Çadra e Lirisë s’është dhe mos u bëftë kurrë fasadë

eden-babani-bruksel

Mes zhvillimeve politike që shoqëruan opinionin publik shqiptar javën e shkuar, veçova tentativën e Kryeministrit për të zëvendësuar Ministrin e larguar të Punëve të Brendshme, me një figurë që vjen nga radhët e hetuesisë enverhoxhiste. Jo se zhdukja e mijëra tonëve me plehra dhe lëndë helmuese a radioaktive nga Italia fqinje është më pak pikante. As sepse tashmë, – në prag të 1prillit të gënjeshtrave, – ka nisur ose jo shkërmoqja e aleancës qeverisëse.

S’ka dyshim se dy zhvillimet e fundit rëndojnë më shumë në peshoren e politikës rrjedhëse, sesa dekretimi i një ministri të brendshëm që do t’i kishte ditët e numëruara në detyrë, edhe sikur të dekretohej nga Presidenti i Republikës. Madje, po të mendohej ndarja e LSI-së nga aleanca me PS-në, pasojat e atypëratyshme zor se mund të imagjinoheshin, ndërsa konotacioni politik do të përfytyrohej si një rrethrrotullim që ka shumë hyrje e dalje. Aq më tepër që në trafik është futur papritmas (që të mos them “në kundërvajtje”) një gazetar me dy shtetësi, të Kosovës dhe në Shqipërisë. Edhe më tepër akoma vjen e “helmohet” konteksti politik me doza jo të vogla helmi, po të mbahet parasysh se gazetari me dy shtetësi është përfolur në opinionin kosovar si njeri në shërbim të s’dihet se kujt.

Pse veçova çështjen Fatmir Xhafaj?

Që t’i jap përgjigje pyetjes, duhet të kthehem te e shkuara e njëzet e ca vjetëve përpara, sado që s’është hera e parë që kam shkruar për këtë temë. Ndaj edhe i kërkoj ndjesë lexuesit, nëse bëhem pak sa i mërzitshëm.

Si ish-kryeredaktor i gazetave Liria dhe, më vonë, Liria A në vitet 1993 -1997, nuk më ka lënë të qetë për asnjë çast shurdhëria e politikës ndaj thirrjes sonë (e ish-të përndjekurve politikë) për dënimin e Enver Hoxhës pas vdekjes. Dhe nuk do të më lërë të qetë deri në frymën time të fundit. Për fat të keq, nuk na e varën kur u ramë kambanave të alarmit. Ndoshta sepse slogani “të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë” ishte melhem asohere për të mbyllur plagët e vjetra dhe për të mos hapur mbi to plagë të reja, të pashërueshme. Ndoshta sepse, – siç më ka pas thënë i ndjeri Pjetër Arbnori, – “pushteti i ri demokratik e kishte litarin në fyt për bukën e gojës në atë kohë e duhej të bënte kujdes qoftë edhe për një vapor me drithë që, nisur për në Shqipëri, donatorët mund të kthenin për në vendet afrikane ku njerëzit vdisnin urie si pulat, në qoftë se te ne do të cenoheshin të drejtat e njeriut”.

Nuk di ç’të them. Ama jam i bindur që dënimi i Enver Hoxhës pas vdekjes, s’kishte të bënte aspak me shkeljen e të drejtave të njeriut. Përkundrazi. Sot, por edhe atëherë, të drejtat e njeriut  do të ishin të mbrojtura më shumë se kurrë. Edi Rama nuk do të vinte gisht mbi Fatmir Xhafajn, që ky të zëvendësonte Saimir Tahirin. Gramoz Rruçi, ish-ministër i diktaturës, nuk do të ishte atje ku është. Pasardhësit e ish-bllokut nuk do t’i kishim mbi krye e të na shisni demokraci. Spartak Ngjela, i sëmuri psikik me “Sindromën e Stokholmit”, siç e kanë përcaktuar mediat kohët e fundit, nuk do të kishte shansin të bënte “avokotin- kloun” – po, po “avokotin”, jo avokatin! – e Fatmir Xhafajt në spektaklet televizive tashmë jo vetëm të dala-boje, por të pështira. Lideri historik i PD-së, Dr. Berisha, s’kishte përse të humbiste kohë me “qytetarin digjital”, me “nëpunësin digjital”, me “policin digjital”, me “emigrantin digjital” etj, kurse  “digjital-ët” nuk do të kërkonin të mbeteshin anonimë nga frika se mos mbi ta binte “shpata e mprehtë e diktaturës së proletariatit”. Në fund të fundit, Xhavit Koni nuk do të kërcënohej se, po të kthehej nga Suedia në Shqipëri, për të do të dilnin “shpallje” në shtyllat e elektrikut. Në vazhdën e këtij arsyetimi, edhe ligji për hapjen e dosjeve, shndërruar në “më ka çue nana me la gojën!”. Ky gjoja ligj nuk do ta kishte mënjanuar ligjin për lustracionin, siç e kanë bërë të tjerë përpara nesh, nuk do ta kishte shndërruar, pra, në ligj-fasadë. Është për këto arsye, pra, që sot kemi mbërritur në finishin “fasadë”.

