Ekspertët: Normat e ulëta të interesit kurth për eurobondin

Flasin ish-ministrat e Financave, Malaj e Bode dhe ekonomistët

Ministrin e Financave, i cili planifikon të dalë me një Eurobond të dytë në tregun ndërkombëtar, ekonomistët dhe ish drejtues të financave e ftojnë për më shumë kujdes. Ata vlerësojnë normën e interesit me nivele me të ulëta historikë që po operon tregu ndërkombëtar europian. Por, sipas z. Bode një kusht i tillë i favorshëm, është njëkohësisht edhe një kurth, ku rrezikojnë të bien vendet si Shqipëria. E ndërsa mund të përballemi me vonë me një kosto të rritur, me kushtet e brendshme të ekonomisë, borxh i lartë e rritje e dobët e ekonomisë, nuk pritet të përfitojmë më të mirën në treg. Për ekonomistin Arben Malaj, e rëndësishme është të qartësohet se për çfarë do të shkojë kjo hua. Ai është i bindur gjithsesi se flitet për një ristrukturim të borxhit, i cili nuk ndikon në rritjen e mëtejshme të borxhit publik. Ndryshe e vlerëson Adrian Civici, borxhin për të shlyer borxhe të vjetra. Ai do ta mirëpriste po të shkonte për investime në ekonomi. Por eksperti i ekonomisë, Zef Preçi në një prononcim për mediat, thotë se dalja në tregjet e huaja është ende me risk, për mundësitë paguese të Qeverisë dhe për shkak të normave të larta të interesit. Sipas Preçit, marrëveshja me FMN-në është një garanci që Shqipëria të mos bëjë hapa të nxituar në drejtim të rritjes së borxhit, ndërsa shton se ajo që ka deklaruar ministri Cani për një hua apo eurobond të ri në 2015, më tepër i shërben nxitjes së debatit sesa mund të jetë reale. Një javë më parë, ministri i Financave Shkelqim Cani, në një intervistë për “Reuters” deklaroi se janë të hapura mundësitë për të marrë një borxh në vlerë 500 milionë euro, në formë kredie apo eurobondi. Vitin e ardhshëm skadon afati i eurobondit të emetuar katër vite më parë në tregun ndërkombëtar, dhe shuma prej 300 milionë euro pritet të shkojë për të rifinancuar këtë borxh. Ndërkohë, javës së kaluar ministri i financave tha për “Reuters” se eurobondi i vitit të ardhshëm mund të arrijë në 500 milionë euro.