Fokus/Britania e Madhe, Irlanda dhe BE-ja, me marrëveshje për kufirin

Ekipi i Brexitit i Britanisë së Madhe raportohet se ka rënë dakord që Irlanda e Veriut t’u përmbahet edhe më tej rregullave të BE që e shmangin kufirin e fortë me Republikën. Për tekstin përfundimtar diskutohet më tej

 

Britania e Madhe me sa duket ka rënë dakord që Irlanda e Veriut të jetë edhe më tej pjesë e tregut të përbashkët të BE dhe e rregullave të bashkimit doganor, që evitojnë një kufi të fortë me Republikën pas Brexitit. Në projektin e tekstit, të cilin raporton se e ka parë media irlandeze, sipas informacioneve thuhet se “Mbretëria e Bashkuar do të sigurojë vazhdimin e harmonizimit me rregullat e tregut të brendshëm dhe të bashkimit doganor, tani ose në të ardhmen, do të mbështesë bashkëpunimin Veri-Jug dhe mbrojtjen e marrëveshjes së të Premtes së Mirë”.

Megjithëse mbetet e paqartë se çfarë do të thotë saktësisht formulimi “harmonizim me rregullat”, besohet se ai ka të bëjë me rregullat e tregut të përbashkët që mbështesin bashkëpunimin midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Qeveria irlandeze e kërkoi një angazhim të tillë. Më herët të hënën, ministri i Evropës i Irlandës, Helen McEntee i tha BBC se Irlanda do të kundërshtojë çdo propozim që nuk do të garantonte që të mbetet i hapur kufiri midis Irlandës së Veriut dhe Republikës. Negociatat po vazhdojnë dhe bëhet e ditur se qeveria britanike i kundërshton disa elemente të tekstit përfundimtar. Kryeministri irlandez Leo Varadkar tha në Twitter se do të bëjë një deklaratë sot për përparimin e bisedimeve për Brexitin.

Tri çështje të mëdha/Teksti për Irlandën e Veriut është pjesë e dokumentit me titull “Raporti i Përbashkët” i Komisionit Evropian dhe i negociatorëve të Mbretërisë së Bashkuar. Veç çështjes së kufirit irlandez, çështje të tjera për zgjidhje midis BE dhe Britanisë së Madhe janë marrëveshja për detyrimet financiare të Britanisë së Madhe dhe ajo për të drejtat e qytetarëve të Bashkimit Evropian. Ekipi negociues i BE i ka dhënë kohë deri sot Britanisë për të dëshmuar se është bërë përparim i mjaftueshëm në negociatat për Brexitin, në mënyrë që të avancojnë bisedimet. Elmar Brok, anëtar i grupit të Parlamentit Evropian që negocion për Brexitin tha se beson se “ka shanse shumë të mira” për të arritur një marrëveshje. Brok shtoi se është “i habitur” sa kanë avancuar negociatat dhe shtoi se dallimet konsistojnë vetëm “në pak fjalë”.  Kryeministrja britanike, Theresa May do të diskutojë sot për ecurinë e negociatave me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>