Deklarata/Senatori McCain: “Rusia dhe Putini, kërcënim më i madh sesa ISIS-i”  

mek

Senatori amerikan John McCain thotë se ai e sheh Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, si “sfidën më të madhe për SHBA”, më të madhe edhe se ajo që paraqet grupi terrorist Shteti Islamik. Gjatë një vizite në Australi, senatori McCain i tha Kompanisë Australiane të Transmetimeve se Putini është përpjekur të “shkatërrojë thelbin e demokracisë” me orvatjen për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane. John McCain, senator republikan i shtetit Arizona, tha se nuk ka parë ndonjë provë që Rusia t’ia ketë arritur qëllimit. Por, – tha ai, – ata ende përpiqen të ndryshojnë rezultatet e zgjedhjeve. “Ata sapo u përpoqën të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve franceze. Prandaj, unë e shoh Vladimir Putinin, i cili ka copëtuar shtetin sovran të Ukrainës dhe që po ushtron presion ndaj Baltikut, i shoh rusët si sfida më e madhe që kemi”. Komentet vijnë ndërkohë që administrata e Presidentit Donald Trump përballet me hetime, të cilat synojnë të sqarojnë nëse ekipi i fushatës së tij ka patur lidhje me Rusinë. Këtu përfshihen njoftimet se Jared Kushner, dhëndër i Presidentit dhe këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, është përpjekur të krijojë një kanal të fshehtë komunikimi me zyrtarët rusë në javët para përurimit të zotit Trump. “Pikëpamja ime është se kjo nuk më pëlqen, por thjesht e nuk di. Di që disa zyrtarë të administratës kanë thënë se kjo është ‘një procedurë standarde’. Nuk mendoj se është procedurë standarde që, përpara përurimit të një Presidenti të Shteteve të Bashkuara, të veprohet kështu nga dikush i cili nuk është emëruar në atë pozitë”.

Gazeta New York Times, citon zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, Hope Hicks, sipas të cilës zoti Kushner “po vepronte si zyrtar i ekipit kalimtar” dhe se ka rënë dakord të diskutojë me ligjvënësit rreth takimeve të tij me rusët. Presidenti Trump ka hedhur poshtë çdo pretendim se fushata e tij ka qenë e lidhur me Rusinë. “Jared po bën një punë të shkëlqyer për vendin” tha zoti Trump për gazetën New York Times.” Ai tha se ka besim të plotë tek dhëndri i tij. Sipas presidentit Jared Kushner respektohet pothuajse nga të gjithë dhe po punon me programe që do t’i kursejnë vendit miliarda dollarë. Por më e rëndësishme, tha presidenti Trump, është fakti se Jared Kushner është njeri shumë i mirë. 36-vjeçari Kushner, biznesmen i njohur në fushën e pasurive të patundshme në Nju Jork përpara se t’i bashkohej stafit të presidentit në Shtëpinë e Bardhë, është martuar me vajzën e madhe të zotit Trump, Ivankën, e cila gjithashtu është këshilltare në Shtëpinë e Bardhë. Sipas disa mediave Jared Kushner u përpoq të krijonte lidhje komunikimi të fshehta me Moskën, kur u takua me ambasadorin e Kremlinit në SHBA, Sergej Kislyak, në fillim të dhjetorit të kaluar. Shtëpia e Bardhë pret tani të dëgjojë dëshminë që do të japë në Kongres ish-shefi i FBI-së, James Comey. Presidenti Trump e shkarkoi zotin Comey pasi, sipas njoftimeve, i kishte kërkuar atij të ndërpriste hetimet rreth ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Flynn dhe lidhjet e ngushta që ky i fundit kishte me Kremlinin. Për të hetuar çështjen është emëruar një prokuror i posaçëm, ish-drejtori i FBI-së, Robert Mueller. Ndërkaq, komisionet e Kongresit u kanë bërë thirrje disa prej ndihmësve të tanishëm dhe të mëparshëm të zotit Trump që të dëshmojnë.

