Fokus – Rrethimi i Vjenës/ 11 shtatori i parë i Perëndimit përballë dhunës që vinte nga Orienti  

Duhet të jetë patjetër një koincidencë historike (por për studiuesin Michael Novak nuk është aspak e tillë), që i pari 11 shtator i cili ka hyrë në librat e historisë – sidomos ata të përballjes mes botës kristiane dhe asaj myslimane – nuk ka qenë ai i vitit 2001, por pikërisht ai i vitit 1683, dita kur nisi kundërofensiva me të cilën brenda 36 orësh, trupat e Perandorit Leopoldi I, me ndihmën e domosdoshme të mbretit të Polonisë Jan Sobieski, sprapsën dhe bënë të marrin arratinë dhjetëra-mijëra turqit, që nën urdhrat e Vezirit të madh kara Mustafa, prej dy muajsh mbanin të rrethuar qytetin e Vjenës. E çuditshme koincidenca ndërmjet atyre dy 11 shtatorëve. Dhe analogjitë nuk ndalen në datën e fundit të verës. Që nga gushti i vitit 1682, Sulltani Mehmeti IV kishte planifikuar denoncimin e traktatit njëzetëvjecar të paqes me Leopoldin, i cili do të skadonte në ’84 dhe kish nisur një ofensivë e cila nga Ballkani, do të kalonte më pas përmes Hungarisë dhe do të përfundonte me pushtimin e Vjenës, kryeqyteti i perandorisë. Përfundonte? Askush nuk mund të thotë nëse pushtimi i Vjenës, i cili në vetvete ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për epokën, do të kish qenë etapa e fundit e penetrimit të turqve në Europë; përkundrazi, duket se shumë pak gjasa mund të ketë patur që, pas pushtimit të kryeqytetit austriak, agresioni nuk do të kish vazhduar edhe në pjesën tjetër të kontinentit. Ambiciet e sulltanit dukeshin të ngjashme me ato të një prej paraardhësve të tij, Sulejmanit, i cili kishte nisur fillimisht në vitin 1529 e më pas në vitin 1541 një inkursion në Europë dhe që i solli pushtimin e një pjese të madhe të Hungarisë.

Ndërsa në 11 dhe 12 shtator të vitit 1683 turqit u thyen keqas; e pas kësaj, atyre iu desh që të përballeshin me një kundërofensivë të gjatë 15-vjeçare, e cila për shkak të tipareve të saj të aleancës së shenjtë, nga ana e Papatit u quajt “kryqëzata e fundit”; dhe në vitin 1699, ata u shtrënguan që të firmosin marrëveshjen e paqes së Karlovicit e cila, në unanimitet konsiderohet prej historianëve si shenja e parë e fillimit të rënies së pakthyeshme të perandorisë osmane.

Pra ajo ditë ndryshoi historinë. Historiani britanik, John Stoye, në studimin e tij të gjatë dhe shumë të thelluar, përveçse shpjegon se si shkuan gjërat, ndalet edhe në kontradiktat që ekzistonin në Europën kristiane, që i lejuan turqve të guxonin deri në atë pikë.

Ishte në fakt mbreti katolik Luigji XIV që inkurajoi me çdo mjet të mundshëm sulltanin, duke e nxitur atë që të sulmonte perandorinë austriake. Ambasadori i tij në Stamboll, Guilleragues u përpoq deri sa bëri të qartë se, ndonëse mbreti i tij do t’i ishte përmbajtur premtimit për të shkuar në ndihmë të polakëve nëse këta do të sulmoheshin prej turqve, nuk ishte e thënë që ai do të bënte të njëjtën gjë në mbështetje të Leopoldit. Madje, sa më shumë kalonin javët, aq më shumë Guilleragues e bënte të qartë se, në rast se turqit do të sulmonin Austrinë, francezët nuk do të lëviznin asnjë gisht dhe madje do të shkonin deri aty sa t’i jepnin një goditje pas shpine Leopoldit; duke shfrytëzuar kështu rastin për t’u hakmarrë për 1673-shin, kur perandori kish bërë aleancë me heretikët holandezë, për një luftë kundër Luigjit XIV. Një argument në vetvete tërheqës ai i Guilleragues, që nga momenti që turqit e mbanin mend mirë se sa efikase kish qenë forca goditëse që ishte dërguar nga francezët në ndihmë të Austrisë në vitin 1664, ashtu si ajo e dërguar Kretës në vitin 1669. Dhe këta nuk do të kishin rrezikuar asnjëherë duke u vënë përballë një koalicioni qoftë edhe rastësor mes austriakëve dhe francezëve.

