DIALOG ME DASHURINE

naim-berisha

SHQYPNI

Me Gjergj Kastriotin ke kan’ pish’ vigane

Shpatit t’ thepisun ke prit’ ortigje

Tash trungu yt gjith’ gunga e myshqe

Dhe golle t’ errta si nji zemër nane

 

At’her’ zonj’ e madhe, njimend, ti ke kan’

Njashtu si t’ grishnin poetët e vjetër

Me zemër bujare si askush qeter

Tash zvetnue, si robin’ e zan’

 

Naimi të qiti nga pengu, mosthanja

Fishta e Mjeda, tan’ poetët mbar’

Shpirti yt i bukur, nji margaritar

Përkundet n’andrra …

 

Oh! Ç’ zonj’ e rand’ ç’m’ishe dikur

Me djelm si kreshnik’, me çikat si zana

E zjarrt’ si dielli, e hijshme si hana

Dil, moj Rozafë, mos m’u ndryji në mur!

 

Nuk është trill

 

Një flutur llambës rrotull i shkon

Tempullit të vet i rri në skaj

Një trill më thotë: është nëna jonë

Është shpirt’ i saj …!

 

Dhe unë trillin, shpesh, e besoj

Sillet, ndërkaq, flutura n’ hapësirë:

-Jam nëna jote,- më thotë ajo

Lërmë të të puth, s’më njeh im bir…?!

 

Ç’ të më puthësh,- i them,- ti

Borë e bardhë mbështjellë me heshtje

Konvertuar në vesë a shi

Në trajtë dhimbjesh inkandeshente

 

Kujtesa jote, moj e bekuar

Rend e plagosur dritës së errët

Prek me gishtërinjtë e drithëruar

Dheun e zi, baltën e njelmët

 

Ah, fryma jote, frymë perëndie

Fllad i shartuar tani në blir

Duart e tua si duar fëmije

Sytë e tu, diej dritëthyer

 

O shpirt i trembur n’ bujtinë të fundit

Me nyjet e ngatërruara të kujtesës!

Ç’ t’i them babait lëshuar mbi bastunin

Siç lëshon fjalët si për pasnesër

 

Paj, fluturoi nënëflutura ime

Dhe nuk u pa dy herë me sy

Ç’u bëre nënë, ti dashuri-dhimbje

“Si gjethe ne ere endem pa ty”

Kushtuar nënës, ne 35 -vjetorin e

ndarjes nga jeta në moshë të re

 

NJEREZIT NUK VDESIN

 

Ka disa kohë që e kam ditur

se njerëzit nuk vdesin as në dimër, as në verë

Ata kthehen, thjesht, në gjethe drurësh te përshkënditur

në qiej e shpendë, në lule e mermer …

Ka disa kohë që kam besuar

se njerëzit nuk vdesin në asnjë muzg, në asnjë mëngjes

Ata shpallen për t’ mos u fshirë, për t’ mos u harruar

në çdo pigment, në çdo pikturë, në çdo kujtesë

E kam ditur dhe m’ është rrënjosur kësaj here

se njerëzit s’mund të vdesin, kurrë, asnjëherë

Ata krejt të qetë, dimër pas dimri e verë pas vere

hukasin e klithin në erë

Dhe, befas, ata qesin kryet dhe të zbulohen

mes ujërave, gurëve dhe pemëve

Ata çilen e shpërthejnë si gonxhet

në çdo fund vjeshte a fillim pranvere

Dhe mund të ngjiten pa kamaleca ne shtylle a ne lis

majave si zogjtë, pse jo, mbase gjer në qiell

Dhe të zbresin më pas e të ngjiten sërish

duke baritur shkujdesur, gjithkund, në hapësirë

Dhe mund të ndodhë që të zhyten papritmas

pa pajisjet e duhura teknike, poshtë, thellë në det

Dhe prape të shfaqen ne sipërfaqe si shtergjet, rishtas

dhe të përplasen furishëm si dallgët në breg

Sovranët e tokës dhe ajrit, dhe detit

të mençurit e përjetshëm, Njerëzit.

