Deklarata/Volker: Rusia është përgjegjëse për “luftën e nxehtë” në Ukrainë

Rusia është përgjegjëse për “luftën e nxehtë” në Ukrainën lindore. Kështu është shprehur dje i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, Kurt Volker, i cili sapo është emëruar në këtë post në përpjekje për të ndihmuar për t’i gjetur një zgjidhje konfliktit që vazhdon që prej 2014. Kurt Volker, i cili u emërua nga Departamenti i Shtetit në fillim të këtij muaji për të negociuar një zgjidhje për konfliktin tre vjeçar që ka lënë të vrarë rreth 10 mijë vetë, vizitoi Ukrainën në prag të bisedës katër palëshe mes udhëheqësit ukrainas dhe homologëve të tij rus, gjerman dhe francez. “E kemi parë çfarë ka ndodhur. E kuptojmë si filloi ky konflikt. E kuptojmë si po menaxhohet, prandaj ka rëndësi që Shtetet e Bashkuara të angazhohen më shumë dhe të përpiqemi të gjejmë një rrugëdalje. Duhet të ndryshojmë perspektivën strategjike që të ndryshojnë vendimet dhe të arrijmë një pikë ku të rikthehet territori ukrainas,” tha i dërguari Kurt Volker. Vizita e zotit Volker pason një javë shumë të përgjakshme në Ukrainën lindore, ku brenda pak ditësh u regjistruan 11 të vrarë. Kjo shifër pasqyron një acarim të konfliktit krahasuar me muajt e fundit. Kongresi amerikan do të votojë këtë javë mbi një projektligj që parashikon sanksione të reja kundër Rusisë, jo vetëm për rolin në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, por edhe për aneksimin në 2014 të gadishullit ukrainas të Krimesë.

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>