Edi Rama mbjell furtunë në Kukës

Shteti nuk njoftoi se u plagosën 120 kuksianë në protestën e organizuar nga kuksianët për kundërshtimin e taksës për kalim në Udhën e Kombit. Ministri i brendshëm që me ligësi i quajti barbarë dhe kryeministri duke u dridhë nga frika i quajti vandalë, njoftuan vetem për policë të plagosur, jo për qytetarë të plagosur, sikur kuksianët i ka bërë lopa dhe policët specialë i ka bërë nëna parti apo arusha e Kryeministrit.

Në një shtet demokratik, nga i cili qeveria aktuale largohet me shpejtësi, së pari ministri apo ministrat e pastaj edhe kryeministri do të njoftonin për jetën e qytetarëve. Por jo, kuksianët për këtë Kryeministër janë qytetarë të dorës së dhjetë, ose njerëz me bisht. Po të mos shiheshin në kamera sa të bukur janë e sa vitalë ata njerëz, do besohej mashtrimi kryeministror.

Arrestimi apo ndalimi i 23 protestuesve ne menyren me guerilse te mundshme, naten, pabesisht, tinezisht, ne sy te femijeve, duke regjistruar ne syte e femijeve e grave pamje tmerri, do te mbeten histori turpi te terbimit te Edi Rames dhe pushtetit te tijte dhunes se verber.

Një gjë nuk diti ta lexojë asnjë qeveri, kjo aktualja është analfabete lidhur me leximin e jetës se njerzve, dhe nuk do të dinë gjatë ta lexojnë në raport me Kukësin. Është një e vertetë e madhe, Kukësi ka resurse që nuk i kanë zonat e rajonet e tjera të vendit, ka më shumë se të tjerët energji elektrike e minerale, falë zotit jo falë njerzve. Nga resurset e veta që ia shfrytëzon shteti, Kukësi fiton zero të ardhura. Në Kukës ka më shumë miniera se kudo në Shqipëri aktualisht dhe bashkia merr zero të ardhura nga këto miniera. Kukësi ka 23 hidrocentrale lokale dhe bashkia merr zero të ardhura nga to. Jo për shkak të kësaj qeverie, por për shkak të gjitha qeverive se kështu janë ndërtuar ligjet, kështu është sistemi i ndarjes së pasurive e taksave në vend.

Po krijohet një përshtypje se taksa për kalim në Udhën e Kombit i vret apo ndëshkon vetem kuksianët dhe ky përceptim apo kuptim, kjo gjë, është e gabuar për fatin e keq të atyre që e lexojnë e kuptojnë gabim.

Janë shumë pak kuksianët për të qenë të ndëshkuarit e mëdhej.

I ndëshkuari i madh i taksës mbi Udhën e Kombit është kombi, nëse ndokush e beson se kemi komb, ai komb, flamurin e të cilit Kryeministri aktuale e ka cilësuar thes me mbledhe vota…

E ndëshkuara e madhe është Shqipëria, e gjitha, jo Kukësi. Është e ndëshkuar Myzeqeja, se bostani apo shalqini i saj nuk shkon më të shitet në Kosovë e në Serbi me çmim të shtuar sepse maunet që do ta çojne atje duhet të paguajnë mbi 60 euro taksë udhe apo xhelep për kryeministrin, apo taksë për mbretin Edi Rama që çet petulla patriotizmi edhe për president të perbashket kombëtar dhe ia fut gishtin Kosovës për të mos thënë thikën pas shpine.

Të ndëshkuarit e mëdhej janë prodhuesit e agrumeve në Sarandë që tregun kryesor për agrumet e tyre kanë Kosovën.

Të ndëshkurit e mëdhej janë prodhuesit e çimentos në Shqipëri pasi maunet që transportojnë çimento për në Kosovë do ta sigurojnë produktin në vendet e tjera fqinje me Kosovën dhe nuk do të marrin çimento në Krujë.

Të ndëshkuarit e mëdhej janë gjithë hotelet e motelet, kafet e restorantet e turizmit elitar të Jugut, siç e quajne ministrat racistë të Ramës, që patën mësuar kosovarishten nga dashuria për eurot e turistëve të Kosovës. Gjithë bregdeti jo elitar, i Durrësit, Lezhës, Shkodrës, sipas ministrave të Ramës, që mezi i pret pushuesit masivë të Kosovës do të ndëshkohet.

Prizreni qe mësuar ta bëjë rrugën Prizren- Det co fundjavë, të kalonin ditën në Tale a Shëngjin, të kthheshin natën, të vinuin nesë sepse më lirë udhëtimi se fjetja. Tani më lirë i del Ulqini për shkak të taksës Rama…

Si gazetar i vjetër po tregoj p.sh, se brenda një dite, gjatë stinës së verës, hyjnë në doganën e Morinit rreth 26 mijë autovetura që i drejtohen detit.

