Edhe në Kosovë po tentojnë të na sundojnë ata që na përçanë

Po na sundojnë ata që na përçanë vite më radhë. Po na sundojnë ata të cilët kanë krijuan shtet për vete, për ilake, për shokë, për militantë partiakë… E kanë kapur shtetin ata të cilët janë analfabetë potencialë, me diploma të blera, sahanlëpirësa, njerëz dinak dhe frikacakë, hajna e hoshtaplerë politikë. Në anën tjetër kemi të gjithë neve, e para së gjithash rininë e cila po sorollatet në rrugë, në kafene, ne bastore, ne lojëra të fatit. Të gjithë neve ne njërën anë po jetojmë keq e më keq nga të parët të cilët po grabisin çdo gjë para vetit, duke lënë tokë të djegur pas veti… Njeriu ynë secilën ditë e më shumë po është i traumatizuar, i demoralizuar, gjithnjë e më shumë po i vizitojnë klinikat neuropsikiatrike nga depresioni gjithnjë në rritje. Kemi pasur me bollëk njerëz pas luftës të cilët nga deprimimi kanë bërë edhe vetëvrasje. Kanë bërë vetëvrasje edhe pjesëtarë të UÇK-së të cilët kanë mbetur në mëshirën e fatit. Ata të cilët janë ngjitur në pushtet po jetojnë si në parajsë me para të vjedhura të popullit, po jetojnë një jetë luksoze, nuk po prekin përtokë… Nuk do të kemi ndryshime pozitive në këtë shtet derisa në pushtet e kemi këtë kastë politike. Këta moti janë tjetërsuar nga populli, zaten nocioni popull për ta kaherë ka perënduar. Këta nuk po kanë ndërgjegje dhe as moral politik për të gjitha këto negativitete shoqërore të cilat qëllimisht i kanë shkaktuar. Po amnistojnë gjithfarë maskaradash politike për tia zgjatur vetit pushtetin, në vend që të krijojnë zhvillim të gjithëmbarshem dhe mirëqenie.

Kemi një kryetar shteti të Kosovës, figurë kontraverse, një person i cili i ndryshon qendrimet për një ditë, pa i llogaritur dëmet politike. Kemi një kryeminister dinak dhe idhnak të tipit komunist, i cili nuk ka hequr dorë nga forma komuniste e sundimit mbi masën. Kemi një shef të ekzekutivit i cili bashkë me presidentin e shtetit firmosen bllanko pa e pyetur shumë sovranin popull. Madje, morën guximin të firmosin edhe humbje territoresh në veri dhe në jug të Kosovës. Kjo klasë politike moti e ka humbur rrugën në oborr. Në fakt po dinë mirë me abuzu me të mirat materiale. Po e kthejnë secilën ditë e më shumë Kosovën në funeral, po e varrosin të ardhmen e brezave që po vijnë. Na kanë izoluar si ne geto. Po na i humbin miqtë tanë në botë secilën ditë e më shumë. Kanë zgjedhur metodat e shantazhit dhe të frikës. Po i linçojnë kundërshtarët e vet politikë më metoda fashistoide. Po ndihen të lumtur në tragjedinë e shumicës. Këta po ndihen të paprekshëm, po ndihen si Zot mbi këtë tokë. Kjo kastë në pushtet disa kanë qenë e shumica janë shëndrruar në hajna, janë bërë njerëz të korruptuar dhe të kriminalizuar. Gjithashtu janë rrethuar më njerëz pa kurrizor, me njerëz servilë. Kjo është fatkeqësia jonë e madhe. Na është mbushur aparati shtetëror me njerëz të padijshëm, të padinjitetshëm madje po e mbajnë edhe logon e tradhtisë. Sigurisht se këta në krye të shtetit e kanë humbur moti besimin e popullit, e kanë humbur kredibilitetin dhe autoritetin nëse e kanë pasur ndonjëherë. Kanë filluar haptazi dhe fshehurazi të na kthejnë në vitet ‘90. Dhe, për çudi pas gjithë këtyre të keqijave të cilat na kanë vërshuar nga të katër anët, prapë po kërkojnë respekt?! Të gjithë ata të cilët nuk mendojnë me kokat e tyre po i satanizojnë. Këta po na ndryshojnë edhe historinë për së mbrapshti. Kjo kastë politike moti ka merituar të hidhet në bërllogun e historisë, e kishin rastin më të mirë që të mbesin në histori për të mirë. Këta meritojnë fshikullima në rrugë, nga dritaret… Këta meritojnë çdo lloj përqeshjeje. Këta e dinë mirë se populli vonon por nuk harron. Nuk harron më i ndëshkuar rëndë me votë dhe do ti ndëshkojë për manipulimet e deritashme. Do ti presë gjithsesi ndëshkimi sepse rregullisht për shumë vite manipuluan me votën, manipuluan me kërkesat reale të popullit. Me duket mua se nuk do të përsëritet më kurrë që vota të shkojë kot. Mu për atë kjo kastë në pushtet edhe nuk po ndihet rehat. Mjaftë qytetarët tanë duruan padrejtësi në kurrizin e tyre. Mjaft duruan duke jetuar keq në një vend i cili i ka të gjitha predispozitat për të jetuar mirë. Mjaft i duruan të pamoralët dhe të pandërgjegjshmit politikë në krye të shtetit. Diçka është tashmë e sigurt. Rinia jonë pas një kohe të gjatë janë duke e kuptuar rolin e vet në shoqëri. Duhet ta tregojnë fuqinë e tyre edhe politike, nëse dëshirojnë një të ardhme më të mirë… Mos të harrojnë se vetëm duke u inkuadruar më shumë në rrjedhat shoqërore politike të vendit edhe mund ta ndryshojnë situatën në favor të tyre.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>