Çfarë do të ndodhë me ligjin për gjuhën shqipe në Maqedoni?

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ditë më parë ka bërë të ditur se ligji për përdorimin e gjuhëve do të nisë të shqyrtohet të hënën në seancë plenare. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur gjatë një konference për media se deri të premten  do të përfundojë procedura. Lidhur me ketë, profesori universitar, Mersim Maksuti ka thënë për “Bota sot” se ende gjuha shqipe nuk mund të ketë trajtimin e njëjtë me gjuhën maqedonase. Po ashtu, ai ka thënë se këtë propozim të ligjit për gjuhë duhet të vlerësohet pozitivisht pasi që gjuha shqipe do të zgjerojë të drejtën për përdorim në institucionet shtetërore në Maqedoni. “Edhe pse propozim ligji nuk bën zyrtarizmin të plote të përdorimit të gjuhës shqipe dhe ende gjuha shqipe nuk mund të ketë tretman dhe status të barabartë me gjuhën maqedone, por përsëri këtë propozimligj duhet vlerësuar pozitivisht pasi gjuha shqipe tash e tutje do të zgjeroj të drejtën e përdorimit të saj në Qeveri, në procedurat gjyqësore, në procedurat administrative gjë që kjo e drejtë i është mohuar deri më sot!”, ka thënë Maksuti  për “Bota sot”.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Nijazi Muhamedi, e konsideron si poshtërim të dinjitetit të gjuhës shqipe ligjin për gjuhën shqipe në Maqedoni. Në një prononcim për të njëjtën gazetë, Muhamedi ka thënë se ky ligj tash tejshkruan mohimin kushtetues që i është bërë gjuhës shqipe përmes mohimit të glossonimit (emrit të gjuhës), duke e kthyer emrin e saj në emër përqindjeje numerike që, në fakt,është një emërtim racist. “Ky është një Ligj-poshtërim i dinjitetit të gjuhës shqipe dhe i folësve të saj,pra shqiptarëve,sikurse na mëson edhe Karta Universale e të drejtave gjuhësore, sipas së cilës çdo mohim i dinjitetit të një gjuhë është njëkohësisht edhe mohim i popullit që e flet atë gjuhë. Ndërkaq, ky ligj tash tejshkruan mohimin kushtetues që i është bërë gjuhës shqipe përmes mohimit të glossonimit (emrit të gjuhës),duke e kthyer emrin e saj në emër përqindjeje numerike që, në fakt,është një emertim racist dhe me këtë nënkuptohet edhe mohimi i ekzistencës dhe i identitetit kombëtar i popullit që e flet,pra, i shqiptarëve. Ky ligj-poshtërim i gjuhës,me këtë version të përgatitur nga “ekspertet” maqedonas dhe i “mbrojtur”symbyllazi nga “përfaqësuesit shqipfolës”, duke e konvertuar statusin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni në status të gjuhës minoritare të njëjtësuar me statusin e gjuhës rome,etj, e bën  jolegjitime barabarësinë juridike të shqipes me maqedonishten,duke e rimohuar me këtë rast mohimin e legjitimitetit të saj historik si gjuhë autoktone në vendin e vet,nga i cili legjitimohet e drejta e barabarësisë së njëjtë të një gjuhë me një tjetër me të cilën kohabitojne brenda një shteti,dhe ky është principi pashmangshmërisht i respektueshëm gjatë hartimit të ligjeve mbi gjuhët zyrtare”, është shprehur Muhamedi. Sipas tij, ky princip, me insistimin e serbeve,është zbatuar në Kushtetutën e Kosovës (Kushtetuta e Ahtisaarit), duke e kthyer mitin e “djepit serb” në mit të “autoktonisë e prezencës gjuhësorë (pra edhe të folësve të saj) në Kosovë. “Se këndejmi, e drejtë legjitime e pakontestueshme e shqiptarëve në Maqedoni është që të mbrojnë legjitimitetin historik të prezencës së gjuhës së tyre në araen gjuhësore autoktone dhe me këtë të mbrojnë edhe principin e barazisë së njëjtë juridiko-kushtetuese të gjuhës së tyre në tërësinë shtetërore të Maqedonisë. Meqë ky ligj dhe definimi juridiko-kushtetues i cunguar në Maqedoni , mohojnë këtë princip dhe barabarësi legjitime, del fare legjitime dhe e kuptueshme se nuk duhet njohur si ligj legjitim. Ky ligj-poshtërim është vënë për miratim të ngutshëm me insistimin e vet palës maqedonase,duke manipuluar se është “kërkesë”e ndonjë “subjekti politik shqipfolës për të mos penguar “legjitimitetin e rremë historik të maqedonishtes,pra edhe “funksionit” legjitimues të saj si “tapi historike dhe e tashme”e territorit shtetëror maqedonas(!)mbi të cilin është ngritur gjoja “shteti etnik maqedonas” për t’i dhënë zgjidhje të njëanshme konfliktit greko-maqedonas mbi “emrin”,”tapi gjuhësore” që mandej do tejshkruhet vetëm maqedonishtja në katër pllakat identifikuese në OKB; kurse në pllakat identifikuese në OKB,kur Kosova do jetë e pranuar,do shkruhen dy gjuhët e njëjta zyrtare:shqipja dhe serbishtja”, ka përfunduar Muhamedi. Ndërkaq, politologu, Xhenur Iseni ka thënë për “Bota sot” se deri të premten pritet që të përfundojë, dhe se kjo sipas tij nënkupton një zyrtarizim të gjuhës shqipe. “Mendoj se ky ligj deri ditën e premte do të merr epilog final ku edhe do të miratohet nga deputetët, përfshirë këtu edhe nga deputetët shqiptar në opozitë.  Ky ligj “ndoshta” nënkupton zyrtarizim të gjuhës, ndërsa çështje tjetër, është ajo se deri në çfarë niveli zyrtarizohet”, ka thënë Iseni. Për me tepër, ai ka shpjeguar se  nuk do të thotë të zyrtarizohet në të gjitha nivelet por vetëm pjesërisht. “ Në nivelin lokal gjuha shqipe do të përdoret në të gjitha komunat ku më shumë se 20 për qind e popullatës flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, e që në këtë rast ka të bëjë me gjuhën shqipe, edhe pse nuk saktësohet qartë si e tillë. Dmth në ligj prapë shkruan gjuha që e flasin mbi 20% që do të thotë se  nuk shkruhet saktë GJUHA SHQIPE”, ka theksuar ai. Më tutje, ai ka thënë se nuk mund të flasim për barazim në mes gjuhës maqedonase dhe gjuhës shqipe siç pretendojnë disa, por sipas tij gjuha  maqedonase është më e barabartë se gjuha shqipe. “Siç thotë Xhorxh Orwel: Gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.  Edhe këtu, partitë në pushtet thonë se gjuha maqedonase do të jetë e barabartë me gjuhën shqipe në gjitha nivelet, ndërsa unë them se gjuha maqedonase edhe me këtë ligj është më e barabartë se gjuha shqipe”, ka përfunduar Iseni.

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>