Por në Romë dikush e kishte kuptuar se sa real ishte kërcënimi turk. Në vitin 1676 kishte hipur  në fronin e Papës Inoçenti XI, i cili shpalli menjëherë ambicien e tij për të paqësuar perëndimin dhe për të nisur një sulm kundër sulltanit. Megjithatë, në fillim Papa Inoçenti mbështeti kundërshtitë e mbretit francez në dëm të perandorit austriak, i cili Papës i dukej si shumë hezitues përpara projektit antiturk. Papa filloi që të ndryshojë mendim bashkë me predikimin e Markos së Avianos, një frat që pati shumë popullaritet në periudhën mes viteve 1679 dhe 1680 pas një epidemie ethesh bubonike. Gjatë kësaj epidemie, iu atribuan këtij frati si në oborrë edhe mes njerëzve, episode mrekullish shërimi prej të cilave ai përftoi një lloj aureole prej shenjti: Karli i Lorenës përshembull thoshte se ishte shëruar falë lutjeve të tij dhe që nga ai moment u bë biri i tij shpirtëror.

Marko i Avianos u kërkonte popujve që të angazhoheshin në një luftë kundër turqve dhe në vitin 1681 provoi që të dërgonte mesazhin e tij në Francë, por Luigji XIV e dëboi në mënyrë brutale nga vendi i tij. Papa Inoçenti ishte kundër. Dhe aq më pak i pëlqeu Papës fakti që, për të dhënë një dëshmi angazhimi kundër turqve, vetë Luigji XIV i cili në fshehtësi nxiste Sulltanin që të vihej në lëvizje kundër Vienës, kishte dërguar marinën e tij nën urdhërat e admiralit Du Quesne në një agresion të pakuptimtë kundër qytetit të Algjerit, duke e bombarduar pa mëshirë në vitin 1682 dhe 1683, pikërisht në një kohë kur sapo po niste rrethimi i kryeqytetit austriak (duke provokuar ekzekutimin e konsullit francez në Algjer). Stoye përshkruan në mënyrë të përsosur lojën franceze, që synonte të përfitonte nga presioni turk kundër Vienës për të goditur Spanjën, në ndihmë të së cilës Austria nuk mund të shkonte sepse ishte në luftë kundër turqve (dhe Spanja i kërkonte Austrisë që të angazhohej për ta mbrojtur në vend që të ngecte me myslimanët), ndërkohë që principatat e Gjermanisë lindore do të duhej të merreshin me krizën balltike e acaruar edhe ajo për shkak të Francës (e cila i kish bërë të nënvlerësonin rëndësinë e nismave të sulltanit). Stoye ka meritën e madhe që hedh dritë mbi përgjegjësitë europiane në kampin kristian – të shkaktuara pikërisht nga ndarjet dhe rivalitetet – në thuajse kapitullimin e Vienës nga e cila Leopoldi u largua në fillim të korrikut, ndërkohë që rrethimi i turqve po shtrëngohej dhe kryeqyteti austriak me siguri me kalimin e kohës do të ishte dorëzuar po të mos kish qenë për “surprizën Sobieski”. Përse surprizë? Jan Sobieski – i cili kishte lindur në vitin 1624 në një fshat pranë Leopolit dhe ishte arsimuar në Paris ashtu si shumë pinjollë të tjerë të aristokracisë polake – në vitin 1674 ishte shpallur mbret i Polonisë (duke marrë emrin Xhovani III) me ndihmën e madhe pikërisht të Luigjit XIV. Gjithçka linte të supozohej se gjatë atyre viteve (Franca katolike dhe Polonia katolike kishin ndihmuar made protestantët hungarezë kundër perandorit katolik austriakk) Sobieski kishte mbetur deri në fund aleat me Mbretin Diell. Aq shumë sa – siç u tha edhe në fillim, Franca, ndërkohë që inkurajonte sulltanin që të hidhej në sulm kundër Austrisë – kishte premtuar që të ndërhynte në favor të polakëve në rast të një agresioni turk kundër vendit të tyre. Ndërsa Xhovani III jo vetëm që u hodh në ndihmë të Leopoldit, por u bë madje edhe protagonist i betejës për çlirimin e Vienës nga rrethimi, pushtoi vendfushimet që kishin qenë të turqve deri disa orë më parë dhe hyri në kryqeytet ku i prit si çlirimtar. Gjë e cila bëri shumë xheloz Leopoldin, të cilit nuk i falej që ishte larguar nga Viena në momentin kur turqit ishin shfaqur në portat e qytetit dhe që e kishte braktisur në fatin e saj në ato muaj të gjatë urie, epidemie, bombardimesh dhe zjarrvëniesh. E vërteta, shkruan Stoye, është se Leopoldi kishte një personalitet kompleks: perandori arrinte deri në marrjen e vendimeve me një “hezitim të frikshëm”; protestantët dhe ambasadorët venecianë në Vienë ua vinin fajin jezuitëve për edukimin shumë të ngurtë (që kishte shtypur energjinë e brendshme të lindur).