Po janë shumë ditë vere, është e gjatë stina e verës.

Të gjithë janë të paqartë, por më i paqarti dhe më i padurueshmi në injorancë është kryeministri Rama që i duket vetja i zgjuar.

Atdheu i biznesit është paraja, fitimi. Nëse bizneset e Kosovës i dëbon me taksa ekstra, ata shkojnë në Selanik se Porti i Selanikut është dy herë më i thellë e i madh se i Durrësit.

Edi Rama që ndërton lulishte qytetesh nuk ka këllqe ta thellojë portin e Durrësit se nuk e lejon Greqia… Ndjesë se po flas një gjuhë që nuk e kupton Edi Rama, pasi ai din vetëm parulla, din të bllokoje media, të bllokojë fjalën e lirë, të ndalojë televizionet të japin protestat, të fusë në veprim sigurimin e vjetër të shtetit, baballarë e bij spiunash dhe të përçajë.

Ai e din mirë se nuk është në Kinë Kukësi që bën vidiokonferencë me disa nëpunës të nderuar të Kukesit. Duke përzgjedhur ai njerëz, përçan. Përfekti dhe administrata e tij janë zgjatim i kryeministrit në bashki. Ai se pari duhet të ulet me të zgjedhurit, me Këshillin bashkiak, kryetarin e bashkisë, me biznesin e drejtuesit e bashkisë, pasi të lirojë djemtë e Kukësit tek të cilët ka mbjellë urrejtje dhe as i ka edukuar as frikësuar dhe aty të kërkojë ndjesë me dorën lart. Ndryshe Edi Rama ka mbjellë furtunë në Kukës, furtunë që nuk e len të qetë Ramën as koncensionarët pasi janë 30 vjet dhuratë dhe bijtë e të burgosurve të Ramës nuk ia falin atë që po u bën baballarëve të tyre. Urrejtja nuk mbillet ndryshe, si Enveri.

Del si partall dhe kërcënon, shtërngon dhëmbët. Se nuk e di që “partia ka hy me vrasje” në Kukës, nuk e di se është e vështirë me i hy në sy kuksianit pasi ai e matë çdo krajl e mbret me mbretin e Serbisë. Enveri e të tjerë pasues të tij si Edi Rama i duken të vegjël për luftra të mëdha.

Nuk duhet asgjë përveçse të kesh mirësi në shpirt që të mos bësh tallje me kuksianët, nga njëra anë u kërkon falje publike disa herë e nga ana tjetër si lac mban peng 11 kuksianë në burg, asnjë polic nuk fut në burg, asnjë ministër nuk shkarkon, asnjë zyrtar nuk ndëshkon.

Është vertetë partall komplet, i padijshëm, i padrejtë, i pandershëm ndaj nuk arrin të lexojë e kuptojë se kuksianët dy gjëra nuk i bëjnë kurrë: nuk e shtrijnë dorën e lypjes dhe nuk kërkojnë mëshirë. Ky është konstrukt i tyre shpirtëror por kryeministri Rama nuk di ta kuptojë këtë lloj arkitekture nse është bojaxhi. Siç nuk lexon historinë. Ka ra dy herë shteti në Kukës, le të pyesë se ia tregojnë protestën për tokat e përmbytura, për qytetin e flijuar të Kukësit të vjetër dhe në luftën me armë për aeroportin… Shteti duhet të ketë kujtesë, kryeministri duhet të ketë një minimum dijenie.

Disa miq edhe më qortojnë e nuk bien dakort me mua. Unë nuk dua dakortësinë e askujt, nuk me vlen se unë nuk konkuroj për asgjë, por veç dua të kuptojnë se taksa mbi Udhën e Kombit më së paku dëmton Kukësin, pavarësisht se llomotitet se kuksianët do përfitojnë, do të favorizohen etj etj.

Shqipëria humbet, koncensionarët fitojnë me ortakët e tyre, lëndohet në emër të një mashtrimi të madh sikur nuk ka mjaft fonde për ta mirëmbajtë Udhën e Kombit e për të cilën gënjejnë se po paguajnë borgje, ndërsa ajo e ka shlyer veten dy herë. Nga taksat aktuale qe vjel qeveria Rama për udhët, ka fonde me mirëmbajtë katër udhë të tilla si Udha e Kombit, të cilën duhet ta mirëmbajë vetëm shteti duke krijuar qoftë dhe një ndërmarrje speciale për atë rrugë strategjike qe bashkon kombin per inat te ndaresve. Veç nuk ka kurrë transparencë për fondet që vjel qeveria nga taksat e shtruara për udhët.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>