Demokratët nuk janë as mjeranë, as vullnetarë, por qëndrestarë – të paguar jo e jo!

demo

Kur Lulzim Basha ja ka njohur përgjegjësitë vetes bërë publike në kontaktet e tij me anëtarësinë qysh në vigjilje të turnit të takimeve për garën për kryetar të PD e ndërsa deri edhe çdo demokrat në bazë ka bërë një hesap të tijin, se përse u humbën zgjedhjet më 25 Qërshor, një “radio” e lënë pas dore në lajthitje të frekuencave opozitare, prej një jave po bën një zhurmë të tmerrshme deri acaronjëse. Zërat e dalë prej aty me timbër kryesisht dëshpërues prej fatkeqësisë së vetvetes nuk po njohin objektiv pa u zbrazur, madje rrahin edhe aty ku askush nuk ua ka për borxh. Duke dalë nga metafora, keqardhja nuk mund të më linte pa veçuar agravimin e deklaratave prej dy ish-figurave qendrore të PD ndër vite, znj.Jozefina Topalli dhe z.Astrit Patozi. Ata secili në veçantinë frymëzuese letrare kanë marrë nga bagazhi i vet epitete të ndryshëm jo vetëm për t’ju turrur kryetarit të partisë që u prishi rehatin parlamentar, por edhe atyre demokratëve të zakonshëm që në të drejtën e tyre guxojnë të shprehin mbështetjen dhe simpatinë për z.Basha.

Mirë shefit ja hodhën me gjyma e kova të gjitha ç’u kish bardhaku pas 26 Qershorit, paçka se për 4 vjet as nuk i thanë plaç me gojë, as nuk e prekën nga lëkura as nga kunati as nga gruaja, as nga vjehrri, se atëherë vërtetë opozitë, por deputetllëku deputetllëk, po demokratëve idealistë, të lirë në të drejtën e tyre për të përkrahur a sulmuar liderin e tyre, pse nuk ua kursyen fyerjet?

Me gojën e znj. Topalli ata u quajtën mjeranë, nga gjuha e Patozit u quajtën vullnetarë e të shitur. Populli demokrat, sikundër populli në përgjithësi është turmë pa ndërgjegje e nuk është hiç e udhës që kushdo, qoftë zonjë të hekurt a fjalatar politik të përpiqet të nxjerrë aty dëshpërimin e vetvetes.

Deri tek sulja ndaj shefit e ish-shefit për ta veshur me përgjegjësitë reale të humbjes, duket brenda legjitimitetit normal, por ndërsimi ndaj atyre që i kanë mbajtur hopa mbi supat e hallet e tyre, neveria e shprehur për ata që i kanë mbajtur për idhuj, leqendisja njëlloj si kthimi i kurrizit që u bënë në 8 vitet e qeverisjes ndaj atyre të pafajshmëve, militantëve, për të vetmin “faj” të tyre, se njëlloj dashurisht do kishin reaguar edhe në mbrojtje tuaj po tua anatemonte kush sidomos nga përtej “gardhit”.

Por mesa të bie në sy thënia profetike e Faik Konicës “Zot ma mshel gojën, kur s’kam gjë për të thënë”, ka rezultuar e tepërt për tu përdorur, pasi nuk arritën ta bëjnë esëll inatin që u buroi prej rehatisë së prishur dhe mendjes së mbushur top, se veç emrit të tyre shumë të madh, s’u kish mbetur më askush tu shkonte mbrapa. Është për të ardhur keq, që me një mori shembuj pafund të politikës shqiptare, ku është i provuar afeksioni që militantët kanë së tepri me siglën e partisë se sa me individët VIP-a, që siç vijnë shkojnë, ish-ët e PD me kapadaillëkun e vet nuk i shkuan këtij sinori dhe të kapur në panik prej braktisjes, filluan edhe humbjen e logjikës duke turfulluar mllef ndaj tyre.

Me pak fjalë gjithë enturazhi rehat-prishur brenda demokratëve, duke dashur të ndreqte vetullat, nxori sytë e tyre, sepse aty ku ata duhet të shihnin “aleatin” mbështetës të kauzës, me gjuhën e përbuzjes që shfaqën po marrin antipatinë e tyre.

Radio e “prishur” sigurisht që do vazhdojë të prodhojë më shumë zhurmë sesa diçka qartësisht të dëgjueshme për t’ju vënë veshi gjatë gjithë përvëlimit të Korrikut, deri sa të vendoset tek reliket që më shumë do u vlejnë antikuarëve dhe koleksionistëve.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>