Dimri shkarkon Qeverinë Rama

gripi-rama

Shteti mungon edhe tek akset kryesore rrugore, edhe tek fshatrat ku shfaqet një emergjencë në furnizimin me ushqime, edhe tek emergjencat e tmerrshme shëndetësore. Mbyllja e shkollave dhe pamundësia për të qeverisur jetën tregtare, kulturore e sportive të vendit, tregues se një dimër i vërtetë ia nxjerr lakrat një qeverisjeje propagandë, që vjedhjen e buxhetit e fsheh me kronika të stisura për ministra që e duan kohën e ftohtë dhe dëborën

 

Në një kohë kur pothuajse pjesa më e madhe e vendit po zhvillon një betejë të ethshme me dëborën, që ka paralizuar qarkullimin dhe jetën në zonat e veriut dhe veri-lindjes, qeveria në Tiranë si kurdoherë e vendosur nën presionin e situatave të tilla, që nuk di si t’i japë zgjidhje, vazhdon të mbajë sehir dhe nga sallat e ngrohta të kryeministrisë vijon të dhurojë shfaqje, ku ngre krye parulla “Po punojmë! Jemi në krye të detyrës”. Por kur paaftësia e qeverisë është bërë fakt i kryer dhe kur mos prezenca e saj në terren, aty ku njerëzit realisht kanë nevojë për ndihmë me ushqime, ujë të pijshëm dhe medikamente vërtetohet nga raportimet e përditshme të qytetarëve, nuk na mbetet gjë tjetër për të thënë veçse parulla se “Qeveria Rama është ftohur dhe ka ngrirë”. Ndërsa qeveria vazhdon ta konfirmojë për të katërtën ditë radhazi linjën e braktisjes dhe mashtrimit me premtime boshe, që ka ndërmarrë ndaj qytetarëve të bllokuar në dëborën, e cila arrin trashësi 1 metër, nuk ndodh e njëjta gjë me xhepat dhe llogaritë bankare të deputetëve të saj, që kanë përfituar të gjitha fondet e dedikuara për mirëmbajtjen e rrugëve në rast emergjencash nëpërmjet kompanive, të cilat i kanë regjistruar në emër të familjarëve të tyre. Pra shqiptarët e thjeshtë, të varfër, të papunë, të braktisur dhe në ditët më të vështira, kur moti premton veç përkeqësim duhet të kuptojnë se qeveria e tyre në Tiranë ngrin e kujtohet se nuk ka para vetëm kur populli ka halle e vështirësi, por jo kur bëhet fjalë për të furnizuar me miliona xhepat e miqve, klientëve dhe deputetëve. Në një kohë që të gjitha faktet i dalin kundër dhe e vërtetojnë dështimin e qeverisë për të përballuar situatën tepër të rëndë me të cilën po përballen dhjetëra zona të vendit, ku janë të bllokuara për shkak të mos pastrimit të rrugëve, mungesës së energjisë elektrike, ushqimeve dhe ujit të pijshëm, Edi Rama nuk denjon të marrë përsipër përgjegjësitë dhe të urdhërojë njerëzit të cilët i paguan me miliona për të dalë në terren dhe për të dhënë ndihmën që iu nevojitet aktualisht qytetarëve. Rama është i qetë sepse zyra e tij e ngrohtë ja afron këtë komoditet, por edhe sepse propaganda e tij punon për ta shitur situatën si normale dhe për të prodhuar pamje ku rrugët gjoja na janë zhbllokuar, por e vërteta është se ka akse kombëtare si Pukë-Shkodër e të tjerë, ku asnjë borëpastruese nuk është shfaqur tashmë prej disa ditësh. Propaganda e Edvinit, të cilës ai i njeh atributet për përgënjeshtrimin e të vërtetave të mëdha nuk ka arritur të mbulojë skandalin më të fundit, që tregon se pjesa më e madhe e tenderave të dedikuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve në rastet e motit të keq shkojnë në llogari të deputetëve të mazhorancës, të cilët pavarësisht se marrin të gjitha pagesat nga qeveria nuk kryejnë shërbimet për të cilat paguhen dhe prodhojnë këtë situatë kaotike, duke çuar në bllokimin e qarkullimit dhe paralizimin e jetës në dhjetëra zona të vendit. Edi Rama vazhdon të ecë nën ndikimin e bindjes “me klientët dhe për klientelën”, ndaj ka frikë të dalë në terren e të shikojë gjendjen ku ka percepituar shteti hajdut, që nisi të ndërtojë në 2013-ën. Ai ka frikë të dalë e të përballet me qytetarët , të cilët prej disa ditësh me radhë vuajnë pasojat e dështimit të kryeministrit dhe tenderat abuzivë prej të cilëve vidhen miliona, ndërkohë që prishen kontratat me kompanitë korrekte, të cilat në rastin më të keq kanë kryer punën dhe shërbimin ndaj qytetarëve, por janë lënë pa paguar, sepse Edvini synon vetëm të mbushë xhepat e Sadriut dhe të tjerëve në llojin e tij. Megjithatë përveç skandalit të tenderave abuziv, që kanë çuar në bllokimin e zonave të veriut të vendit, skandaleve të qeverisë Rama me mënyrën sesi po e përballon situatën e rëndë i shtohet dhe katrahura e prodhuar në sistemin arsimor me vendimin për ta shtyrë zhvillimin e mësimit edhe për një javë tjetër, me pretendimin prej mashtruesi se hapja e shkollave për nxënësit do të çonte në përhapje të epidemisë së gripit. Trinomi Rama-Nikolla-Beqja sërish i mashtruan shqiptarët, pasi e vërteta është manipuluar në zyrat e tyre të propagandës dhe është shumë më ndryshe nga ajo alarmantja, që ata tentojnë të paraqesin duke shkaktuar panik në radhët e opinionit publik. Qeveria e hajdutëve, e veshur nën petkun e korrupsionit masiv nuk ka nguruar që në vitin e fundit të zotërimit të pushtetit të vjedhë edhe fondet e ngrohjes në shkolla dhe tashmë që temperaturat kanë zbritur nën zero nuk ka fonde për të blerë lëndë djegëse për ngrohjen e shkollave në të gjithë vendin. Kjo është arsyeja se përse zyra e propagandës nisi gjatë kësaj jave të bombardonte ekranet me lajmin e famshëm të epidemisë së gripit, duke përhapur panikun e nevojshëm që do të mbulonte skandalin e vjedhjes së fondeve të dedikuara për ngrohjen e shkollave. Kështu pra qeveria Rama, më e korruptuara në 26 vite demokraci në një situatë të tillë ku duhej medoemos të gjendej pranë qytetarëve me ndihma dhe forma mbështetjeje nga më të ndryshmet tregoi në fakt fytyrën e vërtetë që i shkon për shtat kriminelëve dhe hajdutëve, që nuk nguron aspak të degdisë popullin e vetë në kushte mjerimi, e ta braktisë atëherë kur ka më shumë nevojë për të.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>