Fasada në prag të përjetësimit

Këto ditë, lideri i opozitës, Lul Basha, e ka shqiptuar disa herë emrin “fasadë”. Dhe me plot të drejtë. Qeverisje fasadë, parlament fasadë, opozitë fasadë, demokraci fasadë, zgjedhje fasadë, shoqëri civile fasadë, media fasadë, projekte fasadë… Unë do të shtoja edhe “grindje fasadë në koalicionin qeverisës”, “përfaqësues fasadë të diplomacisë”, “xhibla ndërkombëtare fasadë në funksion të fasadës”. Fasadë, fasadë, fasadë!… Dhëntë zoti të mos shndërrohemi në popull fasadë. Dhëntë Zoti që, përpara se ne të tjetërsohemi në qenie humane fasadë, Çadra e Lirisë të mos shndërrohet në çadër fasadë.

Që të shpëtonim nga e keqja e pafund e fasadës, do të duhej përshkallëzim i përditshëm i agresivitetit të Çadrës së Lirisë brenda kufijve të mosbindjes civile, do të duhej që premtimi solemn se Fatmir Xhafaj mund të hyjë në Ministrinë e Punëve të Brendshme “vetëm duke shkelur mbi trupat tanë”, të shkojë  përtej fasadës. Të shkojë, madje, edhe përtej kompromisit për një qeverie teknike (a quajeni si të doni), e cila edhe e zbritur nga qielli të ishte, nuk do të arrinte të ngrohte kolltukun e vet në këto njëqind ditë që na ndajnë nga 18 qershori, jo më të sillte në din vendin e shkatërruar nga qeverisja e mbrapshtë. Aq më pak të formulonte reformën e munguar zgjedhore dhe të merrte përsipër kujdestarinë e tyre. Me çka do ta përditësonte dhe do ta vinte në zbatim reformën, me administratën shtetërore tejet të politizuar?

Në kushtet krijuara enkas gjatë këtyre katër vjetëve të qeverisjes PS- LSI, nuk do të jetë ndonjë çudi të përjetojmë jo vetëm zgjedhje fasadë për parlamentin e ardhshëm ose për institucionin e Presidentit të Republikës, por edhe parlament fasadë edhe president fasadë. Shtyrja e zgjedhjes së tyre pas dorëheqjes së qeverisë aktuale, do të ishte kusht sine qua non, që do të përmbushte misionin historik të Çadrës së Lirisë. Pengesat kushtetuese i përlan vala e revolucionit, qoftë ky edhe paqësor ose i trëndafiltë.

 

 

 

 

1 Koment

  1. ZEKIJE BRAHO

    21/03/2017 at 04:32

    Nje shtet fasade ndertohet me para te felliqura, te cilat ne fillim sherbejne per te blere njerezit me te dobet nga buxhet, kultura, arsimimi, morali, te gjitha keto se bashku bejne nje kompleks injorantesh dhe kriminelesh, e te dyja keto te fundit formojne nje qeveri mafiozo-komuniste te rilindur pas asaj qe mezi e hoqem, por mua me duket se hoqem nje fasade, sepse ata qe Ishin jane po prape, te mbash ne parlamente elementet me negative te atij sistemi, si Ruci, Xhafaj, Dokle, Rama e te gjithe deputetet e tjere te asaj mazhorance, te cilet jane femijet e tyre, nipat dhe mbesat, eshte nje turp I madh per vendin, nderkombetaret nuk kane se c’te bejne, kur I votojme, I mbajme ne parlament dhe qeveri, ata tallen me te gjithe, ju I doni thone ata, ne s’kemi se cfare t’ju bejme, ju do I paguani te gjitha, prandaj ka ardhur ora per te menduar dhe vepruar me mencuri dhe detyrim qytetar dhe intelektual. Nderkombetaret bejne aq sa kane mundesi, mbushin xhepat me parate qe I jep fondi nderkombetar dhe ikin ne shtepite e tyre, per vete ata jane regull, kur ju nuk doni veten, ne s’kemi cfare t’ju bejme, e thone apo nuk e thone drejt per drejte, une besoj se e thone vetem me menyren se si flasin dhe shikojne, kush nuk ka sy t’i shikoje ose nuk I pelqen qe te punoje, ben ashtu sic I thone kriminelet, paraja e droges blen te gjallet e te vdekurit, ndryshe nuk do dilnin ato rezultate ne votime, ku votohet per te vdekurit, per te ikurit, votohet ne disa zona disa here nga nje person, ky eshte shteti I krimit te organizuar.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>