Deklarata e PD/Marrëveshja e 18 Majit vdiq – në themel të saj, zgjedhjet e lira dhe ndërprerja e aleancës me krimin  

Në fjalën e tij të parë në Parlament, kryetari Lulzim Basha deklaroi vdekjen dhe varrosjen e marrëveshjes së 18 majit me Edi Ramën. Kreu i PD theksoi se kjo marrëveshje vdiq, pasi themeli i saj ishin zgjedhjet e lira e  të ndershme, ndërprerja e aleancës me krimin. Basha i kërkoi Edi Ramës shkarkimin e Ruçit, Xhafajt dhe personave të tjerë të lidhur me krimin, në mënyrë që të bëhet konkurrenti i denjë i PD-së. “Ky parlament nuk shpreh vullnetin e qytetarëve por tjetërsimin dhe vjedhjen e vullnetit të tyre. Thelbi i marrëveshjes së 18 majit, ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj, dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje. Aleanca e pandërprerë asnjë çast e Ramanjishit me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen dhe rikonfirmuan problemin numër 1 të Shqipërisë: vjedhjen dhe tjetërsimin e vullnetit të Shqiptarëve për hir të pushtetit personal dhe privat të Edi Ramës. I vetmi sukses i 18 majit është që ti nuk arrite ta emërosh opozitën tënde siç e kishe nisur dhe siç doje ta bitisje. Nëse 25 qershori e vrau marrëveshjen e 18 majit, 9 shtatori e varrosi atë përfundimisht. Jo vetëm zgjedhja në krye të kuvendit e Gramoz Rucit, të cilit i është ndaluar përjetësisht hyrja në SHBA për shkak të lidhjeve të tij me krimin dhe trafiqet, por edhe akti mafioz i blerjes apo tjetërsimit të 2 votave opozitare, është shprehja më e qartë se në vend të bashkë ekzistencës demokratike me kundërshtarin, ti zgjedh gjithmonë shitblerjen dhe manipulimin”. Më tej, Basha tha se ajo që i ndan me Edi Ramën janë se PD përfaqëson vlerat, ndërsa Rama aleancat me krimin.  “Ajo që na ndan është thelbësore. E ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të jetë kurrë droga me të cilën ke mbushur Shqipërinë. E ardhmja e fëmijëve shqiptarë nuk mund të jetë kurrë Gramoz Ruci, Fatmir Xhafa. Që të bëhesh konkurrenti, im është shumë e vështirë për ty, ndoshta e pamundur, sepse duhet të bëhesh ai që nuk je. Të lësh krimin dhe të përqafosh vlerat. Duhet ta nisësh me shkarkimin e Gramoz Ruçit nga kreu i Kuvendit jo vetëm për të larguar krimin nga politika, por edhe për të shpëtuar imazhin e diskredituar të vendit. Duhet të arrestosh vëllain e Fatmir Xhafajt dhe t’ ja dorëzosh interpolit që e kërkon për trafik ndërkombëtar droge. Duhet të shkarkosh Fatmir Xhafajn si njeri të lidhur me krimin. Duhet të gjesh dhe arrestosh gjithë ata funksionarë policie që kanë favorizuar drogën deri më tani, me në krye kapitenin e tyre, Tahirin. Duhet të heqësh kryetarët e inkriminuar të bashkive. Duhet të rikthesh ne burg banditet qe lirove për zgjedhje. Kjo është qeveria e thellimit të sundimit privat të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish. Avazi i vjetër vazhdon me tepsi të re. Kësaj radhe Tepsinë e ke të gjithën për vete. Me dy garuzhdet e tua Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri dhe ministrat e tjerë, si peceta për të fshirë buzët”.

Mediu: Rama e shkeli marrëveshjen e 18 majit

Edhe Fatmir Mediu deklaron se marrëveshja e 18 Majit u prish nga Edi Rama ne momentin që u cenuan standardet zgjedhore. “Marrëveshja u bë për të garantuar një minimum të standardit zgjedhor. Ramës i kishte ngelur vetëm procesi i manipulimit pasi kishte ngritur të gjithë strukturën. Për fat të keq, marrëveshja u shkel në mënyrë të njëanshme. Bashkëpunimi politik është në interes të qytetarëve shqiptarë. Ne të gjithë duhet të bëjmë përpjekjet maksimale në reformën kushtetuese apo zgjedhore.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>