Fakti/Ministri Demiraj: Unë dhe Rama posedojmë listën me 124 emra narkotrafikantësh

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të hënën një aksion kundër grupeve të kultivimit dhe trafikut të kanabisit, por më shokuese kanë qenë detajet e publikuara nga Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj lidhur me këtë deklaratë të kryeministrit. Nga studio e gazetarit Ilir Babaramo në “Report Tv”, ministri Demiraj ka deklaruar se ai dhe kryeministri disponojnë një listë me 124 emra, të cilët janë pjesë e grupeve kriminale dhe kanë kultivuar kanabis në vend. Demiraj gjithashtu tha se kanabisi në vendin tonë është kultivuar me mbështetjen e efektivëve të Policisë dhe me ndihmën e qeverisë vendore. Demiraj ka theksuar se gjatë kohës që ka drejtuar Ministrinë e Brendshme ai ka punuar maksimalisht për të zhdukur njollën e zezë të drogës nga imazhi i Shqipërisë. “Unë kam një listë shumë të madhe, të përbërë nga 124 emra, për shkak edhe të funksionit, për shkak të një bashkëpunimi më të mirë sesa paraardhësit e mi me agjensitë e tjera. Kjo është një listë e hartuar nga agjenci të ndryshme, të cilat nuk i përmend këtu. Sigurisht që kryeministri dhe gjithë personat që duhet ta kenë, e kanë këtë listë dhe ne jemi duke punuar në funksion të detyrës organike që kemi për ta pastruar përfundimisht Shqipërinë nga ky fenomen, nga trafiqet në mënyrë që Shqipëria të mos figurojë më në hartën e vendeve që trafikojnë kanabis. Po tani duhet të themi të vërtetën, pa mbështetje politike nuk kultivon dot kanabis. Pa mbështetjen e policisë dhe qeverisë vendore, kryetarit të komunës, kryetarit të bashkisë, kryetarit të partisë së tij nuk kultivon dot kanabis. Ka pasur raste që sasira tonelatash droge ndodheshin në shtëpinë e punonjësit të policisë”, deklaroi Demiraj.

Luan Rama: Kryeministri dhe ministri i Brendshëm ta çojnë listën me 124 emra në Prokurori

Deklaratat e kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm Demiraj për ekzistencën e një liste me 124 emra të implikuar në grupe kriminale që kanë kultivuar kanabis, janë komentuar edhe nga nënkryetari i LSI-së Luan Rama. Në një reagim në Facebook ditën e djeshme, Rama shkruan se si funksionarë të lartë të shtetit, Rama dhe Demiraj duhet ta dërgojnë listën në Prokurori. “Kryeministri e më pas edhe Ministri i Brendshëm deklaruan se disponojnë një listë me 124 emra të implikuarish në veprimtarinë kriminale të kultivimit e trafikimit të drogës në Shqipëri! Kaq nuk mjafton!  Si funksionarë të lartë të shtetit ata duhet ta dinë se e kanë për detyrë të veprojnë në zbatim të ligjit duke kryer si hap të parë dërgimin e listës së emrave dhe të të gjithë të dhënave që kanë në Prokurori! Ndërkaq, Prokuroria, nëse nuk e ka bërë, duhet të nisë menjëherë procedurat që ligji e detyron, për hetimin dhe fillimin e çeshtjes penale për emrat e listës që disponon Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm! Shteti ka ligje dhe funksionon përmes zbatimit të ligjit!”, shkruan Rama në Facebook.

Kamëz, arrestohen babë e bir, iu gjetën 2 fuçi kanabis/ Policia e Tiranës ditën e djeshme ka zhvilluar një operacion të posaçëm për kapjen e narkotrafikantëve në zonën e Kamzës. Sipas policisë nisur nga informacionet e marra në rrugë operative është ndjekur një person i dyshuar, me emrin Avni Elezi. Operacioni policor i koduar si “End of July’ nisi me ndalimin e Elezit, i cili po qarkullonte me makinë pranë qendrës tregtare “Casa Italia” me automjetin “Ford Focus”. Policia, pasi ka e ka ndaluar, ka vënë re lëvizje të dyshimta të Elezit dhe menjëherë ka bërë kontrollin fizik të automjetit, duke gjetur në sediljen e pasme të pasagjerit ka gjetur disa gramë kanabis. Duke qenë në kushtet e flagrancës, Policia ka ushtruar kontroll në banesën e Elezit në prezencë të babait të tij, Bajram Elezi dhe aty ka zbuluar, në korridorin e një magazine, dy fuçi me kanabis. Menjëherë është bërë arrestimi i djalit dhe i të atit. Po ashtu është sekuestruar në cilësinë e provës materiale 55 kg lëndë narkotike dhe automjeti “Ford Focus” bashkë me 2 telefona celularë.

 

1 Koment

  1. dalipi

    13/08/2017 at 10:26

    Nuk me duket se eshte vendi per te shtremberuar deklaraten e ministrit “teknik” Demiraj duke e ndryshuar ate se paska thene se une e Rama e kemi listen e 124 personave te perzjere me trafikun e droges. Ai ka bere te kjarte ne publik se i ndihmuar edhe nga organet e tjera te sigurise, ka listen 124 personave te dyshuar, liste te cilen ju a ka bere te ditur edhe institucioneve kryesuese te shtetit. Do te ishte nje veprim i paligjshem e i dyshimte, nese ai kete liste do ta mbante te fshehur vete si minister. Kur ai deklaron se kete liste ja ka derguar vec Rames, edhe titullareve te tjere te larte te shtetit, kjo nenkupton se lista i ka shkuar edhe prokurorise e prokuroria nuk mund ta publikoje kete liste, pa bere punen e saj, hetimin e plote te te dyshuarve e shqyrtimin e fakteve. Me reformen teper te diskutueshme ne drejtesi, institucionet aktuale te drejtesise jane teresisht te c’orientuara, dhe me shume sesa te nderrmarin veprime energjike per hetimin e ndeshkimin e krimit, jane ne sikletin e tyre per ti shpetuar gjuetise politike te shtrigave. Nuk besoj se kete realitet nuk e kupton edhe Rama Nr.2 i LSI, pasi vete ai e ka deklaruar publikisht kete realitet.