Ditët e mëdha të historisë së Geghysenit

Geghysen

 

Të nderuar familjarë dhe të afërm të martirëve të Geghysenit! Të respektuar nxënës dhe mësues, ish nxënës dhe ish mësues të shkollës 70 vjeçare “Sherif Nuha”! Vëllezër e motra!

Secili prej nesh ndjehet sot krenar dhe i emocionuar, kur ndodhet në mes të geghysenasve, që banojnë në këto troje të bukura e historike dhe mysafirëve të ardhur nga qytetet e ndryshme të vendit. Në gjeografinë tonë, Geghyseni zë një vend interesant, që fillon nga brigjet e Valbonës e deri në shpatet jugore të Majes së Hekurave.

Lagjet e mrekullueshme rrethohen nga plantacionet e gështenjave, pyjet e lisit e të ahut, burimet e kristalta, kullat e lashta të gurit dhe muret e kalave të Lekës. Por vlerat historike, trimëria, fisnikëria dhe atdhedashuria si dhe etja për dije e arsim e brezave të këtij fshati është shkruar prej kohësh në librat e historisë dhe njihet në gjithë kombin. Në të gjitha momentet e mëdha të historisë, djemtë e Geghysenit kanë qenë lulja e djelmenisë së Krasniqes, te malsise e më gjerë. Në asnjë vend tjetër nuk ka aq shumë këngë për heronjtë se sa këtu. Kënga ishte gazetaria kryesore në betejën e Moraçës, ku djemtë e Geghysent u përleshën për jetë a vdekje për flamurin, në vitin 1878, në betejën e Gjakovës, apo historia priti djemt e Geghysenit, Col Delinë, që vrau ministrin e jashtëm turk, ndërsa në Prizren Tahir Mala mbeti gu për gu me Pashën…

Viti 1915 ka qenë i rëndë për Malësinë e Gjakovës, pasi armatat serbo-malazeze, që patën arritë deri në Durrës, mbuluan me zjarr, gjak e varre, Tropojën. Edhe këtë herë Geghyseni qëndroi trimërisht. Fillimisht ishin Sokol Miftar Mulgeci dhe motër e vëlla, Ukshin Avdyli dhe Cuca, që luftuan dhe u përgjakën me pushtuesit, pastaj me 24 gusht 1915, malazezët dëshpërimin e thyerjen e shpartallimit të tyre, e shpaguan me një masakër çnjerëzore. Kapën në pabesi njerëzit në një varrim e të paarmatosur, plot 16 burra, i lidhën dhe i nisën drejt Grisë.

Te shkalla e Grisë ata ekzekutuan 12 vetë, katër prej tyre u rezistuan plumbave dhe rrëzimit në shkëmbej, jetuan për t`u treguar brezave pabesinë dhe egërsinë e serbo-malazezë mbi shqiptarët. Kënga e asaj dite ishte tronditëse. Ajo përfundonte me mesazhin historik: Bini djem e bini çika/Karadaku me petica/ Geghyseni me sakica.

Të nderuar familjarë dhe pasardhës të dëshmorëve të Geghysenit!

Sot e në jetë të jetës historia do t`i thërrasë emrat e këtyre heronjeve, ne do t`i kujtojmë, nderojmë e këndojmë nga brezi në brez martirët: Ahmet Zenel Musaj, Adem Sadik Ismailgeci, Arif Syl Ismailgeci, Bajram Qerim Ismailgeci, Ismail Isuf Musaj, Isuf Zog Osmanaj, Met Fazli Sylhajdaraj, Qerim Shiqer Rexhaj, Mehmet Hysen Kalbaj, Bajram Hysen Rexhaj, Musli Binak Osmanaj, Zenun Bajram Vokshi nga Gjakova, Sokol Miftar Mulgeci, Ukshin Avdyl Qerimaj, Cuce Avdylja, Zeqir Binak Rexhaj, Zymer Fasli Sylhajdaraj, Zymer Zeqir Ismailgeci, Zmajl Zenun Pepnika. Nder per jete per ta dhe per familjet e tyre!

Si popull fisnik, i urtë dhe atdhetar, Geghyseni ka kultivuar prej dekadash te bijtë e bijat e tij nevojën dhe dashurinë për arsimin, kulturën e zhvillimin.

Nga shkolla, e krijuar 70 vjet më parë në shtëpite e Qerim Kadrisë , Shpend Malushit, Shpend Qerim Prengzit, Ram Zog Mulgecit, e më vonë në Qukë të Lekurtaj dhe tani në Breg te Geghysenit, me mësuesin e parë të paharruar Zenun Ram Margjekën, do të ishte shtëpia e mrekullueshme e arsimit e dijes për qindra e mijëra djem e vajza të Geghysenit. Është momenti të përshëndesim atë plejadë mësuesish, që punuan me përkushtim në këto 7 dekada, përshëndes nxënësit dhe stafin pedagogjik të sotëm, natyrisht pa harruar mesuesin e palodhur Gëzim Prengzin, që bëri aq shumë për organizimin e kësaj akademie përkujtimore për historinë dhe arsimin e vendlindjes së tij. Kur flasim për Geghysenin si vend të arsimit e kulturës, nuk mund të mos lëmë pa kujtuar e përshëndetur ata dhjetëra intelektualë të fushave të ndryshme, të njohur edhe në rang kombëtar. Falënderojmë artistët, poetët dhe gazetarët e Geghysenit, që duke vazhduar shembullin e stërgjyshit tyre artistit të popullit Abdurrahim Buza, kanë lënë gjurmë në kulturën kombëtare, natyrisht pa harruar asnjëherë vendin e tyre kreshnik, Geghysenin. Kur flasim për historinë e lavdishme te Geghysenit, une dhe familja ime ndjejmë një emocion të veçantë, si për vëllain, kojshinë e parë, me njerëzit, që na bashkonte bjeshka e vërrini, në një bashkëjetesë vëllazërore mbi 400 vjeçare. Por kur kujtoj se baba im dhe mixha kanë mësuar në shkollën e Geghysenit, ndjej gëzim, mall e krenari. Motra dhe vëllezër te Gegysenit! Secili prej nesh duke ju parë kështu të grumbulluar në vendlindjen tuaj nga të gjitha anët në përkujtim të historisë dhe vlerave të mëdha të paraardhësve tuaj, frymëzohet dhe ju falënderon për atë mall e dashuri që ndjeni për vendlindjen tuaj. Unë bashkë me ju, te gjithe se bashku, kemi detyrime të mëdha për këtë vend e këtë popull, për permiresimin e infrastrukturës, për luftën kundër varfërisë, për ta bërë jetën më të mirë në këto vende me resurse e bukuri të rralla. Në këtë akademi, që natyrisht do të shënojë një shembull për gjithë bashkinë tonë, nderojmë martirët e Geghysenit, nderojmë dëshmorët e të gjitha kohërave. Nga zemra përshëndes pasardhësit dhe të afërmit e tyre, përshendes mësuesit dhe ish/ mesuesit, nxënësit dhe ish/nxenesit e shkolles se Gegysenit, dhe ju siguroj se do të punoj papushim, me shpirt e zemër bashkë me gjithë stafin tim për të sjellë ditë më të mira për këtë vend e këtë popull fisnik. Ju faleminderit!

Fjala e kryebashkiakut të Tropojës në aktivitetin përkujtues të dy ngjarjeve të rëndësishme, atë të “100 Vjetorit të Qëndresës Anti Serbo-Malazeze të Geghysenit” dhe “ 70 Vjetorit të Shkollës së Parë të Geghysenit

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>