Deputeti i PD, Bardh Spahia inspekton situatën me përmbytjet në njësitë administrative të Dajçit dhe Rrethinave

“Komuniteti i këtyre zonave mbi 48 orë pa energji, malësitë të izoluar nga dëbora”

Deputeti Bardh Spahia ishte në njësitë administrative të Dajçit dhe Rrethinave ku banorët, kanë mbi 48 orë pa furnizim me energji elektrike. Ata u shprehën se nga OSSHE nuk ka asnjë ndërhyrje për të rregulluar defektet, ndërkohë që këta banorë janë të përpiktë në pagesat e energjisë. Temperaturat po ulen dhe komuniteti i këtyre zonave kërkon ndërhyrje emergjente për zgjidhjen e situatës dhe për mungesën e ngrohjes. Ndërkohë i bëjnë thirrje strukturave të emergjencës të ndërhyjnë dhe në zonën e Dukagjinit  ku qindra banorë të malësive janë të izoluar nga dëbora. Mungesa e energjisë dhe e shërbimeve po vështirëson nga ora në orë, jetën e banorëve atje veçanërisht të të moshuarve, dhe të fëmijëve. “Edhe pse kryeministri e ministrat flasin për tejkalim të emergjencës së reshjeve , në fakt pasojat dhe paraliza e furnizimit me energjisë dhe ujë të pijshëm vazhdon. Ndërkohë një emergjencë e re,  ajo e dëborës,  po thellohet në Veri dhe posaçërisht zonat turistike malore që Rama i trumbeton në daljet e tij publike, këto ditë gjenden në mëshirën e natyrës. Nuk është koha  të flasim për hotele me pesë yje por për shërbimet bazike dhe për sigurinë më kryesore, atë të jetës së njerëzve: – shprehet zoti Spahia. Ndërkaq, deputeti Spahia ka publikuar videon e një banori nga Thethi ku terreni është izoluar nga dëbora. Ai shprehet se qeveria duhet të kthejë sa më parë sytë nga këto zona ku komunikimi me pjesët e tjera është paralizuar. Banori thotë se emergjencat civile duhet të ndërhynë së paku të zhbllokojnë rrugët në mënyrë që të sigurohet transporti I mallrave dhe njerëzve në rast sëmundjeje​.

Luan Baçi:Pasojat e përmbytjeve në fshatrat e Fierit janë të rënda, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për rehabilitim

Deputeti  Luan Baçi ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme të shtetit në fshatrat e Fierit të përmbytura nga reshjet e ditëve të fundit. Në njësinë Frakull veçanërisht në fshatrat Darzezë dhe Ferras, nga përmbytjet janë shkaktuar dëme të mëdha. Me dhjetëra banesa janë dëmtuar nga niveli i konsiderueshëm i ujit, janë përmbytur ferma,  ku si pasojë janë dëmtuar me dhjetëra hektarë të mbjella me produkte bujqësore. Në takim me fermerët dhe banorët e fshatrave ata i kërkuan deputetit Baçi që të rifillojë sa më parë furnizimi me energji elektrike dhe ujë, për të patur kushte bazike të jetesës.  Zoti Baçi theksoi që në këto zona të izoluara  nga uji, pas kalimit  të emergjencës, nisja e riparimit të dëmeve, është një domosdoshmëri primare. Ndër të tjera ai kërkoi që Ministria e Shëndetësisë si masë emergjente, të ngrejë shërbime të lëvizshme mjekësore të domosdoshme për fëmijët dhe të moshuarit.

Bledi Kasmi në Fushë Krujë: Nuk ka mbërritur asnjë ndihmë nga qeveria për të përmbyturit/I dërguari i Partisë Demokratike në Krujë, Bledi Kasmi, vuri në dukje mashtrimin e qeverisë për shpërndarje ndihmash në Fushë-Krujë. Kasmi thekson se deri në orët e mbrëmjes së djeshme në Fushë – Krujë të vetmit që kanë shpërndarë ndihma ishin përfaqësuesit e Kryqit të Kuq, të cilët kanë siguruar 70 racione ushqim në një lagje të Fushë-Krujës. Në një status të tij në face book, z.Kasmi thekson: “I mbyturi të mbyt. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste thotë se ka ngritur grup pune për vlerësimin e dëmeve dhe përmbytjeve në Nikël dhe se sipas tij rezulton e vetmja Njësi pa përmbytje në Fushë-Krujë. Por Kasmi thekson: “Deri tani nuk ka mbërritur asnjë ndihmë për të përmbyturit e vërtetë në Bubq dhe katër lagje të Fushë-Krujës”. Banorët në Bubq, thotë Kasmi, kanë nevoja të menjëhershme për ushqime dhe për të larguar ujin nga shtëpitë. “Situata është mjaft e vështirë sepse me mbytjen e bagëtive nuk kanë asnjë mjet për të siguruar jetesën”, vëren i dërguari i PD në Krujë. Kasmi shton se: “Në këtë situatë vjen përgjigja e qeverisë përmes të dërguarit të Ramës, Balla, që ashtu si shefi i tij krihet në facebook dhe thotë se ka ngritur grup pune atje ku nuk ka pasur fare përmbytje”!

Përmbytjet, ambientalisti Sazan Guri: Jo fatkeqësi natyrore, por qeveritare dhe njerëzore/Përmbytjet e shkaktuara në Vlorë, Fier, Fushë Krujë dhe në autostradën Tiranë-Durrës nuk janë fatkeqësi natyrore, por qeveritare dhe njerëzore. I këtij mendimi është ambientalisti, Sazan Guri i cili shprehet se shkaqet kryesore të kësaj situate janë: Prerja masive e pyjeve, marrja e inerteve nga lumenjtë si dhe ndërtimet pa kriter të bëra në dy dekadat e fundit. “Fatkeqësi natyrore është ai proces natyror që nuk e njeh dhe nuk e di. Kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por tipike qeveritare së pari dhe njerëzore së dyti. Qeveritari i djeshëm dhe ai i sotëm gabimet i ka të shumta, pasi nuk dëgjon edhe pak ata shkencëtar që i kanë mbetur këtij vendi. Ku, është shumë e thjeshtë: Sa harxhon lekë duke kompensuar, mbill pemët në pellgun ku buron apo vazhdon pjesa e sipërme e lumenjve, bëj argjinaturat, bëj shtratin rezervë të lumenjve, hiq pjesën e atyre ndërtimeve urbane që janë krahas bankinave ku është zonë përmbytjesh, pasi janë të ndara gjërat: Do ushqehesh nga toka, por s’mund të jetosh mbi tokë dhe të ndërtosh mbi tokë kudo”. Sipas të dhënave paraprake, përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shirave që shoqëruan vendin për dy ditë me radhë, në të gjithë vendin janë evakuuar 596 familje dhe janë shpëtuar 1,552 qytetarë. 10,217 ha tokë janë nën ujë kryesisht në Fier dhe Vlorë, si dhe 5,781 ha me prani uji. Banesa të përshkuara nga uji dhe të përmbytura janë 3,337 në mbarë vendin. Aktualisht, niveli i ujit që solli Vjosa ka rënë, ndërsa në Vlorë e Fier vijojnë operacionet për tu përballur me situatën e përmbytjeve. Në operacione të evakuimit dhe shpëtimit janë të angazhuara Forcat e Armatosura, Delta  Forcë, Policia e Vlorës, FNSH Shkodër dhe Fier dhe njësia operacionale e Kosovës.

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>