1967/Pretenca enveriste kundër Havzi Nelës

E Enjte, 07 June 2018 18:18
Pjesë nga pretenca e prokurorit Pjesë nga pretenca e prokurorit

 

Nga Kastriot Dervishi

Pretenca e prokurorit si një fjalim i pastër politik që evokon më së miri vijën politikë të partisë dhe gjendjen ndërkombëtare, ka fare pak elementë mbi akuzat që i bëhen Havzi Nelës. Ndoshta është model i veçantë të merret si etalon sesi ishte e ashtuquajtura “drejtësi komuniste” e cila nuk përçonte asgjë rreth të drejtës por vetëm politikë bolshevike.

Pretenca e prokurorit

Shokë gjyqtarë! Ju kemi sjellë për të gjykuar të pandehurin Havzi Nela dhe Jalldëze Nelën, të akuzuar për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, të kryer në formën e arratisjes në Jugosllavi, krim i parashikuar në nenet 64 në kombinim me nenet 12 të Kodit Penal.

Krimi i tradhtisë bën pjesë në krimet që drejtohen kundër shtetit tonë socialist, shtet i cili lindi që gjatë luftës nacionalçlirimtare. 29 nëntori ka hyrë në fondin e artë të historisë së atdheut tonë – ka thënë shoku Enver Hoxha si ngjarje me rëndësi politike të pakrahasueshme, e cila i dha popullit tonë lirinë dhe pushtetin popullor, RPSH si një shtet i diktaturës së proletariatit dhe hapi rrugën drejt socializmit e komunizmit. Ky qe kurorëzimi i gjithë përpjekjeve dhe luftërave mbi njerëzore të pareshtura të popullit shqiptar që nisi nga thellësitë e shekujve, lufta e përpjekje me armë dhe me penë, me gjak, djersë e sakrifica të panumërta kundër armiqve të ndryshëm që donin të zhduknin nga faqja e dheut, luftëra për ekzistencë, për liri, për bukë, dritë e begati. Po më 29 nëntor 1944 bota mbarë, mësoi se rilindi shteti sovran shqiptar, por lindi mbi një bazë të re, si shtet i tipit të ri i pavarur, ekonomikisht, politikisht e ushtarakisht nga imperializmi dhe i paprekshëm nga synimet e tij grabitqare e shtypëse i cili u bë pjesëtar i denjë i kampit të demokracisë e socializmit. Kundër këtij shteti të ri u mobilizua e gjithë armata e armiqve të brendshëm, klasat e përmbysura të mbështetura fuqimisht nga imperialistët amerikanë, anglezë, revizionistët jugosllavë dhe monarko fashistët grekë dhe italianë, të cilët kërkonin ta mbytnin këtë foshnje që në djep, por populli ynë i udhëhequr nga shoku Enver Hoxha  dha grushte të rënda të gjithë tradhtarëve që guxuan të preknin sadopak vendin tonë. Sot RPSH po forcohet ekonomikisht dhe ushtarakisht nga dita në ditë .... Vendimet e Kongresit të V të PPSH dhe fjalimi i shoku Enver i 6 shkurtit të këtij viti mbi revolucionarizimin e mëtejshëm të partisë dhe pushtetit kanë patur një jehonë të madhe dhe kanë gjetur aprovimin e njëzëshëm të masave të gjera të qytetit dhe fshati kudo në vendin tonë. Gjithë populli ynë, burra e gra, punëtorë e fshatarë, të rinj dhe pleq, civilë e ushtarakë janë ngritur në këmbë, janë përfshirë nga një atmosferë pune e entuziazmi të paparë. Kudo ka shpërthyer një veprimtari e gjithanshme krijuese për të plotësuar e tejkaluar detyrat e planit të 4 pesëvjeçar, për të vënë në jetë vendimet e Kongresit të V të Partisë e porositë e shokut Enver Hoxha.

