Duke kujtuar një thënie të Maks Velos lidhur me rënien e Komunizmit në vitin 2020

Një botë ku flitet shqip andej e këndej kufiri, e ngecur në mugëtirë. Një botë ku intelektualët e vërtetë dhe të pakomercialuar po zhduken ngadalë. Një vend perfekt për patericat e pushteteve, ta parapërcaktuara për të bërë kompromisin diku në kufijtë e injorancës dhe tentantivën për t’u shfaqur e kamufluar patriotizëm përmes një imazhi folklorik. Është në traditën politike të injorancës, që nëse nuk mund ta zhdukë elitën e vërtetë intelektuale fizikisht apo së paku ta parandalojë zhvillimin e saj, së paku ta sistemojë atë diku në ndonjë koloseum ku s’ka vend për publikun.

Tani më vjen në mend Maks Velo, një fragment i një bisede të tij me shokun e burgosur në Spaç në vitet e 80-ta. Në pyetjen se kur mund të bjerë komunizmi, përgjigjja e tij ishte viti 2020, aty diku. Një përgjigje shumë mirë e analizuar e dhënë në atë që ai e quan “ferri i kuçedrës”, në një situatë të pashpresë në të cilën diktatura e kishte katandisur jetën e shqiptarit. Ndodhën ca gjera më pas, u krijuan iluzione, sharlatanë erdhën në shprehje. Një fatamorganë demokracie u shfaq e bashkë me të një liri që trokiti fshehurazi. Shoqëria sikur ia hapi derën me shumë drojë, por edhe ajo liri, vetë ishte e pasigurtë në trokitjen që bëri, sikur nuk ishte e rritur në formën e saj të vërtetë.

Tani del se përgjigjja e dhënë në kampin e Spaçit ishte e saktë në njëfarë mënyre. Gjithë këto vite që nga ajo përgjigje, një botë shqiptare e padrejtë është duke ndodhur keq. Një botë në të cilën po diferencohen aq shumë njëri me tjetrin shtresëzimet sociale. Këtu po mbesin vetëm shumë të pasur me mekanizmat e mbështetur nga politika dhe zgjatimet e saj klandestine të bërjes “biznes”, si dhe të varfër të sistemuar në qendër të realitetit në anë tjetër. Këtu balancon vetëm euforia e ndjenjës së lirisë, në Shqipërinë zyrtare ajo e vitit 1991, në Kosovë ajo e vitit 1999. Ata që e kanë marrë përsipër të kujdesen për këtë liri, janë shndërruar në sportel punësimi, pranimi në universitet, rrugëtimi në jetë. Tani, edhe mund të mos e quajnë më vetën komunistë. Pak ka dallim kjo. Ideologji a doktrinë politike komunizmi shqiptar andej e këndej, as që kishte ndonjëherë. Ata po dëshmojnë se kanë mbajtur elementin kyç të zymtësisë politike shqiptare, autokracinë.

Nuk e dijë, ku do të përplaset e gjithë kjo, por liria matet vetëm me mirëqenien dhe mundësitë e barabarta për të gjithë. Liria matet veç tjerash edhe me gjendjen e shtetit për të mbrojtur trurin e mendjes nga “truri” i muskujve. Pa këto ajo humbet kuptimin, shndërrohet në ekuivalentin e kiçit, veç substancë nuk ka.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>