Deklarata/Banka Botërore: Shqiptarët e paguajnë ujin dy herë më shtrenjtë se rajoni

Kryefjala e diskutimeve në dy ditët e fundit ka qenë vendimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për të dyfishuar çmimin e ujit për familjet dhe bizneset e kryeqytetit. Në kulmin e debateve për këtë çështje vlen të theksojmë se sipas një dokumenti zyrtar të Bankës Botërore, i cili krahason tarifat e ujit në Europë, rezulton se familjarët shqiptarë paguajnë rreth 0.7 euro për çdo metër kub si kosto për shërbimin e ujit të pijshëm dhe atë të ujërave të zeza duke paguar më shtrenjtë nga të gjithë vendet e Ballkanit. Pas Shqipërisë në vendin e dytë renditet Mali i Zi, ku tarifa e ujit për familjarët është 0.62 euro për metër kub të konsumuar. Sipas të dhënave, Kosova dhe Serbia që kanë shumë më pak burime ujore se Shqipëria janë dy vendet me çmimin më të lirë të këtij shërbimi, përafërsisht 0.5 euro për metër kub. Sipas Bankës Botërore, fondet e të cilës Veliaj përdor si justifikim për rritjen e çmimit, rezulton se shqiptarët edhe në raport me të ardhurat detyrohen të paguajnë më shumë nga buxheti i tyre për shërbimin e ujit se sa fqinjët. Aktualisht, sipas  të dhënat, familjarët shqiptarë shpenzojnë 2.2 për qind të buxhetit mujor për ujin, ndërsa pasohet nga Maqedonia, ku familjet shpenzojnë 1.8 për qind të buxhetit për ujin. Çmimet aktuale shërbejnë për të kuptuar se nxitimi i mashtruesit Veliaj për të rritur tarifat për ujin, do të bëjë që shqiptarët të paguajnë akoma edhe më shtrenjtë se fqinjët e tyre. Nëse Erion Veliaj do të këmbëngulë deri në përmbushjen e ides së tij për të rritur çmimin e ujit, ai do të bëjë që tarifat e ujit në Tiranë duke përfshirë taksat dhe pagesat për ujërat e zeza të arrijnë shifrën 1 euro për metër kub.  Teksa qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë lajmëruar se ditën e mërkurë kur do të mblidhet këshilli bashkiak i Tiranës për të votuar vendimin, Veliaj zgjodhi që të dilte mëngjesin e djeshëm në ekrane duke propaganduar se rritja e çmimit të ujit do të kryhet sepse vetëm kështu i përkëdheluri i Edi Ramës mund të marrë kredi nga BERZH e Banka Botërore. Por pretendimi se me rritjen e çmimit do të shtohen fondet për investime është thjeshtë një tymnajë e krijuar për të mbuluar tenderin prej 250 milionë eurosh që do të lançohet për të kaluar ujësjellësin tek privati me bekimin e Edi Ramës. Veliaj po përgatit vjedhjen më të madhe të parave publike për 20 vitet e ardhshme dhe rritja e çmimit të ujit pa asnjë justifikim ligjor, bëhet qesharake nëse marrim në konsideratë faktin se UKT është një nga ndërmarrjet më fitimprurëse, teksa vitin e kaluar ka fituar 5 milionë euro nga faturimi i vetëm 22% të përdoruesve të ujit. Fitimet janë tepër të larta nëse theksojmë se 78% e përdoruesve në Tiranë nuk paguajnë faturat e ujit.

Bashkia e Tiranës kërkon rritjen e çmimit të ujit, por ujësjellësi raporton 5 milion euro fitime/ Bashkia Tiranë po shqyrton rritjen e çmimit të ujit, sipas një vendimi, që do i propozohet Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, ditën e mërkurë. Konkretisht, për familjarët propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3. Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3. Sipas relacionit të Bashkisë, shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës. Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rekuperimit të detyrimeve të prapambetura. Por sipas të dhënave zyrtare Ujësjellës Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri, ku në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të Ujësjellësit. Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milion euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>