 

DIALOG ME DASHURINE

 

Më thuaj, e dashur, nga s’e shtrimë ecjen

Sinjale drite shkrepëm nëpër natë

Ne ishim përkrah si një trup i vetëm

Errësira na mbante inat

Ajo mund të sillte shiun dhe erën

Rrëbeshin s’kursente, as cikmën e ftohtë

Në dimër, kur të donte, e kthente pranverën

Dhe dasmën në mort.

Njerëzit e saj të merrnin me të mirë

Me vaj e uthull regjur gjithë kujdes

Të ftonin për kafe me plot dëshirë

Të të fusnin në thes

Njerëzit e saj ishin demode

Ngado grinin dogma, shfrynin urrejtje

Pak t’u prishej qejfi, lëshonin rrufe

Nënshkruanin vdekje

Por ne i ruheshim errësirës së ngratë

Ia njihnim krismën, duhmën dhe vrapin

Sa shumë që rrekej të te zinte mat

Të te priste gjuhën, hapin,

 

AROME NENE

 

Nënë! Ti ike si një fëshfërimë, dalëngadalë

Ndoshta që unë të mos kuptoja gjë

Është vonë të të them një mijë herë: më fal

Sepse tani ti nuk je më

Të të them më fal që vesh s’të mora

Kur ti po ikje pa një rënkim

Pa rënë në sy, siç shkrihet bora

A krejt papritur si vetëtimë

Por ti ke lënë shumëçka në mua

S’ më mbyt trishtimi, loti a prekja

Aromën tënde gjithë mollë e ftua

Jo, s’ kish sesi ta merrte vdekja.

 

VAJTIMI I NENES

 

Një nënë pa djalë, një plakë e brishtë

Të kap për mënge, s’ të ndahet fare

Ca lekë të vogla ajo të lypë

Për një copë bukë e tri cigare.

Ti kokën tund, qiellin sodit

Qiellin e vranët që nis të qajë

Si vrima plumbash, ti, thellë në shpirt

Ndien sytë e saj.

-S’ke nga më ik!- me pak shpresë

Me sytë e vakët të thotë ajo.

Ti që i njeh vuajtjet e nënës

I thua: S’kam, të lutem, shko!

Dil prej lëkurës, shpirtzi i kamjes

Mos e lër nënën në vaj, sëmurë

S’të dhimbsen njerëzit e mjerë të skamjes

Dhe ke fytyrë të vetëquhesh “burrë”.

 

TRISHTIMI I KESAJ VJESHTE

 

Sosa në k’të vend të bukur, të qetë

ku syri s’të sheh, veçse mrekullia

Fati m’ erdhi vonë, që t’ jem i sinqertë.

siç iu vjen, rëndom, vajzave të mira.

 

Prindërit nga parajsa e di se më shohin

pavarësisht se unë nuk mund t’i shoh dot

Se vija në Londër, jo, kurrë s’e mendonin

rishtas, nga gëzimi ata derdhin lot.

 

Ah, lot i tyre që lart nga qielli

zbret në formë shiu mbi supet e mia

I mendoj, sakaq, si mirazhe dielli

që shuhen e ndizen veç nga dashuria.

 

S’di pse kësaj vjeshte, unë ndiej aq trishtim

s’di pse zemra ime mbushet me ankth plot

Më mungon im atë, sa gjithë vendi im

mungesa e nënës më pikëllon fort…!

 

PUSULLE E PANISUR

-sonet-

Ati im s’qe kurrë “drapër e çekan”

Në udhën e jetës, një zambak me vesë

Në luftë, ai qe, thjesht, një partizan

Në partinë tënde ai nuk bëri pjesë

Më pas qe rojtar i pyllit të gjelbër

Rritës pilirakësh, si: lis, bredh e pishë

Për skribët e selive kish mëni të egër

Vargmaleve vriste me pushkë ndonjë bishë

Ka ikur mbi një vig i shtrirë si një lis

Por në zemrën time ngrihet siç ka qenë

Një merak në mua zë e çel filiz

Si s’vrau selive bishat me dy këmbë.

