Edi Rama po u heq pagesën këshilltarëve, megjithëse edhe ata njëlloj si kryebashkiakët, zgjidhen nga populli!

 

 

 

Edi Rama heq shpërblimin për anëtarët e këshillave bashkiakë! Kështu ka vendosur kryeministri të paktën nëpërmjet projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të cilin e ka miratuar në qeveri dhe e ka depozituar në kuvend për diskutim dhe miratim përfundimtar!

Ky projektligj i qeverisë është kontestuar fort nga faktorë të ndryshëm, shoqata dhe grupet e interesit (kryebashkiakë e këshilltarë bashkiakë) për frymën e tij kundër autonomisë vendore si dhe përkohshmërinë e tij. Sipas debateve të zhvilluara prej kryebashkiakëve të djathë e të majtë, por edhe siç është përmendur së fundmi edhe nga ambasadori i SHBA në Tiranë z. Donald Lu gjatë “Konferencës Kombëtare për Qeverisje Vendore”, sipas dyshimeve të të cilit ndarja territoriale u bë për të fituar zgjedhjet, ligji i adoptuar i ndarjes së re përveçse vjen me pothuaj 1 vit vonesë, ka kundërshti të forta sa i përket dhënies së kompetencave bashkive dhe zgjerimit të autonomisë vendore! Përtej këtyre problemeve, projekti i qeverisë ka gjetur zemëratën në radhët e këshilltarëve të majtë e të djathtë, të cilët pas miratimit të tij në kuvend do të duhet të ushtrojnë me zero lek shpërblim mandatin dhe veprimtarinë e tyre vendimmarrëse nëpër këshillat bashkiakë respektive. Në fakt edhe këshilltarët ashtu si kryebashkiakët janë produkt me mandat i dalë gjatë një procesi zgjedhor dhe besueshmërie qytetare, dhe po njëlloj betohen para kushtetutës për përgjegjësi në vendimmarrje gjatë ushtrimit të mandatit, pavarësisht se roli ekzekutiv i kryebashkiakut, shprehur kjo dhe në detyrat dhe kompetencat që i ngarkohen atij si dhe përgjegjësia që ai ka marrë para zgjedhësve i japin atij dhe pozicionin dominant në qeverisjen vendore. Por kurrsesi kjo nuk e justifikon vendimin e qeverisë se nga gjithë aktorët e qeverisjes vendore: kryebashkiakë, administratorë, këshilltarë qarku apo deri dhe kryepleq lagjesh apo fshatrash duhet të shpërblehen me pagë për aktivitetin që kryejnë dhe këshilltarët e bashkive nuk duhen shpërblyer. Me pak fjalë ligji diskriminon anëtarët e këshillave bashkiake! Ligji aktual i shpërblen këshilltarët e bashkive me pagesën në masën 10% të pagës së kryetarit, shpërblim ky që para zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit u fol se do të rritej deri në masën e pagës minimale. Diskriminimi nëpërmjet mohimit të shpërblimit financiar që qeveria po u bën në këtë rast vetëm anëtarëve të këshillave bashkiake, sigurisht që do të rrjedhojë zbehjen e efikasitetit që duhet të ketë këshilli i bashkisë në oponencën, kontrollin apo llogarikërkimin ndaj kryetarit të bashkisë, madje mund të bjerë deri dhe mungesën e drejtpërdrejtë të interesit për të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit bashkiak. Nuk ka pse na duket aspak çudi që shpërblimi mesatarisht me pagë 10 mijë lek në muaj, ka qenë një motiv për këshilltarët bashkiakë që të mos e humbin pjesëmarrjen aktive në të gjitha mbledhjet e këshillit.

Qeveria përmjet kësaj mase, ka dashur të prezantojë para qytetarëve “nikoqirllëkun” e vet, tentativë e propaganduar edhe në premtimet që vetë kryeministri ka artikuluar për ndërtimin e më shumë rrugëve, ujësjellësave, shkollave dhe kopshteve të panumurta, të cilat sipas tij që do përfitoheshin nga reforma territoriale, nëpërmjet së cilës u deklarua se do kurseheshin 80 milion dollarë nga shkrirja e administratave të 385 bashkive e komunave. Por teza e “nikoqirllëkut” me sa duket u fashit, ndërsa të gjitha bashkitë e komunat e selektuara për t’u shkrirë prej reformës, jo vetëm që pas 21 Qershorit vazhduan të ekzistojnë (tashmë me emërtimin e ndryshuar Njësi Administrative), por edhe administratat e tyre po vazhdojnë ti kenë në të njëjtat kuota punonjësish, në mos po në raste të veçuara edhe më të fryra se para reformës.

Nuk dihet sesa fryma masoviste e “nikoqirit” e “harruar” në rastin dorëlëshimit të 2 milion eurove nga qeveria për të marrë me leasing 44 makina luksoze Yaguar; apo përdorimit të 2 milion dollarëve për blerjen e 3 makinave qeveritare luksoze benz mercedes të blinduar; sikurse dhe dorëlëshimit të qeverisë për përdorimin e 700 milion lekëve për trajnimin anti-stres të punonjësve të OSHE, do të ndikonin realisht në rritjen e performancës qeverisëse; por e sigurt është ama, që pas heqjes së shpërblimit mujor për këshilltarët bashkiakë, jo vetëm që diskriminohet një kategori pushtetarësh vendorë, por rrezikon seriozisht humbjen e rëndësisë së institucionit të këshillit bashkiak, si hallka vendimmarrëse e qeverisjes lokale.

Në fakt, nëse do jetë përfundimtar projekti i qeverisë për tu hequr shpërblimin anëtarëve të këshillave bashkiakë, mbetet të shihet se cili do jetë qëndrimi që do të mbajë kuvendi gjatë diskutimit në komisione dhe seancë plenare të projektligjit mbi pushtetin lokal, i cili sikundër dihet, mbart edhe kundërshti në drejtim të mungesës së autonomisë vendore!

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>