Bujar Nishani: “Pakicat kombëtare duhet të ndihen të mirë përfaqësuar, më tepër të drejta për ta”  

nishani

Kreu i shtetit, vizitë në Mal të Zi, takim me presidentin dhe kryeministrin e vendit

 

 

“Zgjidhja përfundimtare e statusit të Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën”

 

Në kuadrin e vizitës shtetërore në Mal të Zi, presidenti i Republikës, Bujar Nishani, është pritur nga presidenti Filip Vujanović, me të cilin bisedoi dhe shkëmbeu mendime për një sërë çështjesh me karakter dypalësh, rajonal, evropian, global. Kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet  miqësore mes dy vendeve duke theksuar se për shqiptarët Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj, por edhe një vend mik me të cilin ndajmë vlera e sfida të përbashkëta. Presidenti Nishani gjithashtu shprehu mirënjohjen në emër të qytetarëve shqiptarë për ndihmën e dhënë nga Mali i Zi për kapërcimin e situatës së emergjencës nga përmbytjet e fundit në jugun e Shqipërisë, si dhe shprehu interesin e Republikës së Shqipërisë për të thelluar dhe forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.  Kreu i Shtetit theksoi se të dy vendet duhet të bëjnë më shumë që edhe bashkëpunimi ekonomik të ndjekë bashkëpunimin shumë të mirë politik, duke u shprehur se: “Duhet një koordinim më i mirë mes institucioneve të të dy vendeve për të evidentuar, vlerësuar dhe shfrytëzuar sa më mire potencialet dhe burimet tona natyrore dhe njerëzore”. Kreu i shtetit theksoi se niveli i bashkëpunimit ekonomik dypalësh ka një impakt pozitiv edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal dhe kthimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në një treg me interes për vendet e Bashkimit Evropian dhe investitorët e tjerë strategjikë. “Jemi shumë të interesuar për promovimin e kohezionit rajonal duke synuar zhvillimin ekonomik, ekologjik, kulturor e social të rajonit tonë.” – u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria i kushton një vëmendje shumë të veçantë marrëdhënieve me vendet e rajonit dhe do të vijojë të ndjekë me konsekuencë politikën e fqinjësisë së mirë. “Rajoni duhet të funksionojë përmes përfshirjes së të gjitha vendeve të tij, përfshirë edhe Kosovën, pavarësia e të cilës ka ndikuar pozitivisht për paqen dhe stabilitetin në rajon”- u shpreh Kreu i Shtetit. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan pjesëmarrjen aktive të të dy vendeve në organizatat dhe iniciativat rajonale dhe shprehën mbështetjen për nxitjen dhe forcimin e tyre të mëtejshëm. Ndërkohë një vëmendje e veçantë iu kushtua çështjes së pakicave kombëtare, të cilat shërbejnë si ura lidhëse të qëndrueshme miqësie. Presidenti theksoi se dialogu për këtë aspekt nuk ka munguar, pasi pakicat kombëtare meritojnë dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i garanton Kushtetuta dhe kuadri ligjor i të dy vendeve, por edhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Konventa Kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit theksoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët në Mal të Zi të ndjehen të mirë përfaqësuar duke u bazuar në Kushtetutën e Malit të Zi, në institucionet qendrore, të vetëqeverisjes lokale dhe institucionet publike. Gjithashtu, Presidenti Nishani vuri në dukje rëndësinë e respektimit të së drejtës së pronës private dhe e administrimit të saj, si dhe që shqiptarët e Malit të Zi të gëzojnë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore në shkollimin në gjuhën shqipe si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare. “Zgjidhja përfundimtare e statusit të  Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën” – u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu përpjekjet dhe progresin e Malit të Zi për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) dhe theksoi se Shqipëria është një nga vendet e Aleancës që ka mbështetur dhe do të mbështesë në vijimësi anëtarësimin e Malit të Zi dhe të gjitha vendeve të rajonit që kanë interes për këtë organizatë.

Presidenti Nishani takon kryeministrin Đukanović: Bashkëpunim për forcimin e marrëdhënieve ekonomike/Kreu i shtetit shqiptar, gjatë vizitës në Mal të Zi është takuar dhe me kryeministrin e vendit Milo Đukanović. Presidenti Nishani gjatë takimit që pati me të vlerësoi kontributin personal të kryeministrit Đukanović në krijimin e marrëdhënieve shumë të mira e miqësore mes Shqipërisë me Malin e Zi, duke theksuar se për shqiptarët Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj, por edhe një vend mik me të cilin ndajmë vlera e sfida të përbashkëta. Kreu i shtetit i shprehu Kryeministrit Đukanović mirënjohjen në emër të qytetarëve shqiptarë për ndihmën e dhënë nga Mali i Zi për kapërcimin e situatës së emergjencës nga përmbytjet e fundit në zonën e jugut të Shqipërisë. “Ndihma në raste fatkeqësish dhe katastrofash natyrore meritojnë gjithmonë mirënjohje, por kur ato vijnë nga një vend fqinj e mik ato janë të paçmueshme” – u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar. Një vend të rëndësishëm gjatë takimit me kryeministrin malazez ishte dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik e tregtar duke theksuar se ky bashkëpunim është ende larg marrëdhënieve shumë të mira politike. Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se falë kuadrit ligjor të përbashkët, ekzistojnë të gjitha mundësitë që institucionet e të dy vendeve të evidentojnë, vlerësojnë dhe shfrytëzojnë sa më mirë potencialet dhe burimet natyrore dhe njerëzore për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në fushat me interes të ndërsjellë. Në mënyrë të veçantë, të dy bashkëbiseduesit trajtuan edhe mundësinë e nxitjes së projekteve konkrete, si në kuadrin e bashkëpunimit ndërkufitar, përmes përmirësimit të infrastrukturës në lidhjet mes dy vendeve dhe nxitjes së turizmit në Liqenin e Shkodrës, por dhe përmes mundësisë së përmirësimit të lidhjes së linjës hekurudhore mes dy vendeve. Presidenti Nishani theksoi se niveli i bashkëpunimit ekonomik dypalësh, veçanërisht në fushën e energjisë, turizmit, telekomunikacionit dhe bujqësisë kanë një impakt pozitiv edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal dhe kthimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në një treg me interes për vendet e Bashkimit Evropian dhe investitorët e tjerë strategjikë. “Jemi shumë të interesuar për promovimin e kohezionit rajonal duke synuar zhvillimin ekonomik, ekologjik, kulturor e social të rajonit tonë.” – u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Nishani edhe në takimin me Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Đukanović trajtoi çështjen e pakicave kombëtare duke vlerësuar rolin e tyre si ura lidhëse të rëndësishme e të qëndrueshme miqësie. Presidenti theksoi gjithashtu se është shumë e rëndësishme që shqiptarët në Mal të Zi duhet të ndihen të mirë përfaqësuar si dhe duhet të respektohet e drejta e pronës private dhe e administrimit të saj.“Shqiptarët në Mal të Zi duhet të gëzojnë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore në shkollimin e gjuhës shqipe, si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare”, u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu se zgjidhja përfundimtare e statusit të Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën.