“DHE JO VETËM.”

 

Rubrika/Në gjuhën tonë të bukur: shqip

 

 

I.

Ç’është ky titull me pikë në fund?

Pesë fjalitë e mëposhtme janë shkëputur nga shtypi dhe kanë në thelb të njëjtën paqartësi kuptimore.

  1. “Gruaja ka lënë të shokuar drejtuesin Bonolis, por jo vetëm.”.

Në shqip kjo fjali kuptohet kështu: gruaja s’e ka lënë të shokuar drejtuesin vetëm, ajo ka qenë me dikë tjetër.

  1. “Një libër për politikën… dhe jo vetëm” (kronikë për botimin e librit “Vitet me Toni Blerin”).

Titulli i shkrimit mbaron këtu. Mbetet e errët domethënia e pjesës së dytë të fjalisë. Ka dashtë me thanë se këtë libër autori nuk e ka shkruar vetëm?

  1. “Kjo do të thotë se humben neuroreceptorët…, thonë shkencëtarët nga Korea. Dhe jo vetëm, edhe një hulumtim i Universitetit të Michaganit ka vërtetuar se…”.

Jo vetëm neuroreceptorët apo jo vetëm shkencëtarët nga Koreja?

  1. “…rezervat dhe mbështetjen që keni ndarë me mua gjatë “gjyqit shembullor për tradhtinë e lartë për statusin në FB”, dhe jo vetëm!”.

Është fjala jo vetëm “për tradhtinë e lartë për statusin në FB”, apo për mbështetjen ku ata (mbështetësit) s’kanë qenë vetëm?

II.

Togfjalëshi “jo vetëm” në gjuhën shqipe është lidhëz, më saktë, shprehje lidhëzore bashkërenditëse me kuptimin e përshkallëzimit. Mbyllja e fjalisë me lidhëz, duke vënë pikë fill pas saj, nuk është në natyrën e gjuhës shqipe. Si do të tingëllonte nëse i thua të dashurës: u bënë ditë që s’kalojmë natën bashkë, jo vetëm? Domethënë u bënë ditë që s’kalojmë natën bashkë edhe me të tjerë!

Shprehja lidhëzore “dhe (por) jo vetëm” në fund të fjalisë, e cila mbaron aty me pikë, përdoret në anglisht dhe në frengjisht. E natyrshme në ato gjuhë, por e panatyrshme në gjuhën shqipe. Megjithatë po qepet nëpër fjali kohët e fundit. Fillimisht në pjesë të përkthyera varfërisht prej anglishtes, gati si me Google translation. Më pas po ngjitet mekanikisht në tekste të hartuara drejtpërdrejt në shqip. Me gjasë autorët e parë të kësaj qepjeje me pe të bardhë janë autorë që janë shkolluar ose kanë bërë stazhe jashtë. Pas tyre të tjerë, që e marrin si risi, pa ditur pse. Kujtojnë se gjuha është modë, ndryshon bashkë me veshjet e stinës.

Kështu kuptimi i fjalisë zbehet dhe ngatërrohet. Struktura gramatikore e shqipes përçudnohete.

III.

Kur shkruajmë “dhe (por) jo vetëm” gjuha shqipe kërkon pa tjetër një plotësim, duke shtuar një rrethanor, një ndajfolje, përemër, emër a mbiemër. Pra ndryshe prej anglishtes ose frengjishtes, fjalia nuk mund të mbyllet aty me pikë. Konkretisht, në katër fjalitë që u rreshtuan më sipër:

-Për fjalinë e parë shqipja kërkon këtë ndërtim: “Gruaja ka lënë të shokuar drejtuesin Bonolis, por jo vetëm atë”. Ose më saktë: “Gruaja ka lënë të shokuar jo vetëm drejtuesin Bonolis, por edhe…”.

-Fjalia e dytë mund të ishte: “Një libër për politikën dhe jo vetëm për të”. Por më saktë e natyrshëm, po ashtu më thjesht, do të tingëllonte: “Një libër jo vetëm për politikën”.

-Mendimi në fjalinë e tretë mund të formulohej më saktë: “…thonë shkencëtarët nga Koreja. Dhe jo vetëm ata”.

-Në të katërtën: “…rezervat dhe mbështetjen që keni ndarë me mua jo vetëm          gjatë gjyqit….”. Edhe më saktë: “…rezervat dhe mbështetjen që keni ndarë me mua gjatë gjyqit… dhe më përpara (ose dhe herë të tjera)”.

IV.

Rrenimi i strukturës shqipe të fjalisë është ndoshta më i rëndë se rrenimi i fjalëve.

Në vendin tonë gjatë dhjetëvjeçarëve pas Luftës së Dytë u dëmtuan ose u zhdukën Kështjella dhe rrenoja të moçme. Me gurët e tyre u ndërtuan deri stalla lopësh.

Atë e bënë injorantët.

Gurët dhe muret e gjuhës shqipe po i shkatërrojnë njerëz me shkollë.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>