Editorial/Koha për dezinfektim

AVIONI NE DIVJAKE3

Gjatë fushatës së fundit elektorale, gazeta “55” e pat ftuar publikisht kandidatin për kryeministër Edi Rama që të bënte testin e drogës, si një provë se akuzat e hedhura ndaj tij nuk ishin të vërteta e njëkohësisht edhe për të konfirmuar gatishmërinë e tij për të marrë pa asnjë varësi të jashtme qeverimin e vendit. E sot, pas fiks një viti, vijmë në një stacion tjetër, në konfirmimin e faktit se qeverisja është thellësisht e varur nga narkotrafiku dhe informaliteti. 2 orë përpjekje për të pastruar një fushë krimi nga lidhjet e shkurtra me qeverinë, një listë e gjatë implikimesh kriminale, që zunë fill me vrasjen e Elvis Çelës dhe përfunduan disa ditë më parë me linçimin publik që Ergys Hoxha, njëfarë “maxhordomi” i Edi Ramës në kabinetin e tij, u bëri policëve që kishin guxuar ta ndalonin për shkak se qarkullonte me një automjet me targë të falsifikuar. Në mes kemi forca policore që keqtrajtojnë protestues, celula shtetërore tritolvënëse dhe justifikime për valën private të tritolit, një zyrtarizim të vrasjeve për larje hesapesh dhe shumë e shumë narkopolitikë, si një refren i qeverisjes së re. Fillesa pa distancim nga ky moral i lidhur ngushtë me botën e krimit e të narkotikëve, na çon sot tek urgjenca për një dezinfektim të plotë të politikës. Bëhet fjalë për dezinfektimin e politikës së mazhorancës, se ajo e ka imunitetin që po ndal qeverimin e po i lë dorë të lirë strukturës gri që e bashkëshoqëron, pasi për elementë që gjenden në opozitë, janë krejt në dorë të jakobinëve ministra për t’u dërguar para drejtësisë. Dezinfektimi i del si detyrë mazhorancës dhe koalicionit PS-LSI. Emergjenca me të cilën e ngritën kabinetin apo pengmarrja që patën si detyrim kur Edvini dërgoi në qeveri “shokët” e orgjive e zijafeteve tashmë ka kaluar. 8 muaj hardallosje kanë qenë shumë efektive për ta shndërruar Shqipërinë në delen e zezë të narkotrafikut evropian. Tashmë kjo inerci s’mund të vijojë më, sepse është shumë e dëmshme. Statusi thuajse po na ikën sërish dhe veç një vullnet politik për të dezinfektuar një narkopolitikë që ka ardhur në qeveri, mund të jetë një mesazh se situata do të ndryshojë. Shpërndarja e përgjegjësive nis nga senatorët e PS-së e deri tek partneri kryesor në qeveri Ilir Meta, i cili mbrëmë spikaste me heshtjen e tij për njërin nga skandalet më të mëdha që kanë ngërthyer një qeveri shqiptare në këto 20 vite tranzicion. Në fakt, deri më tani, perceptimi ka qenë se varësia nga narkopolitika ka qenë një sëmundje sektare veç e njërit partner në qeveri, prandaj ndoshta edhe nisma për dezinfektimin e politikës qeverisëse mund të vijë nga partneri tjetër.

Dje, me rënien e gomës të avionit në Divjakë u kuptua se s’mund të vijohet më tej, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, edhe në qoftë se arroganca mund t’i ketë marrë mendjen deputetit të Divjakës, apo ministrit të kapur në flagrancë. Jemi në një fazë të re dhe publiku s’pranon dot më këtë status-quo. Duke ditur vështirësitë fillestare të qeverisjes, një fushatë dezinfektimi e dezintoksikimi, me “viktima” ekselente si ministri i brendshëm, drejtori i përgjithshëm i Policisë dhe një sërë kokash në komisariatet më problematike të vendit, bashkëshoqëruar me një riformatim të kabinetit, mund të kalonte me vështirësi në parlament. Kjo fushatë do të ishte gjithsesi e pamjaftueshme, por do të ishte me një kosto politike më të vogël sesa të mbulohej dielli me shoshë. Kjo po që do ishte një sjellje prej axhamiu në politikë dhe ndoshta koalicioni PS-LSI s’do kishte më as rast të dytë dhe në vend të një viktime, do regjistronte dy kurbanë ekselentë.