Çfarë do të thoshte Giuseppe Valentini?

 

Lajme të katër ditëve njëra pas tjetrës në fillim të muajit tetor të vitit 2017:

1 tetor: Disa qytetarë njoftuan për një të vetëvarur në pyllin e Liqenit Artificial të Tiranës.
2 tetor: Një burrë nga Shijaku u vetëhelmua me fostoksinë.
3 tetor: Nga shkëmbi i qytetit të Përmetit një grua është hedhur në ujërat e Vjosës.
4 tetor: Përgjatë rrugës për në Zvërnec të Vlorës është gjetur një burrë i vetëhelmuar.

 

E dhënë statistikore që trondit: gjatë një viti – saktësisht në vitin 2016 – në Shqipëri janë vetëvrarë 227 vetë, ndërsa 315 të tjerë kanë bërë përpjekje të vetëvriten, por për fatin e mirë të tyre, të familjeve që u përkasin dhe të shoqërisë, ata kanë shpëtuar.
Të gjallët, a mund t’i gjykojnë të vetëvrarët, pas vetekzekutimit të kryer? Edhe pse thuhet që, për të vdekurin nuk flitet keq, veprimi i skajshëm i vetasgjësimi është faj i trefishtë. At Giuseppe (Zef) Valentini, ky dijetar italian që jetoi e punoi gjatë në Shqipëri, që e deshi Shqipërinë si të qe me gjak shqiptar, ka shkruar se, i vetëvrari bëhet fajtor kundër natyrës, sepse njeriu duhet të shmangë çdo rrethanë që rrezikon jetën; i vetëvrari mbetet fajtor ndaj shoqërisë, sepse çdo njeri i merr asaj shumëçka dhe është i detyruar t’ia kthejë për të mos i mbetur borxh; i vetëvrari gjendet fajtor ndaj tagrit hyjnor, sepse ligji hyjnor urdhëron: “Mos vra!” Mirëpo ata vrasin duke u vetëvrarë. Edhe vetëdenohen, edhe vetëgjykohen.
Por pyetja shtrohet nga e kundërta: të vetëvrarët, me veprimin barbar që kryejnë kundër vetes, a i gjykojnë të gjallët ashtu? Kjo pyetje nuk mund të mos bëhet në këtë humbje të baraspeshës, mendore e shpirtërore, që kalojnë shumë njerëz dhe për shumë vjet.
Vetëvrasja, për një numër familjesh, është kthyer në humbje e dhimbje të pangushëllueshme. Për shoqërinë, vetëvrasjet janë bërë lëngatë e rëndë. Për qeveritë, përgjegjësi e mënjanimit të shkaqeve. Për shpeshtësinë e përsëritjeve, vetëvrasja po merr tiparet e një epidemie. Protesta e vetmuar dhe e heshtur e të vetëvrarit, nuk mbërrin deri brenda zyrave të shtetit dhe organizmit të shoqërisë, sepse vërehet një lloj shpërfilljeje, nga që i vetëvrari dhe faji ikin e mbyllen bashkë brenda në varr.
Vështrimi i kësaj dukurie, e kthyer në ngjarje të zakonshme të kronikave, nxit për të vështruar nëpër vite. Për shembull, kur Greqisë e Romës së lashtë po i shpërbëhej shoqëria nga zvetënimi moral, vetëvrasjet u shumuan deri në hutim. Në Francën e vitit 1793, vetëm në Paris e Versajë, pati 1300 të vetëvrarë. Gjatë viteve 1800 – 1900, vetëvrasjet në Gjermani kapën shifrën e frikshme, plot 300 000 njerëz. Kurse, në Shqipëri, atëherë e deri gati në gjysmën e shekullit të kaluar, vetëvrasjet thuajse nuk njiheshin fare. Madje, ndër ne, ka qenë dhe mbetur, si nëma më e rëndë, thënë për dikë e me zemërim: “Vrafsh veten!” Për t’i bërë parapritë kësaj gjëme familjare e shoqërore, At Giuseppe (Zef) Valentini, që më 1933, u përpoq të zgjonte dinjitetin njerëzor e t’i thërriste krenarisë shqiptare, duke shkruar në gegënisht, në revistën e njohur Leka, që e drejtonte vet: “Kur të huejt ndër kohna të kalueme shkruejshin mbi barbarizëm t’ahmarrjes së gjaqeve në Shqipni, na, pa mohue kët të metë, me nji kryenaltësi mjaft të madhe jua numërojshim disa virtyte të këtij kombi e jua plasshim ndër sy barbarizmin ma t’egrin e ma të poshtrin të tyne: vetvrasën”.
Mjerisht, ajo prej çka druheshim, na ka pllakosur. Përveç gjakmarrjes pa Kanun, përveç hakmarrjes mizore edhe për kurrgjë, kemi vetëvrasjet që nuk janë më raste të veçuara. Statistika për to është tejet shqetësuese.
