Bylykbashi: Zgjedhjet mund të zhvillohen pas 9 shtatorit pa ndryshuar Kushtetutën, Rama të lexojë Kodin Zgjedhor

oerd-bylykbashi-415x260

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykashi nëpërmjet një shkrimi të postuar në Facebook trajton deri në detaje debatin që po bëhet aktualisht në vend lidhur me ndryshimin ose jo të datës së zgjedhjeve parlamentare. Teksa ka marrë stimul nga refuzimi më i fundit i kryeministrit për paketën “Mc Allister” ku një prej pikave parashikon shtyrjen e zgjedhjeve, Bylykbashi nëpërmjet argumentave ligjore shpjegon se parlamenti mund të caktoje çdo të dielë deri më 3 shtator (sepse 3 shtatori është e diela e fundit para datës 9 shtator) si datë të zgjedhjeve, vetëm duke ndryshuar ligjin pa patur nevojë të ndryshojë Kushtetutën. Madje duke vijuar më tej Bylykbashi shpjegon se zgjedhjet mund të zhvillohen edhe pas datës 9 shtator, datë e cila shënon fundin e mandatit të qeverisë aktuale dhe për këtë mjafton vetëm një dispozitë tranzitore.

Shkrimi i plotë i Bylykbashit:

“Dëgjova mbrëmë një analist që fliste me “kompetencë” se Kushtetuta nuk lejon ndryshimin e datës së zgjedhjeve dhe binte dakord me Kryeministrin që e refuzonte ndryshimin e datës dhe më vinte për të qeshur, sepse bashkë me një koleg i kemi shkruar këto dispozita të Kushtetutës në 2008. Le ta mbyllim njëherë e mirë këtë argument qesharak. Kushtetuta nuk cakton asnjë datë per zhvillimin e zgjedhjeve. Kushtetuta përcakton rregullin që llogarit vetëm fundin e mandatit, i cili është data 9 shtator 2017 (Kushtetuta neni 65, pika 1). Kushtetuta përcakton se zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit, pra që i paraprin 9 shtatorit. Kushtetuta përcakton se periudha zgjedhore përcaktohet nga Kodi Zgjedhor. (Kushtetuta neni 65, pika 2). Pra e vetmja gjë që detyron Kushtetuta është që data e zgjedhjeve të caktohet para fundit të mandatit. Pikë! Periudhat zgjedhore në Kodin Zgjedhor (pra në ligj dhe jo në Kushtetutë) janë dy: e pranverës 15 mars – 30 qershor dhe e vjeshtës 15 shtator-30 nëntor. Presidenti mund të caktonte datën në një nga dy të dielat e fundit të periudhës zgjedhore që i paraprin 9 shtatorit (Kodi Zgjedhor nenet 8 dhe 9), pra ose 18 ose 25 korrik 2017. Presidenti zgjodhi datën 18 qershor. Pra data është thjesht ligjore dhe jo kushtetuese. Nëse Kodi do caktonte një periudhë tjetër para 9 shtatorit, data do ishte një tjetër dhe jo 18 qershori. Nëse parlamenti vendos që për këto zgjedhje apo gjithmonë, periudha e zgjedhjeve të jetë një periudhë tjetër, mund ta ndryshojë Kodin tani me vetëm 84 vota dhe pa ndryshuar Kushtetutën. Dhe parlamenti mund të caktoje çdo të dielë deri më 3 shtator (sepse 3 shtatori është e diela e fundit para datës 9 shtator) si datë të zgjedhjeve, vetëm duke ndryshuar ligjin pa patur nevojë të ndryshojë Kushtetutën. A mund të zhvillohen zgjedhjet pas datës 9 shtator? Po! Mjafton një dispozite tranzitore e thjeshtë që është shumë më pak e shëmtuar se ai aneksi i tmerrshëm që u miratua për reformën në drejtësi që nuk e ka asnjë kushtetutë e botës. Kur deshi Rama të shtynte zgjedhjet me sebepin e çertifikatave, në 2007 Kodi u ndryshua për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet ishin dekretuar për datën 20 janar 2007, me datë 13 janar u ndryshua ligji që detyronte presidentin të dekretonte një datë të re jo më vonë se 20 shkurt 2007. Presidenti i dekretoi për datën 18 shkurt 2007. Nëse nuk e mbani mend, shihni këtë foto. Ndërsa Kryeministri dhe analisti të lexojnë nenet më sipër dhe Kodin Zgjedhor”.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>