Editorial/Bashkiakët i duhen Ramës si administratorë boje e lëpi-duartrokitës

rama

 

 

E dha shembullin e parë. Me një axhendë personale, të denjë për një politbyroist që thërret netëve vartësit e tij nëpër byrotë e rretheve, Edi Rama ka shpallur me tamtamet e propagandës së vet, se sot në mesditë do të mbledhë krerët e rinj të bashkive të reja të vendit, për të diskutuar, siç thuhet “lidhur me implementimin e kompetencave që do t’i delegohen pushtetit vendor”.

Sa qesharake! Pasi, kreu një reformë të tërë sakatuese e të njëanshme për ndarjen administrative, bën sikur i thërret për konsultim të emëruarit e vet, të inkriminuar a jo, që të lëpi-duartrokasin “bujarinë” që ka ndërmend padrinoja i madh i pushtetit të tregojë ndaj rajave të tij. Ai e ka aq të madhe buliminë e padrinllëkut, sa dëshiron që të ketë edhe fasadën, edhe të zgjedhurit e opozitës në paradën e vet të privatizimit dhe dhënies me qira të zyrave të pushtetit vendor. I dëshiron me “ofeamanaman” dhe s’ka lënë gur pa lëvizur që këto ditë të fitojë të paktën avatarin e realitetit, pra të fitojë atë skifon që ai paraqet çdo ditë në shumatoren mediatike, si një dëshirë popullore, si një interes publik, por që në fakt është veç një njoftim zyrtar i zyrës së shtypit të kryeministrit. Propaganda ka prodhuar këto ditë lajmin se kryebashkiakët që kanë fituar prej opozitës do të jenë në takimin e tij, nëse duan të tregohen bashkëpunues, ose përndryshe do ta nisin punën si “talebanë” të Lulzim Bashës.

Sa shkollë e vjetër!

Askush nuk e ha propagandën e një takimi me krerët e rinj të bashkive, kur ende s’ka dalë vendimi zyrtar certifikues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kur një sërë kandidatësh kanë ende punë jo veç me KQZ-në, por me sa duket edhe me Kolegjin Zgjedhor.

Sa hipokrite!

Si mund të realizohet një konsultim me bashkiakët e rinj, lidhur me kompetencat që ata do të kenë e do të përmbushin, kur vetë e ka thënë më shumë se një herë, se drafti për këtë delegim kompetencash mund të jetë gati aty nga fundi i vitit. Pra, konsultimi do të shndërrohet në një “gju më gju” me popullin (e deleguar në këtë rast), për të fshehur ndryshimin salamandrik të bashkive, për interesa mirëfilli partiake e klienteliste.

Sa fasadë!

Konsultimi i sotëm në fakt është një mbledhje partie, ku do të sulmohet populli që guxoi e zgjodhi edhe 15 përfaqësues të opozitës në 15 njësi vendore dhe do t’i rinovohet kërcënimi se do të mbetet pa bukë e pa ujë, sa kohë i zgjedhuri s’do të pranojë të luajë fasadën që kërkon kryeministri, bulimik për pushtet. 45 partiakë do të pozojnë sot për fasadë dhe do të lavdërojnë paraprakisht bojën e decentralizimit të pushtetit vendor, me një lëpi-duartrokitje, që kemi kohë që s’e shohim, ka rrezik qysh prej 1992-it. Sot edhe do të kërcënohen për herë të parë kryebashkiakët e zgjedhur nga Partia Demokratike, se do të përballen me “rrethimin kryeministror”, i cili ka si armë të rëndë “shkarkimin”.

Dy ditë para vizitës së kancelares Merkel, kjo shfaqje me “administratorë boje” e “lëpi-duartrokitje”, mund të mbushë kronikat televizive, mund edhe të prodhojë thashetheme për marrëdhënie merkatoje që qeveria e nomenklaturës ka ndërmend të zbatojë me pushtetin vendor, por në vetvete s’ka asgjë të themeltë. S’ka as reformë, as shpërndarje pushteti dhe mbi të gjitha as shërbim për qytetarin. Sot në takim le t’i shkojnë veç bashkiakët e zgjedhur në linjë partie. Të paktën, kemi për të qenë të sigurt se ende s’kemi ardhur tek uzurpimi 100 përqind i një pushteti të pavarur dhe nga pjesa e shëndoshë që ka mbetur, le të nisë lëvizja për t’i çliruar të gjitha pushtetet nga një kryeministër që ka zgjatur metastazat e një bulimie për diktaturë.