Edi Rama po pengon hetimin e trafikut të drogës

imami

Ish ministri i Mbrojtjes, Arben Imami

  “Deklarata e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, burim për trafikun e drogës në Shqipëri”

 Ish ministri i Mbrojtjes, Arben Imami i pari që ngriti akuzat publike për trafikun e drogës me avionë, deklaroi dje në një intervistë televizive për ABC Neës, se Edi Rama duhet të japë dorëheqjen, pasi nuk është në gjendje të kontrollojë krimin dhe trafiqet që po shtohen.

Z.Imami solli në vëmendje qëndrimin e Ramës para disa javëve, kur hodhi poshtë dhe nënqeshi akuzat e tij dhe të opozitës në sallën e parlamentit. Për z.Imami, Edi Rama është një frikacak i vogël. “Të dhënat janë që në Divjakë, Gjadër dhe Kardhiq janë ulur vazhdimisht avionë. Është e sigurt që ne do të kishim gjithnjë e më shumë fakte, por mohimi i fakteve dhe dëshmive të qytetarëve të cilët kanë parë së gjalli avionë të ulen, tregojnë se qeveria donte ta mbështeste këtë veprimtari të paligjshme, dhe mbështetja që i ka dhënë qeveria, normalisht që do të shpërthente diku. Kjo frymë e përgjithshme e mbështetjhes së narkotrafikut, detyrimisht që do të çonte edhe në fakte të këtij niveli, që janë fakte të pakundërshtueshme. Në qëndrimin e tij, Edi Rama, nga dita e shtunë, ka dhënë disa mesazhe që janë kontradiktore. Ka thënë një superoperacion i policisë, pastaj dje tha që ne shqiptarët kemi dashuri për njëri-tjetrin dhe unë s’mund t’ua bëj këtë apo atë. Ky është një mashtrues ordiner. Ai po thotë që ky është një film që ne nuk duhet ta besojmë, nuk janë realitete, nuk janë të vërteta. Në fakt, kryeministri i Shqipërisë po pengon hetimet, për një nga skandalet më të mëdha në historinë e vendit, një vend kandidat për statusin në BE, një vend anëtar i NATO-s. Dhe normalisht që ai duhet të japë dorëheqjen. Fakti është që kriminaliteti në vend është rritur, tritoli është rritur, kanabisi e heroina janë rritur. Aspekti tjetër i kësaj çështje është ai psikologjik. Rama u fsheh për tre ditë, doli dhe bëri pazar nëpër Europë. Kjo fsheh dobësitë psikologjike për tu përballur me faktet dhe realitet. Fjalimi i dytë i Ramës është shumë kundërthënës. Në të dy fjalimet Rama luan viktimën. Ky është viktimë e rrethanave, siç bëri me armët kimike, ky hiqet si njeri i mirë, por rrethanat nuk po e lejojnë të zbatojë ato idetë e mëdha të reformatimit të Shqipërisë. Kjo është nje mendje me dobësi të theksuara psikologjike. Për armët kimike ishte vetë iniciatori dhe përgjegjësitë përpiqet t’i vendosë tek rrethanat, tek kundërshtari. Ai nuk e kontrollon dot krimin, e kontrollon krimi atë. Ky ose është i paaftë, për të parandaluar krimin në vend, sëpari drogën dhe së dyti tritolin, ose është i përfshirë në to. Fakti që ky po i bën alibi për këtë çështje, kjo alibi tregon që je i përfshirë në krim. Nëpërmjet përpjekjeve të tij për të mbuluar trafikun e narkotrafikut nga toka dhe nga deti, tregon se është i përfshirë në të. Atëherë nuk ka rrugë tjetër, përveç dorëheqjes”, u shpreh Imami.

Duke u ndalur në akuzat për FA, z.Imami theksoi se strukturat e ushtrisë u vendosën në shërbim të narkotrafikut dhe për këtë ai kërkoi dorëheqjen e Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Ai theksoi se dëshmitë e qytetarëve flasin për ulje të avionëve në aeroportin e bazës ushtarake të Gjadrit. Për deklaratat e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, z.Imami tha se u vu në shërbim të politikës, duke përdorur emrin e NATO-s për një alibi. “Ministrja e Mbrojtjes duhet të japë dorëheqjen. Heshtja e saj, është si fije bari. Duhet të japë dorëheqjen, pasi po flasim për përdorimin e infrastrukturës ushtarake në shërbim të drogës, flasim për përdorimin e Shefit të Shtabit, për të ngritur alibi. Po flasim për një Polici që shkon në vendngjarje qëllimisht dhe di edhe numrin e çantave te avioni. Tani na del se edhe radari paska probleme, që nuk vërtetohet dot nëse personi ka hyrë në Shqipëri apo jo. Meqenëse agjenci të ndryshme të shtetit shqiptar janë të përfshira në këtë skandal, atëherë dorëheqja e kryeministrit është e paevitueshme. Në shërbim të drogës janë vendosur strukturat e ushtrisë. Akuzat tona nuk kanë qenë për policinë, por kanë qenë për ministrin, kryeministrin. Ka një dokument të qartë i cili është një dokument që vjen pas mbledhjes së informatave të banorëve të Gjadrit që thotë se, një avion i bardhë është ulur shpesh herë në aeroportin e Gjadrit. Ky është një fakt. Fakti që është ulur dhe ngritur disa herë, e thonë banorët e zonës. Ndërsa Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, për herë të parë në historinë e këtij vendi, futet në debatet politike, njësoj siç u bë pjesë e debatit mes Ministres së Mbrojtjes dhe Presidentit dhe thotë se, NATO në datë 19 Maj nuk ka asnjë informacion për këtë. NATO mbulon hapësirën ajërore të vendeve anëtare, por NATO nuk mund të thotë se ka patur lëvizje brenda hapësirës ajërore të Shqipërisë, është ulur këtu ai avion, është ulur atje. Të përdorësh emrin e NATO-s në një rast të tillë, është një çmenduri dhe të japësh një alibi të rreme, do të thotë të vihesh në shërbim të narkotrafikut. Deklarata e tij është e rreme dhe është burim për trafikun e drogës në Shqipëri”, u shpreh z.Imami. Deputeti demokrat deklaroi më tej se opozita do insistojë në hetimin parlamentar të trafikut të drogës.