FAZ & ARD: Tonelata kanabis fshihen në tunelet shqiptare, lufta e qeverisë me bandat jo-efikase

Gazeta gjermane FAZ dhe televizioni publik ARD risjellin në vëmendje kushtin kryesor të BE për qeverinë shqiptare, luftën intensive kundër drogës

Vëmendja e mediave prestigjoze ndërkombëtare për Shqipërinë ka qenë tepër e lartë gjatë dy viteve të fundit, kohë kjo kur vendi ynë është shquar për kultivimin masiv të kanabisit dhe shtimin e aktiviteteve kriminale nga bandat shqiptare. Dhjetëra reportazhe dhe kronika televizive janë realizuar, madje edhe në arat me kanabis anembanë vendit, por së fundmi gazeta gjermane FAZ dhe televizioni publik ARD, nëpërmjet një reportazhi të përbashkët risjellin në vëmendje kushtin kryesor të BE për qeverinë shqiptare, që është lufta intensive kundër drogës. Teksa kryeministri Edi Rama i njohur si mbështetësi dhe promoti kryesor i kanabizmit të vendit, ka shpallur një pseudoluftë kundër kanabisit dhe baronëve të pasuruar prej parave të pista të fituar nga tregtimi i narkotikëve, Bashkimi Europian është tepër i qartë kur argumenton pa pushim se çelja e negociatave për anëtarësim varet seriozisht nga vullneti për të zhdukur kanabisin dhe lidhjet që burojnë prej tij. Në reportazhin e përgatitur nga Shqipëria prej mediave gjermane ngrihet një pikëpyetje që ka të bëjë me seriozitetin e qeverisë së Edi Ramës për luftën ndaj kanabisit. Reportazhi nis me një deklaratë të gazetarit investigativ Artan Hoxha, i cili shpreh bindjen se qeveria e ka lejuar vetë mbjelljen e kanabisit në vitin zgjedhor. “Shumë drejtorë të policisë më kanë ardhur dhe më kanë thënë që të mos raportoj për mbjelljen e kanabisit. Më kanë thënë ‘të respektojmë dhe të mbrojmë. Që të mbetemi miq, mos bëj raportime për zonat tona’”, thotë ai. Aty gjithashtu theksohet se paratë e pista të grumbulluara nga shitja e drogës në Evropë, janë përdorur në fushatën zgjedhore të 25 qershorit dhe kanë garantuar mbështetje për parti të caktuara. “Krahas policëve të korruptuar, nga kultivimi i kanabisit kanë përfituar edhe shumë njerëz që nuk kanë perspektivë nga të ardhurat e ndershme. Sigurisht miliardat e këtij biznesi kanë një ndikim të madh. Këto para shkojnë për të mbështetur ato parti ose kandidatë që nuk e pengojnë biznesin e tyre të paligjshëm”, nënvizohet në reportazh. Mediat gjermane duke marrë shembullin e Klement Balilit, duan të nxjerrin në pah lidhjet e bandave të kanabisit me qeverinë shqiptare dhe faktin se paratë e pista janë investuar në prona të patundshme. “Se sa të ngushta janë këto lidhje, e tregon rasti i Klement Balilit. Në maj të vitit 2016, policia greke së bashku me Europolin dhe autoritetet amerikane të antidrogës, shkatërruan një bandë që kishte kontrabanduar kanabis dhe kokainë në Europën Perëndimore gjatë viteve të fundit, duke fituar miliona. Ata identifikuan Klement Balilin si personin kryesor. Ai ishte drejtor i Ministrisë së Transporteve në Sarandë, në jug të Shqipërisë. Përveç kësaj, familja e tij ka ndërtuar një hotel luksoz në plazh. Pavarësisht raportimeve të shumta për mungesën e lejes së ndërtimit, në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë politikanë të shumtë, mes tyre Arben Ahmetaj, tani ministër i Financave”, thuhet ndër të tjera në reportazh. FAZ dhe ARD ngrejnë pyetjen se përse ka më pak kanabis të mbjellë këtë vit dhe argumentojnë se arsyeja për fat të keq nuk ka të bëjë aspak me efikasitetin e qeverisë në luftën ndaj krimit, por me faktin se ka ende tonelata me kanabis në magazina e tunele të vjetra, që presin të transportohen drejt Italisë fqinje. “Disa të brendshëm thonë se kjo nuk ka ardhur për shkak të kontrolleve në rritje, por për shkak se bosët e drogës kanë pasur të korra gjigante vitin që shkoi. Magazinat janë plot. Dëshmi për këtë mund të gjendet në Bari në Italinë jugore. Roja bregdetare atje ka kapur me tonelata drogë. Se sa seriozisht e ka qeveria e Ramës luftën ndaj kanabisit dhe nëse ajo mund të luftojë krerët e fuqishëm të bandave, kjo do të shihet vitin që vjen, kur kërkesa për kanabis do jetë më e lartë dhe vëmendja ndërkombëtare më e madhe”, argumentojnë gazetarët gjermanë.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>