Bylykbashi: “Vendet e rezervuara, një propozim i misioneve OPDAT dhe Euralius”

oerd bylykbashi

 

 

 

 

Nënkryetari i komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi u shpreh dje se amendamenti i vendeve të rezervuara për Reformën në Drejtësi ishte një propozim i misioneve OPDAT dhe Euralius. Duke folur jashtë sallës së Kuvendit Bylykbashi u shpreh se, “Partia Socialiste vijon të spekulojë duke pretenduar në mënyrë të gënjeshtërt dhe duke u përpjekur si gjithmonë që të hedhë hi në sytë e publikut shqiptar se propozimi i Partisë Demokratike, që është propozim më shumë se dy javor, i kundërshtuar pa asnjë argument deri më sot, se qenka një propozim që përfshin politikën në procesin e vetingut. Ky është një pretendim dhe një gënjeshtër flagrante. Dua të bëj shumë të qartë që propozimi ynë, dhe që është qendrim parimor i yni, është që në procesin e vetingut dhe në përzgjedhjen e komisionerëve që do bëjnë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurororëve, partitë politike nuk do kenë asnjë rol, as në ardhjen e kandidaturave dhe as në filtrimin e kandidaturave që përputhen me kriteret kushtetuese dhe ligjore. Në këtë proces, partitë politike, qoftë në maxhorancë apo qoftë në opozitë, nuk duhet të kenë rol dhe propozimi i PD përcakton ekzaktësisht këtë”.“Së dyti, në propozimin që bëjmë ne për të cilin do të keni më shumë detaje në prezantimin që do të bëhet nesër, nëpërmjet votës sekrete në përzgjedhjen e kandidatëve që do të votohen nga Parlamenti, garantohet diçka thelbësore; pamundësia e plotë për të etiketuar politikisht secilen prej 12 kandidaturave që do të dalin për komisionin e vetingut. Pra vota sekrete e garanton katërcipërisht këtë. Nuk do të jetë e mundur të etiketohet askush. Parlamenti i Shqipërisë është parashikuar që në fillim që të jetë ai që do të përzgjedhë midis kandidaturave profesionale dhe kjo nuk do të thotë aspak politizim. Filtrimi jo nga partitë, por nga Gjykata Kushtetuese, me monitorim ndërkombëtar, do të garantojë që kandidaturat te jenë jashtë çdo ndikimi politik. Pra e theksoj që ky proces largon maksimalisht politikën nga përzgjedhja e këtyre kandidaturave.E fundit që dua të theksoj është që me propozimin që ne bëmë dje publik, PD ka lëvizur nga propozimi i bërë nga OPDAT dhe Euralius dhe i pranuar prej nesh që në shkurt, i mishëruar edhe në draftin e paraqitur nga Partia Demokratike në muajin maj, i vendeve të rezervuara, një propozim qartazi i ndërkombëtarëve, sipas tyre, në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias. Propozimi që bëjmë sot është lëvizje nga modeli i vendeve të rezervuara por që garanton në mënyrë të plotë zbatimin konsenguent të paragrafit 88, duke garantuar çdo gjë që parashikon Komisioni i Venecias dhe duke qënë i tillë është absolutisht oferta jonë e kompromisit.Ajo që bën Partia Socialiste është se vazhdon të propozojë që nga muaji shkurt votën e transferueshme, e cila në llogaritë e tyre i jep më shumë influencë dhe pushtet maxhorancës sesa opozitës dhe nga ana tjetër përveç që është diçka shumë komplekse dhe që dështon në rrethanat e Shqipërisë, është gjithashtu një formulë e ekspozuar ndaj korrupsionit politik që do ta kthente votën e vetme të transferueshme në një votë të trafikueshme. Unë besoj se kjo do të ishte një goditje jo vetëm për interesin e demokracisë shqiptare por në mënyrë specifike për besueshmërinë dhe pranueshmërinë e produktit të Reformës në Drejtësi. Besoj që është mirë që Partia Socialiste të tërhiqet nga pozicioni që kanë refuzuar më herët dhe të pranojë këtë ofertë të re kompromisi dhe të mos refuzojë siç ka bërë deri më sot pa asnjë arsye”, tha Bylykbashi për median tek Kuvendi i Shqipërisë.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>