Sabri Hamiti për Ibrahim Rugovën: Miku, krijuesi, prijësi…

Hënë, 21 May 2018 13:13

Shkrimtari dhe politikani i njohur kosovar, Sabri Hamiti, i kushtoi liderit historik të shqiptarëve të  Kosovës, Ibrahim Rugovës, këtë libër memorie – biografik me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta. Libri është shkruar në formë eseje me një art të lartë dhe me të dhëna mjaft interesante për jetën dhe veprimtarinë e madhe patriotike të Rugovës.

Sabri Hamiti për Ibrahim Rugovën: Miku, krijuesi, prijësi…

1.

Si të flas për mikun kur nuk mund ta pranoj shkuarjen e tij?

Si të flas për krijuesin kur nuk janë shpaluar të gjitha idetë e tij?

Si të flas për prijësin kur vijon vizionin e tij?

Pra duhet të flas për Ibrahimin, për Ibrahim Rugovën e për Rugovën. Për tri Unë që bëjnë Një.

2.

Ibrahimi (se ne miqtë e kemi thirrë gjithnjë Ibrahim) nuk e ka njohur babën që ia kanë pushkatuar kur ishte foshnjë; iu ka përkushtuar dashurisë së nënës dhe është rritur me kodin e fisit, gjakut.

Në shkollë shkon në moshë më të madhe se shokët dhe përgjithnjë mbetet një kokë më i lartë se ata. Prej këtu hija që të luajë mësuesin e tyre, që nga fillorja deri në studime.

Ai mblodhi myshkun e malit për të blerë libra dhe preu drurin e malit për të bërë libra. Se kishte ngritur kultin e dijes e libri mbeti përgjithmonë burim i dijes së tij. Pra ai foli pak e njësoj lehtë si për pjekjen e bukës, si për pimjen e ujit, si për dhimbjen e zemrës. Gjithnjë i dashur, madje i dashuruar; tepër i butë për t’u pushtuar, tepër i çiltër për t’u mundur.

Kishte fjalë të pakta e të rralla me shumë asociacione, por kurrkush nuk ka mundur t’i bëjë rezistencë sidomos heshtjes së tij.

Ndoshta ka qenë i bërë për t’u adhuruar sidomos nga kundërshtarët e tij, që i ka mundur me buzëqeshjen e tij. Ky është paradoksi i parë i madh, por të mos harrojmë që jemi në botën shqiptare.

3.

Ibrahim Rugova ka nisur krijimin letrar me lirika intime meditative, kurse shkrimin kritik me një portret të Ismail Qemalit. Ka përkthyer përvajshëm vjershat e Jeseninit. E ka njohur e dashur prozën e Dostojevskit, mandej poezinë e Bodëlerit e prozën e Prustit, mandej prozën e Kafkës e në fund Xhojsin.

Sa për letërsinë shqipe, ajo është djepi në të cilën është rritur. Një herë duke e lexuar me dashuri, herën tjetër duke e studiuar me përkushtim. Ai nëpërmjet empirisë personale mbërrin te metoda, simbas rendit: prekje lirike, kah teoria deri te refuzimi estetik. Prandaj metoda për të është jo doktrinë, por disiplinë për të provuar hapur kërkimin letrar empirik.

Kërkimi i tij letrar nis nga bashkëkohësia për të shkuar më thellë në të shkuarën. Nga krijuesit e brezit të vet ai arrin te Anton Pashku e Ismail Kadare, nga këta te Naimi e Fishta e nga këta te Pjetër Bogdani, madje në fund te Gjon Buzuku. Jo vetëm se interpretimi shkon pas letërsisë, po pse letërsia është kulturë e trashëgim dhe duhet të shkohet nga degët te rrënjët. Ky është paradoksi i madh i dytë. Prandaj studimi i tij Vepra e Bogdanit (ndoshta kryevepra e tij) e lexon një tekst të kaluar si një tekst të tashëm.

Kjo lidhje e degës me rrënjën, e modernitetit me lashtësinë, provohet në sprovimet e tij të fundit: e kena (e qenmja) shqiptare e gjetur tek Zgjimi i Fineganit i Xhojsit ndërlidhet nëpërmjet shqipes me koncepte të Aristotelit.

Projekti i tij i pambaruar, mbetur në nivel të skicës, ka të bëjë me antikitetin arkishqiptar.

Po përsëris: Ibrahim Rugova metodën e shihte si strukturim të shumë zërave, të polifonisë.

4.

Rugova këtë metodë e kishte për bazë kur kaloi nga krijuesi te vepruesi, atëherë kur u bë prijës i lëvizjes kulturore e politike për lirinë, pavarësinë e demokracinë e Kosovës. Dhe këta zëra, kjo trini është një dhe u bë e kapshme e funksionale për një popull të tërë: që nga ai që ndien, deri te ai që mendon dhe analizon. Dhe ky është paradoksi i madh i tretë.

Përndryshe si mund të shpjegohet, që një njeri që nuk ka asfarë instrumenti tjetër, pos besës së fjalës, të ngjallë forcën dhe vetërregullimin e një populli të dërmuar nga egërsia e dhuna e tjetrit.

Interpretimi i këtij fenomeni si pacifizëm klasik është moskuptimi dhe gabimi më i madh, sepse te Rugova kishte vdekur pacifizmi që ditën kur e la krijimin e iu vu veprimit. Çështja kishte të bënte me taktikën e strategjinë për të shpëtuar një popull dhe për ta çuar deri te liria duke ringjallur besimin në vete

Sepse Rugova tha:

  1. 1. “Do ta bëjmë pajtimin e brendshëm”, duke njohur mëritë, sedrën dhe egërsitë shqiptare;
  2. 2. “Në Ballkan popujt janë përafërsisht të njëjtë (si numër)”, për të theksuar baraspeshën në rajon;
  3. 3. “Kosova e integruar në BE e NATO me miqësi të përhershme me SHBA”, për të theksuar një të kaluar e një vizion si domosdoshmëri.

Në këtë vështrim trinomi; liri, demokraci, pavarësi për Kosovën, me një pamje ndërkombëtare, në të vërtetë ishte një program i ndërmjetëm nacional, dhe i akceptueshëm nga të tjerët. “Pavarësia e Kosovës i qetëson shqiptarët dhe rajonin”, ishte formula e fundit e Rugovës, një nga ato thëniet e tij të përsëritura, që dikur kanë marrë trajtën e lutjeve, apo të fjalëve të urta, që lindin si mbetje esenciale fjalësore mbas një ndodhie a një tregimi.

Trashëgimia e tij politike mbetet të sprovohet rëndë në rrafshin e jetës reale në Kosovë.

5.

Mbasi Ibrahimi është njeriu e miku, Ibrahim Rugova është shkrimtari e Rugova është prijësi politik; cili është personaliteti kulturor e historik që e bën një këtë trini?

Vetë kam shkruar që Ibrahimi është një Njeri, mandej kam shkruar që Ibrahim Rugova është promovues i modernitetit në letërsinë e në kulturën shqiptare, mandej pata shkruar që Rugova është presidenti historik i Kosovës. Kurrkush hapur deri më sot nuk i ka kundërshtuar këto pohime.

Po të përdornim metodën rugoviane për të, do të thonim që në fillim Rugova ishte Vetvetja. Më thellë bëhet i ngjashëm me Ismail Qemalin që ngriti flamurin. Edhe më thellë i ngjashëm me Naimin që predikonte mirësinë universale në një situatë të egërsimit e i ngjashëm me Fishtën në përmbysjen e së keqes për hir të humanitetit e të idealizmit kombëtar. Dhe së fundmi i ngjashëm me Pjetër Bogdanin (autorin e personalitetin e tij të preferuar), që bashkonte predikimin e mirësinë, rebelimin e përkushtimin për lirinë.

Rugova, si Bogdani, pushon në Prishtinë, në Bregun e Diellit, i mbështjellë me flamurin e vet, të Dardanisë antike.

Një nxënës i tij indirekt, së voni e ka quajtur shekullin tonë shekull të Rugovës. Do të jetë fat për Kosovën e për shqiptarët nëse shekulli XXI është shekull i Rugovës.

Mbasi ai u bë ikona e tolerancës, e lirisë dhe e pavarësisë për Kosovën dhe për Botën që e njohu.

6.

E përmenda në fillim dhe po ritheksoj në fund që nuk pretendoj të them të vërtetat absolute (që nuk mund t’i përthekoj), por mund të them vetëm të vërtetën time dhe dëshminë time.

7.

E vërteta e dëshmia për mikun vjen gjithmonë nga zemra.

PRESIDENTI IBRAHIM RUGOVA:

Autori: Sabri Hamiti

Gjinia: Publiçistikë

108 f. 700 L

ISBN:978-9951-8720-0-3

Në të janë përfshirë librat e studimeve e të kritikës letrare: “Bioletra”, “Tematologjia” dhe “Albanizma”. Akademiku Hamiti në këtë vepër, vijon studimin sistematik e sistemor të letërsisë shqipe, duke trajtuar tema e ide, prosede e fenomene letrare të shtrira në kohë, me synimin që trajtimi teorik do të takojë edhe historinë për të kurorëzuar në fund një “Poetikë historike të shqipes”.

POETIKA SHQIPE

Autori: Sabri Hamiti

Gjinia: Studime

Çmimi 2400 L

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Të martën përgatituni për ndryshimin drastik të motit në Shqipëri

Aktualitet

Të martën përgatituni për ndryshimin drastik të motit në Shqipëri

Teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballen me një dimër të parakohshëm, me reshjet të dendura dëbore që deri më tani ka shkaktuar të paktën 8 viktima, edhe Europa duket...

Lamtumirë kilogram! Shkencëtarët votojnë ndryshimin

Kuriozitete

Lamtumirë kilogram! Shkencëtarët votojnë ndryshimin

Rreth 130 vite pasi kilogrami u përcaktua nga një masë metali që është mbajtur në një kasafortë në Paris, shkencëtarët kanë votuar për ndryshim dhe një sistem të ri që...

Aksident i rëndë në aksin Librazhd – Elbasan

Aktualitet

Aksident i rëndë në aksin Librazhd – Elbasan

Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Librazhd – Elbasan. Aksidenti ka ndodhur pranë lokalit të njohur me emrin “Zeneli”. Ka qenë një autobus që është përplasur me...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!