Do t’isha i lumtur në gjithë jetën time

T’i ngjaja tim eti vetëm një thërrime.

 

PEMET E ULLIRIT

 

-sonet-

Drurët më paqësorë të rruzullimit

Që na afrojnë me yjet

Me natyrën e bukur të njeriut

Me gjindjen që ka kultin e ullirit

Me qetësinë e tyre apostolike

Ullinjtë thonë aq shumë

Fëshfërijnë këto pemë fantastike

Blertësisht, pa bujë, pa zhurmë

Të gjitha luftërat në shpinë të tokës

Kanë vrarë njerëz dhe sharë perënditë

Ndonjëra prej tyre s’ka nguruar

Të djegë dhe pemët e jetës, ullinjtë.

Për këta drurë të bukur si shpirt

Unë mund të fal dhe jetën një ditë.

 

BUBURRECI QE ME PI GJAKUN

 

Buburrec që më pi gjakun

Ky kurbeti jetëpelim

Të përbjerrë përreth oxhakut

Sytë me lotë të atit tim.

Të përlotë sytë e tim eti

Sytë e nënës së shashtisur

Në vetmi merr frymë qyteti

Krejt i zymtë, i braktisur.

Çfarë t’i shkruaj nënës së gjorë

Çfarë t’i thotë ky shpirti im

Do vij si nj’i meteor

Si një zog në fluturim.

S’e gënjej nënën e shtrenjtë

S’i them dot se do të vij

S’m’i dhanë letrat për qamet

Po i them: nuk kam mundësi.

Dhoma ku unë rri dhe fle

Hesht si morg i frymës sime

Më djeg malli për atdhe

Për babanë dhe nënën time.

Për një vashë të re, të hijshme

Që e njoha në një rrugëtim

Ah, largësi, moj e përbindshme

Si më ndave me shpirtin tim.

I pafat kam qenë në jetë

S’paku, them, gjer më tani

M’u nxi jeta në kurbet

Pa parë diell e hënë me sy.

Po ju them prindërve të mi

Të bëjnë durim gjer mot në gusht

Pas një viti, gjithsesi

Do të kthehem me çdo kusht.

 

UNE SHKRUAJ MUZIKE

 

Për bukurinë vetmitare të lëndimeve

Për forcën përrallore të lirisë së amëshuar

Për buçetat me lule erëmira të kujtimeve

Për frushullimën e flladit të praruar

Për zërin e zogjve të bukur cicërimtarë

Për fëshfëritjet e pyjeve të blertë

Për fjalën e artë të pleqve mentarë

Për buzëqeshjen dhe gazin e sinqertë

Për besën e dhënë dhe mbajtjen e saj

Për mjegullën e bardhë dhe shiun e verës

Për ndihmën njerëzore në dhimbje e vaj

Për gonxhet që dridhen në vrunduj të erës

Për grurin që piqet në arat tona

Për lulet e bjeshkës ku të kënaq era

Për barin rreth gurrës ku të deh aroma

Për brigjet e lumit ku qesh pranvera

Gjithkund nëpër botë ku endem pa frikë

Për shpirtrat e trazuar, unë shkruaj muzikë.

 

KUR NDERROI DEVRI

 

-sonet-

Qe ndërruar devri kur ndeza një qiri

Sa unë në këmbë

Babai, që priste rrëketë sa herë që binte shi

Përleshej me sëmundjen dhëmbë për dhëmbë

Mbaj mënd, mezi më tha me veshët curr:

-Gjer sot ke qenë fëmijë, tash bëhu burrë

Se ujqërit dhe skilet s’heqin dorë prej vesit, im bir

Duhen mundur edhe me pahir!

Ndërkaq, pastë ndjesë

I ngrinë dy dritat e syve

U ndjeva aq keq

Sa më mirë t’ më kish rënë çatia mbi krye

Tash jam vetë baba dhe kam bredhë botën mbarë

Sall veç babë e nënë s’kam gjetë në pazar.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>