Deklarata/Ilir Meta: “Rama është Ebola e Shqipërisë!”

meta

Presidenti i zgjedhur Ilir Meta po zbardh përditë plagët e rënda që qeveria e Edi Ramës i ka shkaktuar vendit prej 2013-s. Duke kujtuar betejat e tij me qeverinë e Berishës, kur ai drejtonte opozitën e PS-së, Meta kujton se PS-ja po asgjësohet nga klani “Rilindja” dhe bën thirrje që të majtët e vërtetë të orientohen drejt një partie qëndrestare si ajo që ai ka drejtuar prej 13 vjetësh

 

Presidenti i zgjedhur Ilir Meta ka sulmuar ashpër mbrëmë kryeministrin Edi Rama dhe klanin “Rilindja”. Për ish-kreun e LSI, Rama është tragjikisht një sëmundje për vendin. “Sierra Leone ka luftë civile dhe një sëmundje që quhet Ebola. E kemi dhe ne një sëmundje shfarosëse të vlerave më të mira shqiptare, tha presidenti i zgjedhur Meta. Ebola jonë quhet Rilindje. Ebola jonë është pabesia më e madhe që ka njohur kjo tokë në mijëra vjet. Viktimë e parë e kësaj ebole është PS-ja, parti me vlera të shkëlqyer. Për fat të keq është zëvendësuar nga Rilindja.Kryetari i Rilindjes erdhi me lugë në brez. Këto ua thotë një eurosocialist, një student i dhjetorit, që shkoi në PS kur të gjithë shkonin në PD, tek Berisha. Kjo vetëm për të krijuar rininë eurosocialiste. Ne nuk do merremi me problemet e PS-së, por është detyra ime të jem i ndershëm me socialistët” – deklaroi Meta në mitingun tek “Nënë Tereza”. Ai pohoi publikisht se ka pasur një bashkëpunim serioz me Sali Berishën. “As një udhëheqës i PS nuk është përplasur më fortë se unë me Berishën, kur të tjerët linin shtetin, dhe ia fusnin vrapit pyjeve të Maqedonisë, Ilir Meta i ka treguar vendin atij kur ka prekur institucionet. Për fat të keq të Ilir Metës, ia kam thënë dhe kryetarit të PS, ka qenë i pranishëm edhe Vasili, para se të miratohej reforma në drejtësi, për fatin tim të keq, unë kam qenë i detyruar që të bashkëpunoj me rilindasit, më seriozi ka qenë Sali Berisha. Kjo është fatkeqësi e madhe, pasi mbas 27 vitesh duhet të kishim shumë politikanë të tjerë se Ilir Meta dhe Berisha, e Edi Rama” – tha themeluesi dhe drejtuesi prej 13 vitesh i LSI-së.

Ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në mitingun e mbrëmshëm elektoral në kryeqytet ka vlerësuar arritjet e qeverisë Berisha gjatë viteve 2009-2013. Sipas tij nëse nuk do ishte bërë liberalizimi i vizave dhe projektet e mëdha gjatë qeverisjes Berisha, sot investimet në Shqipërinë e rilindjes do të ishin zero. “Në vitin 2009 kur ne bëmë koalicionin me PD-në jo vetëm u liberalizuan vizat. Nëse nuk do të ishte bërë projekti i Devollit, sot investimet e rilindjes do të ishin zero. Deri para dy muajsh kryetari i rilindjes mburrej për reformat që kishte bërë me partnerin strategjik. Por pasi ne ndaluam skenarin për të penguar zgjedhjet pa opozitën, na doli se gjithë problemi paska qenë LSI-ja”, deklaroi Meta.

Në mitingun e mbrëmshëm, Kreu aktual i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u bëri thirrje shqiptarëve të votojnë LSI-në në 25 qershor, pasi vetëm kështu mund të ecet përpara. “Do doja të përqafoja të gjithë Shqipërinë, është dita jonë e madhe. Ky shesh nuk ka parë kurrë një festë kaq madhështore. Sot është dita që ne kthejmë përgjigjen e madhe për një plan të madh. Ne kemi një plan për Shqipërinë, për uljen e taksave, që i bën shqiptarët më të begatë, të mos punojnë për oligarkët, të mos punojnë më për tepsinë. Qindra e mijëra të rinj presin 25 qershorin për të vënë në vend dinjitetin, ky është plani për Shqipërinë, për një Shqipëri ndryshe, për një Shqipëri të lirë. Ky është plani që ndryshon shteti, jo shteti që fut në burg, jo shteti që merr gjakun e pagave tuaja dhe ua jep oligarkëve. Është koha për të ngritur republikën e të rinjve jo republikën e re. Ne kemi një plan për të gjithë. Kemi taksa të ulëta, të rinte të parët, të tjerët kanë drogë, gjoba, plehra, koncesione.Vendi ka nevojë për autostrada zhvillimi. Të tjerët kanë tepsinë Shqipëria ka nevojë për një plan. Të ndahemi nga Shqipëria që e qeveris një i çmendur”, tha ndër të tjera kryetari i LSI, Petrit Vasili.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>