Leopoldi nuk ishte më pak katolik se Sobieski por ai kishte një prirje më të madhe për të peshuar së tepërmi pro-të dhe kundra-t e vendimeve të tij, dhe gjithashtu kishte një ndjenjë të madhe armiqësie kundër atyre që, ashtu si Xhovani III, vepronin për shkak të impulseve (dhe qoftë edhe për këtë arsye ishte më i dashur prej njerëzve). Ky lloj ngërçi në marrëdhëniet mes Leopoldit dhe Sobieskit bëri të pamundur që të dy të shfrytëzonin momentin dhe të nisnin menjëherë një ndjekje kundër turqve me shanset shumë të mëdha që t’i shpartallonin brenda një kohe të shkurtër. Gjë që e bënë pas pak kohësh me ndërmjetësimin e Papës, por në atë pikë u deshën pesëmbëdhjetë vite përpara se misioni të realizohej. Dhe koha ishte kaq e gjatë edhe për arsye se Franca ishte e vendosur që gjithmonë t’i krijonte vështirësi Austrisë. Luigji XIV – ka shkruajtur Alberto Leoni në librin e tij “Kryqi dhe Gjysmëhëna, një histori e luftërave mes kombeve kristiane dhe Islamit” – i cili vazhdonte të quante veten “Mbreti i krishterë mbi të krishterë” demonstronte një mungesë skrupujsh aq të madhe, saqë e bënte të dukej keq edhe në sytë e bashkëkohësve të tij. Aq sa, në një letër të 15 shtatorit 1690 të shkruajtur nga Konti Filip Vilhelmi dërguar Markos së Avianos, Mbreti Diell quhet “një turk kristian, më i keq se barbari”.

Sa për turqit, ofensiva e tyre, edhe psikologjike, ishte e rafinuar. “Pranoni Islamin”, shkruante Veziri i Madh, Kara Mustafa në një dokument që iu prezantua austriakëve në ditët e para të korrikut, si ofertë për një zgjidhje politike, “dhe do të jetoni në paqe me sulltanin. Ose dorëzoni kështjellën dhe do të jetoni në paqe nën sulltanin si kristianë, dhe kushdo që e do këtë mund të niset në paqe duke marrë me vete sendet e veta! Nëse rezistoni, vdekja ose skllavëria do të jenë fati i të gjithëve ju!” Kara Mustafai kishte patur shumë kundërshtarë dhe konkurentë në perandorinë osmane, por Mehmeti IV e kishte mbrojtur gjithmonë deri sa i kish dhënë dorë të lirë dhe dyqind mijë ushtarë për sulmin e madh kundër Vienës. Sa për atë që bëri gjatë dy muajve të rrethimit, nuk mund të thuhet se gaboi ose vonoi: sipërmarrja ishte shumë e ndërlikuar dhe fortifikimet e qytetit mbanin. Sulltani kërkoi në mënyrë të menjëhershme kokën e Kara Mustafait. Ky lajm mbërriti tek Veziri i madh në momentin që ky ndodhej në Beograd, në 25 dhjetor të po atij viti. Përgjigja e tij ishte: “Si të dojë Perëndia”. Dorëzoi simbolet e autoritetit të tij të lartë, vulën, shenjën e shenjtë të Profetit, si dhe çelësin e Kabasë në Mekë. U mbyt nga një emisar i Mehmetit po atë ditë. Për botën e krishterë, ishin Krishtlindjet e vitit 1683. Pas humbjes arriti që të shmangte shpërbërjen e ushtrisë së tij, edhe pse prapa shpine iu desh të durojë dezertime dhe tradhëti të shumta. Të gjitha gjëra më se të parashikueshme. Në fakt duhej që të konsultohej me Sulltanin për atë që duhej të bënte në muajt e mëvonshëm. Por këtë të fundit, për shkak edhe të disa problemeve kohore, nuk e takoi. Në 19 tetor, trupat e perandorisë kaluan Danubin dhe pushtuan Esztergomin: kapiteni osman u dorëzua dhe Kara Mustafa reagoi duke urdhëruar ekzekutimin e zyrtarëve (duke përfshirë jeniçerët) që kishin braktisur atë bastion shumë të rëndësishëm. Por tashmë të gjithë kishin marrë arratinë.

Por, vëmendja kryesore e Mustafait ishin territoret e rrezikuara hungareze prej austriakëve dhe ëndrra e tij, Vjena. Për këtë qëllim, në fillim të vitit 1683, ai mobilizoi dhe përgatiti një ushtri të madhe me anë të së cilës synonte të vendoste hegjemoninë përfundimtare mbi Hungarinë dhe mandej të pushtonte Vjenën, për të shmangur kështu një herë e mirë kërcënimin që i vinte nga Perëndimi. Ushtria kishte filluar marshimin nga Edreneja dhe gjatë rrugës nëpër territoret e Ballkanit ajo grumbulloi nga pashallëqet përreth reparte të reja dhe të panumërta. Ndërsa kishte mbërritur në Beograd numri i forcave të kësaj ushtrie kishte shkuar në 250 000 vetë. Rrethimi i Vjenës filloi më 14 korrik 1683, por mbas luftimeve të ashpra osmanët u detyruan të tërhiqen në fillim të shtatorit të po atij viti. Ky dështim para mureve të Vjenës i kushtoi Mustafai pasojën fatale. Më 25 dhjetor 1683 atij i prenë kokën.

Marrë nga “bota.al”

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>