Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë, Meta: Angazhimi profesional i vajzave dhe grave, thelbësore për zhvillimin e shoqërisë

Në ditën ndërkombëtare të grave dhe vajzave në shkencë presidenti i Republikës, Ilir Meta apeloi për përfshirje më të madhe të tyre në kërkimin shkencor dhe garantimin e barazisë gjinore. Kreu i Shtetit e cilësoi thelbësore këtë për realizimin e objektivave vitale për zhvillimin e qëndrueshëm të një shoqërie

 

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një veprimtari të posaçme në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë në Bibliotekën “Musine Kokalari” të Njësisë Vendore Nr. 7, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi i UNWomen në Shqipëri Giuseppe Belsito, pedagoge, shkencëtare, nxënëse të shkëlqyera të shkollave të mesme, studente si dhe gra që kanë dhënë kontributin e tyre ndër vite në shkencë. Gjithashtu në këtë takim ishin të pranishëm dhe përfaqësuese të Rrjetit Shqiptarë të Grave në Shkencë dhe të Akademisë së të Rinjve në Shkencës . Me këtë rast Presidenti Meta i dhuroi Bibliotekës duke pasuruar fondin e saj tri libra të autorëve shqiptarë Kristo Frashëri, Virgjil Muçi dhe Marin Barleti për Heroin tonë Kombëtar, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, si dhe zhvilloi një bashkëbisedim të zgjeruar me të pranishmet lidhur me arritjet, problematikat dhe sfidat dhe sukseset e grave dhe vajzave shqiptare në shkenca të ndryshme. “Dëshiroj të shpreh kënaqësi për praninë në këtë mjedis kaq të këndshëm, shumë interesant në këtë bibliotekë, që mban emrin e një personaliteti të shquar të të gjithë përpjekjeve për emancipimin e shoqërisë sonë dhe disidentes së parë, Musine Kokalari dhe me këtë rast t’ju bëj të ditur që kam sjellë dhe tre vepra, meqenëse jemi në Vitin e Skënderbeut për këtë bibliotekë, Gjergj Kastriot Skënderbeu “Kryqtari i Fundit” është një vepër e gazetarit të njohur Virgjil Kule; “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit dhe një vepër tjetër e Kristo Frashërit, për jetën dhe veprën e Skënderbeut. Është kënaqësia ime që si President t’ia dhuroj këto tre vepra kësaj biblioteke mjaft interesante dhe me një emër tepër frymëzues për të gjitha vajzat dhe gratë e Shqipërisë. Njëkohësisht, dua të shpreh kënaqësinë që jemi sot këtu në këtë auditor të veçantë dhe me kaq shumë personalitete të shkencës, por edhe me kaq shumë vajza të reja gjimnaziste, që i kanë sytë dhe ëndrrat e tyre të drejtuara drejt shkencës”, tha Meta. Më tej, Presidenti i Republikës deklaroi se kjo është një ditë e veçantë sepse vetë shkenca është një sfidë jashtëzakonisht e vështirë dhe që nuk u takon atyre që i marrin gjërat lehtë, por u takon atyre të cilët zgjedhin të punojnë, të studiojnë, të sakrifikohen, t’i dedikohen shkencës dhe të fitojnë mundësinë për të qenë dijetare apo shkencëtare. “Unë dëshiroj të shpreh dhe një herë tjetër rëndësinë e madhe që ka përfshirja e të gjithëve më me pasion drejt shkencës, teknologjisë, inovacionit sidomos vajzave dhe grave, për arsye sepse ju përfaqësoni gjysmën e shoqërisë dhe pa dyshim që dhe pesha që duhet të mbani për të gjithë zhvillimin e shoqërisë, të zhvillimit të ekonomisë kombëtare, të përmirësimit të ekonomisë familjare duhet të jetë sa më e barabartë. Vetëm në këtë mënyrë edhe ju do të jepni kontributin tuaj, dhe nuk flas thjesht për ju që jeni këtu, flas për të gjithë ato që ju përfaqësoni dhe që duhet të angazhohen më shumë në këto fusha për të realizuar disa nga objektivat më të rëndësishme edhe të Kombeve të Bashkuara, por edhe të vetë vendit tonë, në ato që quhen si objektivat e mijëvjeçarit që kanë të bëjnë me reduktimin e pabarazisë, që kanë të bëjnë me një edukim më cilësor dhe sigurisht dhe me një barazi të plotë gjinore. Në këtë drejtim mendoj që gratë dhe vajzat nuk duhet ta konsiderojnë dhe nuk duhet ta pranojnë që të jenë faktor plotësues apo sekondarë si në shoqëri, ashtu edhe në familje. Ndaj, një angazhim edhe më i plotë, edhe më i vendosur, dhe më frymëzues në të gjithë fushat profesionale sidomos ato të shkencave, pa dyshim që do të rrisë ndjeshëm dhe në mënyrë të merituar protagonizmin e tyre në shoqëri, në zhvillimin e ekonomisë kombëtare, në zhvillimin e ekonomisë familjare dhe gjithë të drejtat ekonomike, sociale që ato do të gëzojnë”. Në vazhdim të deklaratës së tij, Meta tha se përfshirja e vajzave dhe grave në shkencë do t’i japë një hop tjetër më cilësor gjithë perspektivës së tyre. “Në këtë drejtim unë shpresoj në këtë apel, në këtë angazhim dhe sidomos në sjelljen në qendër të vëmendjes të modeleve më pozitive që kemi ne të grave, të personaliteteve, të vajzave në këto fusha, të promovimit të tyre në të gjithë shoqërinë që të jenë një model për vajzat më të reja dhe për të gjithë fëmijët tanë.  Në një këndvështrim më ekonomik, kjo përfshirje e grave dhe vajzave në shkencat e sakta inxhinierike, të teknologjisë, të inovacionit, do të sillte jo vetëm një përmirësim të gjithë ekonomisë në nivel kombëtar, por edhe stabilitet ekonomik më shumë për kompanitë që i punësojnë, dhe një përfitim dhe më të madh ekonomik për vet gratë duke sjellë të ardhura më të larta për shkak të këtyre profesioneve, edhe për familjet e tyre, pasi në këto profesione diferenca në pagesë midis gjinive të ndryshme është pothuajse inekzistente. Që të kemi një zhvillim të plotë dhe cilësor të shkencave të teknologjisë dhe ekonomisë, është vitale investimi arsimor dhe profesional i grave dhe i vajzave njëkohësisht dhe mundësi për të garantuar dhe barazinë e tyre më të plotë, sociale në të ardhmen. Ndaj, duhet të kemi prezencë akoma më të madhe të mësueseve dhe pedagogeve femra, duke i mbështetur ato më shumë veçanërisht në fushat dhe lëndët e konsideruara gjoja si ‘mashkullore’ në mënyrë që modeli i tyre t’u shërbejë vajzave tona për të zgjedhur këto fusha në të ardhmen. Roli i mediave pa dyshim që është i rëndësishëm për të promovuar këto fusha dhe rëndësinë e edukimit dhe thellimit në to. Në të gjitha këto drejtime, unë besoj në këtë takim të parë, por që s’është i fundit me ju duke qenë i vëmendshëm lidhur edhe me idetë dhe mendimet që ju do të jepni. Jam për të forcuar këtë dialog edhe t’i mbështesim sa më shumë gratë dhe vajzat në fushën e një edukimi më cilësor, sepse jam i sigurt që në këtë mënyrë e fuqizojmë gruan dhe vajzën realisht dhe i japim atë pozitë plotësisht të barabartë dhe që meriton në shoqëri edhe në familje”.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>