Duroni edhe 7 ditë se vjen mrekullia!

Vetëm shtatë ditë kanë ngelur nga zgjedhjet e shumëpritura. Gjatë kësaj kohe televizionet, gazetat, rrugët, qytetet kanë ushtuar nga takime, mitingje, reklama që kanë hutuar çdo shqiptar. Prag vere e megjithatë halli më i madh nuk është i nxehti që po kaplon vendin dhe rubinetat kanë filluar të mbeten  pa ujë, ashtu sikurse ka ndodhur në këto ditë. Kanë filluar ndërprerjet e ujit me orë të stërzgjatura e ta mendosh që jemi vetëm fare pak ditë para zgjedhjeve, ditë kur të vijnë të shtrëngojnë dorën, të rrahin shpatullat, të përqafojnë me pak fjalë të “duan me teper se veten”.  Halli më i madh është se çdo të ndodhë me ne pas 25 Qershorit?! Kur dëgjon fjalimet e njëpasnjëshme të kryeministrit thua: “Vallë a do ndodhë mrekullia?! Do të rilindemi?” Po ne u rilindëm njëherë?! Ç’na ngeli të bëjmë tani!? Të presim mrekullinë që do vijë pas shtatë  ditësh e cila nuk erdhi dot në këto 44 muaj! Të durojmë edhe këto ditë, vetëm 7 ditë se mbasandaj gjithçka ka për të lulëzuar. Kemi dëshiruar punësim gjatë këtyre 44 muajve por s’kemi mundur të punësohemi per të jetuar më mirë. Epo nëse ia kemi dalë për kaq kohë, të bëjmë si  të bëjmë edhe këto shtatë ditë se pas 25 qershorit do të jemi në punë. Do të ngopemi me lugën e zbrazët ashtu siç kemi bërë edhe gjatë këtyre 1300 e kusur ditëve, por mrekullia po vjen! Nëse pensionet u rritën, gjatë 44 muajve, vetëm me 1000 lekë të vjetër, pra aq sa për të parë edhe njëherë sheshin me autobus vajtje-ardhje brenda Tiranës, atë sheshin e shumëpërfolur për të cilin edhe udhëheqësi ynë mezi i mbajti lotët, (çfarë ahengu kemi parë atë natë!) pra nëse per kete rritje u deshën katër vjet imagjinoni çmund të ndodhë pas shtatë ditësh. Me siguri ate nate gjithkush e ndjeu veten zot të atyre pllakave të vendosura në atë shesh, e shijoi çdo këngë e valle aty, tamam si në dasëm. Në dasëm nuk shkohet duarbosh, ndaj edhe këtë herë s’ka si të ndodhe ndryshe. Çdo shqiptar që e do e shkelë atë shesh, ato pllaka të vendosura aty, do shikojë ato shkurre të servirura për bimësi anembanë Shqipërisë, për çdo pikë uji që do rrjedhë në ato shatërvane do paguajë. Madje edhe ai shqiptar që nuk ka ndërmend kurrë ta vizitojë sheshin se s’ka mundesi të dalë përtej qytetit ku jeton sepse rritja e pensionit nuk ia lejon këtë, ama nëse e ka parë në televizor shfaqjen e sheshit do paguajë për të. Fundja për të do paguajnë edhe ata që nuk e kanë parë dhe nuk e kanë dëgjuar ngjarjen shekullore të “rilindjes”  së sheshit. Ai ndoshta nuk ishte në listën e pafundme të halleve tona e megjithatë dikush mendoi edhe për këtë gjë. Gjithkush që jeton në këtë vend do paguajë, se ishte ngjarje e rrallë, pas 44 muajve qeveria ia doli të betonizojë edhe zemrën e Tiranës!

Ne kishim shumë më shumë nevojë për gjëra më jetike në këtë vend gjatë kësaj kohe, por dikush e pa më të arsyeshme të merret me këtë pjesë, ndoshta ka menduar për ne ose edhe më tepër sesa kaq. Nëse rubinetat tona këto kohë janë kufizuar në furnizimin me ujë, kemi një zgjidhje të rendim drejt sheshit, aty ku mund të “piqemi” sipas Z.Veliaj, referuar fjalimit të tij natën e ahengut. Veçse atë mbrëmje e kuptuam në një tjetër kontekst, por situata paska qënë e paralajmëruar, vërtet që këtë verë do të piqemi nën diell në sheshin për të cilin lumë parash u hodhën për të bërë përsheshin e radhës. Çfarë mrekullie që na pret!!!

Fundja ajo ngjarje na dha energji mjaftueshëm për të duruar edhe këto 7 ditë, për të shpresuar se mrekullia është aty e se këto katër vjet ishin faza e parë e Rilindjes, sepse që të rilindësh duhet të prekësh fundin e Shqiptarët këto katër vjet e realizuan më së miri fazën e parë të saj, e prekën fundin. Të durojmë edhe 7 ditë se më pas ndoshta do shkojmë me dëshirë në spitale se nëse deri tani kemi marrë çdo gjë me vete nga shtëpia për tu shtruar aty dhe ndërkohë kemi paguar edhe mjekun, nuk e di çmrekulli kemi për të parë pas zgjedhjeve. Me dëshirë do shkojmë edhe në shkolla, për të paguar tarifat e kripura ashtu si kemi bërë gjatë këtyre 4 vjetëve, e qe për çudi rritja ndodh në fund të vitit dhe askush nuk ndihet sepse të gjithë janë duke pritur mrekullinë. Pa dyshim me dëshirë do shkojmë pas 7 ditësh edhe nëpër gjyqe, por duke pasur në mendje që edhe nëse kemi të drejtë, atë nuk do e gjejme dot kurrë ashtu si na ka ndodhur edhe gjatë këtyre 44 muajve, por të mos harrojmë se  mrekullia do të ndodhë pas 7 ditësh. Me po të njëjtën dëshirë do vazhdojmë të shkojmë edhe nëpër burgje ashtu si kemi bërë gjatë kësaj kohe, edhe pse ta mendosh thellë në fakt kjo mrekulli është realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme për ne popullin gjatë këtyre katër vjetëve. I mbushëm burgjet plot, çpopull paskemi qenë i paskemi bërë kaq të këqija vetes! A do dalë ndonjë ditë dikush që të pranojë si na ka lejuar ne popullin që t’ia bëjmë gjithe këto të këqija vetes?! Ah popull popull çtë ka gjetur!!! Megjithatë ditë më të mira do vijnë, kot nuk na kanë thenë që nuk kemi parë gjë akoma! Fundja edhe 7 ditë kanë ngelur që të na zhduket varfëria e të largojmë atë dëshirën që na torturon prej 44 muajsh për të emigruar përtej kufijve, pa e menduar dy herë e pa patur rëndësi se ku.

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>