Një entuziazëm i madh dhe frymë e lartë patriotike ka përfshirë fshatarësinë tonë brenda një kohe rekord. Në më pak se tre muaj përfundoi me sukses kolektivizimi i bujqësisë edhe në zonat malore, duke marrë fund kolektivizimi i bujqësisë në të gjithë vendin. Fshatarësia punonjëse ka marrë iniciativa të shumta si ajo për hapjen e tokave të reja, për zvogëlimin e oborreve kooperativiste në masën 50-60% për zvogëlimin e bagëtive personale në rreth 50%, të gjitha këto për forcimin e pronës së përbashkët. Në radhët e klasës punëtore kanë marrë hov lëvizjet dhe iniciativat e shumta për të çuar përpara prodhimin dhe për të ngritur me forcat e veta fabrika dhe reparte të reja. Në radhët e inteligjencës sonë kanë shpërthyer shumë iniciativa revolucionare. Një rëndësi të veçantë kanë sidomos pjesëmarrja e kuadrove drejtpërdrejt në punën prodhuese, për revolucionarizimin e shkollës, jetës kulturave në fshat për të dhënë artin në shërbim të popullit. Të gjitha këto kanë të bëjnë me forcimin e mëtejshëm të lidhjes së tyre me masën... Ka patur edhe elementë antisocialistë dhe antishqiptarë që kanë qenë të predispozuar me kohë në rrugën e tradhtisë si dhe nga ata që nuk e kanë kuptuar drejt politikën e partisë që ka shpërthyer në masat tona punonjëse, të vihen në opozicion me vijën e partisë siç është i pandehuri Havzi Nela.

Ky intelektual me koncepte të huaja është shprehur se: “Masat revolucionare të marra nga partia kohët e fundit kanë qenë gjoja të shpejtuara siç është kolektivizimi i bujqësisë, lufta kundër fesë, ndërrimi i veshjes, aksionet e rinisë” të cilat sipas tij e kanë tronditur psikologjinë e fshatarit të malësisë dhe këto kanë influencuar negativisht në ndërgjegjen dhe psikologjinë e tij...

Janë pikërisht këto masa të marra nga parti dhe të përkrahura nga e gjithë masa e popullit që i tmerrojnë revizionistët dhe imperialistë, që i tmerrojnë armiqtë tanë të brendshëm ... Armiqtë po tmerrohen se po u prishen bazat e tyre. Nëpërmjet këtyre formave mundoheshin të shkëpusnin njerëzit tanë nga rruga që thotë partia dhe shoku Enver, nga rruga për fitoren e socializmit dhe komunizmit.

I pandehuri Havzi këtë veprim nuk e ka bërë pse ishte i paqartë politikisht, sepse këtë çështje nuk mund ta kuptonte drejt. Problemet janë ngritur aq thjesht sa edhe pleqtë tanë i kanë kuptuar dhe përkrahur si shembulli i kuvendit të 75 pleqve në Kukës., të cilët jo vetëm përqafuan kolektivizimin e bujqësisë në zonat malore, por i premtuan shokut Enver Hoxha se nuk do t’i lejojnë t’i fejojnë në moshë të vogël që të drejtat e grave të mos merren nëpër këmbë. Por të pandehurit nuk i pëlqen pushteti popullor, pushteti i punëtorit dhe fshatarit. Ai, si njeri me arsim të lartë, këto probleme i kupton mjaft mirë, por siç thotë shoku Enver Hoxha ën Kongresin e V të PPSH duhet patur parasysh gjithnjë se bartës dhe përhapës të ideologjisë borgjeze nuk janë vetëm njerëzit e ish klasave shfrytëzuese, por edhe njerëzit tanë që punojnë për çështjen e socializmit...

Të pandehurit Havzi dhe Jalldëze Nela duke u arratisur për në Jugosllavi lanë vëllezërit dhe motrat e tyre, lanë popullin shqiptar që po lufton nën rrethimin imperialisto-revizionist për t’u bërë fener ndriçues i mëtejshëm i popujve që luftojnë për paqe, liri dhe socializëm, dhe kaluan në Jugosllavinë titiste, në agjenturën e imperializmit dhe revizionizmit që lufton kundër lirisë dhe pavarësisë së popujve të shtypur, që lufton për të hedhur më tej vendet socialiste në prehrin e imperializmit...

