara kësaj është liberalizimi i vizave”, është shprehur Haradinaj gjatë një interviste për Klan Kosovën në Sofje.

“Në samit u tha se nga vendet e Ballkanit Perëndimor pritet më shumë sesa ato që po bëjnë. Ballkani Perëndimor ishte temë e trajtimit të këtij samiti ku dhe Kosova është ishte palë dhe jemi paraparë si temë e interesimit. Edhe Presidenti [Borissov] dhe ata që folën për rajonin i dhanë peshë edhe progresit të Kosovës”.

Haradinaj ka thënë se pranimi si palë i Kosovës dhe progresi i arritur u respektua.

“Secili vend e ka një kërkesë të menjëhershme – Kosova e ka liberalizimin e vizave. Bisedova edhe me Presidentin e Francës, Macron, jo me kancelaren Merkel, por këshilltaren e saj. Ka ardhë koha që Kosovës t’i jepet lëvizja e lirë”.

“Isha direkt aq sa munda që t’iu them se kemi nevojë për përkrahjen e juaj në këtë temë. Mendoj që institucionet e BE-së brenda javës do të na pranojnë zbatimin e të gjitha kritereve, pastaj janë vendet veç e veç, proces që mund të marrë edhe disa muaj”.

“Nuk japin ‘hua’, pa i parë rezultatet e pritura”.

Modifikuar më E Enjte, 17 May 2018 20:14

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.