Deklarata/Klement Zguri: Asnjë ankesë në Kolegjin Zgjedhor për Kapllanajn

Kreu i KQZ-së, Klement Zguri ka deklaruar se asnjë subjekt politik nuk ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin për kreun e Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Zguri bëri të qartë se njeh vetëm Kolegjin Zgjedhor si organ që vlerëson vendimmarrjen e KQZ-së, ndërsa kërkesës së PS-së për dorëheqjen e tij, kreu i KQZ-së iu përgjigj se institucioni që ai drejton ka respektuar vetëm ligjin

 

Kreu i KQZ-së, Klement Zguri ka deklaruar se asnjë subjekt politik nuk ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin për kreun e Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Kreu i KQZ e dha këtë si argument kur u pyet nga gazetarët lidhur me kërkesën e PS për largimin e tij nga ky post. Zguri bëri të qartë se njeh vetëm Kolegjin Zgjedhor si organ që vlerëson vendimmarrjen e KQZ-së. I gjendur përballë kërkesës së Partisë Socialiste për shkarkimin e tij në lidhje me çështjen e mandatit të kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri është i bindur se institucioni që drejton ka respektuar ligjin. Zguri evitoi një përgjigje direkte nëse ai vetë si kryetar kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit. Partia Socialiste që ka kërkuar shkarkimin e Zgurit, pretendon se kryetari ka shkelur ligjin e dekriminalizimit duke mos njoftuar Komisionin në mbledhje publike mbi materialin e mbërritur nga Prokuroria, brenda afatit 10 ditor që parashikon ligji. Ndërkohë, procedurialisht, shkarkimi i Zgurit nuk është i lehtë, në kushtet kur PS ka humbur mazhorancën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas lëvizjeve që pasuan marrëveshjen politike Rama-Basha të 18 majit. Neni 18 i Kodit Zgjedhor, parashikon se mandati i anëtarit dhe kryetarit të KQZ-së mbaron para kohe kur ky institucion, me 4 vota nga 7, ia propozon Parlamentit një gjë të tillë. Gjithashtu, neni në fjalë parashikon disa kushte kur kjo mund të ndodhë, siç janë kryerja e veprimtarive politike, mbushja e moshës për pension, kur anëtari vdes apo jep dorëheqjen, kur mungon pa shkaqe të arsyeshme për një periudhë të caktuar kohe, si dhe kur me veprimet ose mosveprimet e tij cënon rëndë veprimtarinë e KQZ për përgatitjen, mbikqyrjen, drejtimin dhe verifikimin e të gjitha aspekteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet, si dhe me shpalljen e rezultateve të tyre.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>