Deputeti Tritan Shehu në Asamblenë e Këshillit të Europës diskuton mbi raportin e ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri

shehu

Shehu: Qeveria shqiptare, e lidhur me drogën dhe krimin – shkatërroi zgjedhjet e 25 qershorit

Deputeti demokrat, Tritan Shehu ishte pjesëmarrës në Asamblenë e Këshillit të Europës, ku u diskutua rreth raportit të zgjedhjeve në vendin tonë. Në fjalën e mbajtur përpara të pranishmëve, Shehu e vuri theksin tek minimi i procesit zgjedhor, ndërsa theksoi se paratë e krimit dhe drogës shkatërruan gjithë procesit e zgjedhjes së 25 Qershorit. “Raporti i vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të KiE ashtu si edhe Raporti Final i OSCE/ODIHR‎ për zgjedhjet parlamentare të 2017, kanë konstatuar përkeqësimin serioz të standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërsa në vitin 2009 zgjedhjet u cilësuan se kishin arritur shumicën dërrmuese të standardeve ndërkombëtare, zgjedhjet e vitit 2017 kanë cenuar rëndë një numër të standardeve bazë. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë konstatuar shit-blerje masive të votës nëpërmjet përdorimit të parave kriminale që vijnë nga trafiqet e drogës dhe korrupsioni galopant. Shpesh, ky fenomen është përdorur për të supresuar pjesëmarrjen në votim të votuesve të opozitës, kundrejt marrjes me anë të pagesës të dokumentit të identitetit të nevojshëm për votim, duke penguar në thelb të drejtën për të votuar‎. Vëzhguesit kanë konstatuar numër të lartë të presionit ndaj zgjedhësve për të marrë pjesë në fushatë dhe për të votuar në favor të partisë në pushtet, Partia Socialiste, nëpërmjet ‎kërcënimit me humbje të vendit të punës në administratën publike. Për herë të parë këto kërcënime janë konstatuar edhe në sektorin privat. Kjo cenon standardin e lirisë për të votuar pa frikë nga reperkusionet. Shitblerja e votës dhe presioni janë kryer në bashkëpunim me një rrjet të gjerë kriminal që kontrollon kultivimin dhe trafikun e kanabisit si dhe të drogave të tjera të forta. Vëzhguesit kanë konstatuar abuzim masiv me ‎burimet dhe asetet publike në favor të partisë në pushtet. Shërbime publike dhe lëshim titujsh pronësie janë përdorur gjerësisht për të ndikuar në votën e zgjedhësve. Kjo cenon parimin e ndarjes së shtetit nga partitë politike. Po ashtu është konstatuar në shumë raste cenimi i sekretit të votës në qendrat e votimit, presion mbi zgjedhësit dhe komisionerët brenda tyre, votim familjar, në grup apo proxy. Për të gjitha këto, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë nxjerrë për herë të parë rekomandime prioritare. Që pas vitit 2013 kur erdhi në pushtet, PS nuk ka lejuar të kryhet reformë zgjedhore. Si rrjedhojë rekomandimet e 2013 dhe 2015 nuk janë trajtuar ende. Kjo përbën shkelje të angazhimeve të Shqipërisë para KiE dhe OSBE. Rekomandimi i parë i ODIHR kërkon kryerjen pa vonesë të reformës. Kjo është e paprecedentë. Qeveria socialiste nuk ka vullnet për të zhvilluar zgjedhje me standarde sepse nuk do të fitonte në kushtet e korrupsionit, kriminalitetit dhe trafiqeve ‎galopante të drogës. Në këto kushte, forcimi i monitorimit nga kjo Asamble e nderuar është themelor për rikthimin e bazave të demokracisë në Shqipëri”, deklaroi Shehu.

Deputeti Pollo takon drejtorin për Zgjerimin në KiE: Trysnia e Brukselit e vlefshme përballë qeverisë së pengesave

Kryetari i Komisionit të Integrimit Europian në Kuvend, Genc Pollo ditën e djeshme priti në një takim drejtorin e përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Christian Danielsson. Pollo e falenderoi Danielsson për ndihmën e deritanishme dhe tha se përmbushja e kushteve të vendosura nga BE si lufta kundër krimit të organizuar me mpleksje politike, veçanërisht të narkotrafikut, lufta kundër korrupsionit, mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe dekriminalizimi janë shërbimi më i mirë për popullin shqiptar. Ai gjithashtu theksoi në takim se trysnia politike nga Brukseli është mënyra më e mirë për të ndihmuar në thënien e të vërtetave kur qeveria paraqitet si një pengesë.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>