Kronika ballkanike – Një delegacion i senatit amerikan viziton Malin e Zi/Senatori republikan Ron Johnson i cili po viziton Malin e Zi, në krye të një delegacioni të senatit amerikan e uroi kryeministrin e vendit, Dushko Markoviç, për rezultatet e arritura dhe për guximin e treguar si lider i vendit. “Mali i Zi është shembull i frymëzimit për shtetet tjera”, tha senatori amerikan Ron Xhonson në një takim me kryeministrin Markoviç. Ron Xhonson po kryeson një grup senatorësh amerikanë, të cilët prej sot po qëndrojnë në Mal të Zi dhe po njihen me zhvillimet ekonomike dhe politike të vendit ballkanik. Siç bënë të ditur zyra e kryeministrisë, duke folur për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, kryeministri Markoviç vuri në dukje se “objektivi do të ishte i paarritshëm pa mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve si në aspektin politik, ashtu edhe në forcimin e demokracisë dhe të institucioneve të saja”. Kryeministri Markoviç shfaqi gatishmërinë e Malit të Zi “për ti respektuar të gjitha detyrimet që dalin nga anëtarësimi i vendit në NATO, duke vlerësuar se ky do të jetë investimi më i rëndësishëm për të ardhmen dhe sigurinë e vendit”. Kryeministri Markoviç ritheksoi rëndësinë e pranisë së fuqishme të SHBA-ve në Europë dhe rajon.

Analiza – Mali i Zi po “hyn në Perëndim” përmes NATO-s/Edhe pse procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO ende nuk është përfunduar plotësisht, në takimin e NATO-s në Bruksel, Mali i Zi mori pjesë thuajse si anëtar. Mali i Zi pritet t’i bashkohet NATO-s në fillim të qershorit. Por për kryeministrin malazez Dushko Markoviç takimi i NATO-s paraqiti një sfidë. Kur grupi i pjesëmarrësve po bëhej gati për një fotografi me drejtuesit e NATO-s, Presidenti i SHBA-së Donald Trump e shtyu atë duke u përpjekur që të dilte në krye të grupit. Ky incident u përhap shumë shpejt në mediat sociale.

Kjo ngjarje nuk mund të kalonte pa u vënë re edhe nga Moska. Deputeti rus Aleksej Pushkov shkroi në twitter se sjellja e Trumpit nuk qe “tepër e sjellshme”, por se ajo “gjithësesi vetëm se tregon vendin e vërtetë [të Malit të] brenda aleancës”. Pranimi i Malit të Zi, si anëtar i 29-të i NATO-s i ka acaruar edhe më tej tensionet tashmë ekzistuese mes saj dhe Rusisë për shkak të krizës së Ukrainës. Moska e ka paralajmëruar disa herë NATO-n që të mos e pranojë Malin e Zi dhe Kremlini kërcënoi edhe me “kundërmasa”. Moska e sheh në përgjithësi me dyshim zgjerimin e vazhdueshëm të aleancës perëndimore ushtarake në ish-sferën e saj të ndikimit. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, NATO-ja është shtuar me dymbëdhjetë anëtarë të rinj, sidomos nga Evropa Lindore. Në vitin 2009 u anëtarësuan edhe Kroacia dhe Shqipëria. Me pranimin e Malit të Zi, ushtria e të cilit ka vetëm 2,000 ushtarë edhe bregdeti lindor i Adriatikut bëhet plotësisht pjesë e territorit të NATO-s. Mali i Zi ka 630.000 banorë dhe u nda në vitin 2006 nga Serbia. Rreth 70 për qind e popullsisë janë të krishterë ortodoksë. Mali i Zi ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka qenë për kohë të gjatë aleat i ngushtë i Moskës.

Pavarësisht reagimeve të ashpra nga Rusia, Kremlini nuk është i gatshëm të përdorë burime të konsiderueshme për ta mbajtur Malin e Zi jashtë sferës së orbitës amerikane, thotë Maksim Samorukov nga Qendra Carnegie në Moskë. “Mali i Zi është larg kufijve të Rusisë dhe është tashmë  i rrethuar nga vende të NATO-s dhe nëse shohim tablonë e madhe – situata e sigurisë në Rusi do të mbetet kryesisht e pandryshuar pavarësisht faktit, nëse Mali i Zi bashkohet NATO-s ose jo”, tha ai për DW. Sipas Samorukovit udhëheqja ruse aktualisht po i përqëndron burimet e saj në zona më afër shtëpisë, si Azia Qendrore, Krimeja dhe Kaukazi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>