Ç’lojë po luhet këtë fillim-sezoni me armatën e mësuesve e të nxënësve?

 

Tashmë për komunitetin mësues e prindër është e qartë se Ministria e Arsimit po luan një lojë, fundin e së cilës as vetë nuk e di. Armata e mësuesve e kaloi gjithë periudhën e pushimeve nën stresin e testit që ishte vendosur të kryhej në muajin shtator me të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar. Ndërsa mësuesit gjithë verës përgatiteshin, tani sapo bëheshin gati për fillimin e vitit të ri shkollor dhe kryerjen e testit, Ministria, përmes zevendësministres  Nora Malaj është kujtuar të lajmërojë gjithë mësuesit se, testi nuk do të kryhet në muajin shtator, por më vonë, ndoshta në muajin dhjetor. Sipas zevendës ministres, ky testim konsiderohet një indikator për matjen e menaxhimit të situatave në shkollë dhe ka për qëllim të identifikojë sa të aftë janë mësuesit. Vitin e kaluar përmes testit të organizuar në muajin dhjetor u thanë shumë fjalë se kësisoj do të thithej kuadri i ri. Por sërish ato mbetën vetëm fjalë. Më shumë se portal “mësues për Shqipërinë” vendet e punës i zunë ata që investuan më shumë. Bile portali “mësues për Shqipërinë” evidentoi edhe më shumë gjendjen e rëndë në të cilin ndodhet arsimi. Po ashtu edhe  emërimet e ç’emërimet e shpeshta të drejtuesve rajonalë të arsimit, apo të shkollave.

Tashmë mësues e prindër e kanë kuptuar se, testet po kryhen vetëm sa për të larguar vëmendjen e  komunitetit, nga emërimet që kryhen përmes parasë e njohjes familjare. Kësisoj testimit të mësuesve i ka dalë dalëngadalë kallaji. Këtë e ka kuptuar edhe ministria e Arsimit që e shtyn  testin nga maji në shtator dhe nga shtatori në dhjetor. Derisa në fund do ta braktisë fare.

Ndërsa heshtet për korrupsionin që në arsim ka marrë përmasa stratosferike. Pasi vitin e kaluar në testim u përfshinë edhe mësues që kanë punuar pa ndërprerje 40 vjet dhe janë në prag të pensionit. Por edhe shumë mësues të diplomuar dhe që u vlerësuan me notën zero. Është e turpshme që ka mësues që në testim marrin zero, ndërsa mësues të përgatitur sorollaten dhe nuk emërohen në vende pune, të paktën ku japin ende mësim mësues pa arsimin përkatës. Broçkulla të tilla e kanë përfshirë arsimin, të paktën në rajonin verilindor. Në këto kushte është e kotë të flasësh për ndonjë rezultat produktiv të testimeve që janë kryer, apo do të kryhen. Të tilla teste   kanë vetëm një domethënie: mundësinë e krijimit të vendeve të lira, për t’i shitur e për të nxjerrë ndonjë fitim. Të paktën përvoja e deritanishme këtë ka treguar. Hesht Ministria, ndërsa pasojat i vuan brezi i ri, i vuan i gjithë komuniteti i cili përpiqet të gjejë rrugë alternative për fëmijët. Kjo është situata në këtë prag fillimi të vitit shkollor, ndërsa shtetarët tanë vazhdojnë të llomotisin për arritjet në luftën kundër korrupsionit, kur korrupsioni i ka zënë frymën çdo qytetari që duhet të paguajë leshtë e kokës në çdo zyrë të shtetit ku duhet të hyjë për zgjidhjen e një problemi. Kjo ka bërë që për të rinjtë është bërë e pamundur rikthimi në vatrën prindërore pas mbarimit të studimeve.