Lehtësia e kryerjes së vetëvrasjes frikëson.
Mosha e të vetëvrarëve përfshinë fëmijë, të rinj e të moshuar
Mjetet e vetëvrasjes, edhe pse jemi popull i armatosur me armë të paligjshme, çuditërisht, kryesore nuk janë armët e zjarrit, por më së shumti përdoren mënyra të tjera barbare, helmim me helme të fuqishëm, varje në litar, hedhje nga kate të larta, prerje damarësh. Kurse, sipas një vëzhgimi të kanalit të njohur televiziv amerikan CNN, në SHBA vetëvrasjet më të shumta kryhen me armë zjarri, që njerëzit i mbajnë me leje nëpër shtëpitë e tyre.
Asnjë nga të gjitha jetët e ndërprera tragjikisht, nuk pati tronditur aq sa, kur në dy ditë njëra pas tjetrës, dy fëmijë vranë veten, si në imitim loje, nën ndikimin e një sekti fetar, siç u shkrua. Nuk pati vonuar atëherë dhe lëvizi mekanizmi i qeverisë: të nxirret një ligj, u tha, që të ndalojë detyrimin e të miturve për të besuar. E gjykuar mbi shqetësimin për jetën, qoftë edhe të një jete të vetme të shpëtuar, ligji mund të ishte i vlefshëm. Por, po t’i kthehesh e të shohësh mirë statistikat e vetëvrasjeve, shkaqet, rrethanat, mënyrat, të gjitha bashkë, thërrasin për domosdoshmërinë e zgjidhjeve të rëndësishme, sidomos për shtresat në nevojë për jetesë. Po të njihesh me fjalët e shkruara në minutin e mbramë, fajësia e vetëvrasjes ka kapërcyer nga fatkeqët te barkëdreqët. Ata shkruanin se nuk kanë bukë për fëmijtë. Nuk kanë punë për të përballuar jetën. Nuk kanë strehë mbi krye. Kanë mbetur në vetmi të madhe nga emigrimi i fëmijve. Kujt i ka qëlluar të marrë pjesë në ceremoni mortore të të vetëvrarëve, përjeton diçka të pangushëllueshme. Aty askush nuk mungon, por duhet të jetë edhe shteti, për të pyetur vetëveten: pse vetëvriten shtetasit? Kush nuk pyet, nuk do të dijë. Por vrasjet janë bërë sëmundje e tmerrshme dhe, dihet që, sëmundjet kanë shkaktar dhe mjek. Ajo që duhet t’u shërbehet atyre si bar shpëtimi është: Askush pa bukë! Askush pa punë! Askush pa strehë!
Poeti lirik rus Sergei Esenin, para se të vriste veten në 28 dhjetor të vitit 1925, në Hotel Angleterre të Shën Peterburgut, një ditë para vdekjes shkroi poemën “До свиданья, друг мой, до свиданья” (Mirupafshim, shoku im, mirupafshim) kushtuar Wolf Ehrlich. Duke mos pasur bojë në dhomë, me gjakun e tij shkroi këto vargje tronditëse:
“Në këtë jetë të vdesësh nuk është gjë e re,
por as të jetosh s’është e re sigurisht”.
Poeti ruso-sovjetik Vladimir Majakovski iu përgjigj atij pesë vite më pas, më 14 prill të vitit 1930, po me vetëvrasje – me një goditje në zemër, dhe po me poezi – vargje me të njëjtën frymë:
”Në këtë jetë nuk është e vështirë të vdesësh,
Të jetosh është shumë e vështirë”.
Më 26 mars të vitit 1928, qeveria italiane e pati ndaluar shtypin të botonte lajme e pamje të rënda të të vetëvrarëve, duke besuar se do të shmangej imitimi që nxitet nga informacioni dhe, kjo do të ndikonte në pakësimin e tyre. Dhe, çuditërisht, ashtu pati ndodhur. Ndër ne, mediat e shumta i njoftojnë dukshëm, e shumëfishojnë lajmin disa herë, me numërin e madh dhe përsëritjen e lajmit pafundësisht, nga të gjitha mediat dhe gjatë gjithë ditës. Shoqëria është e rënduar psikologjikisht nga vështirësitë e jetës, nga mungesa e të mërguarve të panumërt dhe nga ikja me vetëvrasje prej kësaj bote të vështirë. Duhet kryer ajo që duhet, sepse vetvrasja po kthehet në kob kombëtar.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>