Editorial/Jo veç obstruksionizëm, Ramës duhet t’i bëhet parlamenti Ferr

rama-jpg

 

 

Nisja e legjislaturës parlamentare po shoqërohet me përrallat e zakonshme për konstruktivitetin e opozitës dhe për dorën e shtrirë të bashkëpunimit që paska zgjatur kryeministri. Atmosfera është e mbytur nga thirrjet për përplasje, bllokime e protesta. E vërteta është se gjithçka ia vlen, kur deklarimet politike errësohen nga alarmi ndërkombëtar se Shqipëria është shndërruar ne epiqendrën e tregut evropian të kanabisit e heroinës, si dhe në një shteg të privilegjuar edhe për tranzitin e kokainës.
Në teori, leksionet për sjelljen parlamentare bëjnë fjalë për obstruksionizmin, pra zgjatjen e seancave nëpërmjet procedurave, kryesisht amendamenteve e më tej edhe mocioneve, por në legjislaturën e re, procedura nuk mjafton dhe obstruksionizmi si praktikë parlamentare është thuajse jashtë loje. Kush pyet për procedurën e për propozimet që profesor Spaho mund të bëjë në seancë plenare, kur në krye të Kuvendit është Gramoz Ruçi, hallka gjithmonë e pranishme që lidh diktaturën me tranzicionin tonë të pafund! Sado i porositur që të sillet si babaxhan, kryetari i ri komunist i parlamentit do të ketë në bazë të “kompromisit” sjelljen klasore, pra pazarin në dëm të opozicionit dhe interesit publik.
Me emërimin e Ruçit merr fund etydi për obstruksionin dhe në qendër të betejës politike të parlamentarëve të rinj të opozitës do të jetë përdorimi i çfarëdolloj mjeti për të penguar ecjen përpara të sakrilegj-projekteve të kryeministrit Rama. Riparaqitja e projektit për lejimin e importit të plehrave përshembull është një model se çfarë lejohet në betejën e re parlamentare. Kur helmimi i qytetarëve kërkohet të bëhet me ligj, çfarëdolloj modeli deputeti që kontribuon në pengimin e kësaj praktike është i mirëseardhur.
Përveç plehrave, të tjera koncesione pritet të paraqiten, në funksion të projektit famëkeq të hajdutërisë “1 miliardë euro investime, sipas PPP-ve”. Të gjitha janë hulli që çojnë para tek klientela e kryeministrit dhe ia lënë kopilin në derë taksapaguesit të rrënuar, edhe për 10-20 vitet e ardhshme. Çfarëdolloj sjelljeje që pengon këtë hajdutëri me projekt, ia vlen të provohet. S’mund të ketë asnjë kufizim etik, kur bëhet fjalë për të mbajtur gjallë moralin e një shoqërie, që me korruptimin e votës së lirë i ka mbetur si kështjellë e fundit veç rezistenca individuale apo e grupeve të vogla, kundër oligarkisë që forcohet gjithnjë e më shumë.
Në teoritë politike përmendet edhe termi “obstruksionizëm i dhunshëm”, por fjala është veç për bllokimet e kërkuara të seancave plenare, përmes pamundësimit të vazhdimit të tyre me rendin e ditës. Dëmi që Edi Rama dhe çeta e tij planifikon t’i bëjë këto 4 vjet Shqipërisë, së pari duke bllokuar procesin e integrimit, më tej duke rrënuar karakterin laik të shtetit e në fund duke e shpërndarë buxhetin e shtetit sipas feudeve klanore, është një sakrilegj që s’ka mostër, në historinë e re parlamentare të Shqipërisë.
Grupit të ri parlamentar të Partisë Demokratike, por edhe opozitës së premtuar të LSI-së, i lind nevoja të jetë kreativ dhe të bëjë një opozitë që shkon përtej obstruksionizmit dhe synon ta rrënojë krejt parajsën parlamentare që Edi Rama ka planifikuar me dirigjimin e Gramoz Ruçit. Opozitës i duhet t’ia kthejë Edvinit parlamentin në ferr, në mënyrë që ai të ndërrojë shtatë lëkurë, para se të mbërrijë të kalojë një ligj me sjelljen “konstruktive” të parlamentarëve të djathtë.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>