Sa dritë shkurtër është treguar i pandehuri Havzi Nela kur mendon se është shpejt që rinia të hidhet në aksion. Ai duhet të dijë se rinia jonë nuk është hera e parë që ndërmerr aksione me karakter kombëtar e lokal. Historia e këtyre viteve të pasçlirimit është e mbushur me shembuj të tillë, nuk ka vepër e cila të mos ketë vulën e rinisë. Sot rinia jonë e edukuar nga partia, ju ka qepur maleve dhe kodrave për t’i bërë këto pjellore si fushat. Mijëra të rinj e të reja, kanë shfaqur dëshirën për të shkuar të punojnë në aksionet e rinisë, ne hekurudhën Fier – Rrogozhinë, në rrugën e Malësisë së Madhe, në hapjen e tokave të reja e të tjera. Rinia jonë ka marrë në dorë flamurin e luftës kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare, për të shpejtuar dhe çuar më tej revolucionin ideologjik e kulturor. Sepse rinia jonë ka thënë shoku Enver, është ajo që do të marrë në dorë e do ta çojë më tej stafetën e revolucionit tonë....

Jo më pak rrezikshmëri paraqet edhe e pandehura Jalldez Nela. Ajo ndoqi të shoqin në veprimtari kriminale në vend që ta denonconte atë. Gruas tek ne i janë dhënë të gjitha mundësitë për ta thënë fjalën e saj për çdo problem që e preokupon atë në shoqëri....Sa larg qëndron ajo nga shoqet e saja që punojnë në fronte të zakonshme për begatinë e atdheut. Shoqet e saj nga të gjitha malësitë që nga jugu në veri, po punojnë sot në aksionet e rinisë. Gratë gjithnjë i kanë dalë zot atdheut. Përkrahja që i dha Mrika Loka, Ndrec Lokës në luftë për zhdukjen e bandave diversante, ku dha jetën duke e ngritur lart figurën e gruas shqiptare.

Duke marrë për bazë rrezikshmërinë shoqërore të veprës të autorit, zhvillimi kultural i të pandehurit si dhe urrejtja e popullit ndaj këtyre të pandehurve kërkojmë që të dy të pandehurit e sipërm, të deklarohen fajtorë dhe të dënohen:

1-I Pandehuri Havzi Nela në bazë të nenit 64-12 të Kodit Penal, të dënohet me 20 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë.

2-E pandehura Jalldëze Nela në bazë të nenit 64-12 të Kodit Penal, të dënohet me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë.

Kukës 22 maj 1967

(Pjesë nga pretenca e prokurorit Avdi Gashi për dënimin e Havzi Nelës)

Dënimi i Gjykatës së Shkodrës 

Me vendimin nr.25, datë 22.5.1967 Gjykata Popullore e Shkodrës e drejtuar nga Jorgo Dhroso dhe nga ndihmësgjyqtarët Farie Palushi dhe Skënder Sulejmani në prani të prokurorit Avdi Gashi, e deklaroi fajtor Havzi Nelën dhe dha vendimin e saj duke dënuar përfundimisht:

1-I Pandehuri Havzi Nela në bazë të nenit 64-12 të Kodit Penal, të dënohet me 15 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë.

2-E pandehura Jalldëze Nela në bazë të nenit 64-12 të Kodit Penal, të dënohet me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë.

/55news.al/

Modifikuar më E Enjte, 07 June 2018 18:24

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Presidenti i Maqedonisë: Korrigjimi i kufijve, pasoja zinxhir në Ballkan dhe më gjerë

Bota Shqiptare

Presidenti i Maqedonisë: Korrigjimi i kufijve, pasoja zinxhir në Ballkan dhe më gjerë

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i ka kundërshtuar idetë për ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të popullatës në Ballkan, duke theksuar se kjo mund të ketë efekte negative zinxhirë ndaj...

Një zjarr në Irlandë zbulon një mesazh të Luftës së Dytë Botërore

Globi

Një zjarr në Irlandë zbulon një mesazh të Luftës së Dytë Botërore

Në County Wicklow, Irlandë ra zjarr dhe në terrenin e përfshirë nga flakët doli një mesazh i fshehur që i përkiste Luftës së Dytë Botërore. Bëhet fjalë për fjalën Eire...

FOTO/ Një tjetër çift i famshëm po shkon drejt altarit

Show-biz

FOTO/ Një tjetër çift i famshëm po shkon drejt altarit

Pas Sarës dhe Ledionit, një tjetër çift i famshëm po shkon drejt altarit. Prej kohësh Elita dhe Gjiko janë një ndër çiftet më të komentuara të showbiz-it shqiptar. Edhe pse e...