Forumi i Gruas së PPE/ Vokshi: Rama presion mediave për të fshehur skandalet e drogës

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Medias, Albana Vokshi ka marrë pjesë në Forumin e Gruas së Partisë Popullore Europiane, ku ka hedhur akuza të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama për gjuhën arrogante dhe fyese që ai ka përdorur së fundmi për të sulmuar mediat në vend. Deputetja Vokshi ka deklaruar në forum se kryeministri po ushtron presion ndaj mediave dhe gazetarëve për të fshehur skandalet e drogës dhe korrupsionit që kanë përfshirë së fundmi qeverinë që ai drejton. “Për të kontrolluar publikimet e skandaleve qeveritare,  Kryeministri po bën çdo përpjekje për të intimiduar lirinë e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes”, tha Vokshi. Deputetja demokrate ka informuar Forumin e Gruas së Partisë Popullore Europiane rreth përkeqësimit të Lirisë së Medias në Shqipëri, ndërsa ka bërë të ditur se përgjimet e antimafias italiane provojnë blerjen e zgjedhjeve të 25 qershorit nga Rama. “Kryeministri i Shqipërisë po shantazhon dhe kërcënon gazetarët për të mbuluar skandalet me trafikun e drogës dhe aferat korruptive, të ministrave të rëndësishëm të Qeverisë së Tiranës”, tha Vokshi në takimin e Berlinit, ku Forumi i Grave të PPE i kërkoi Komisionit Europian të mbështesë lirinë dhe pavarësine e medias. Sipas deputetes së opozitës përgjimet e Anti-mafias italiane, ku implikohet ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe financimi i fushatës elektorale të PS me paratë e pista të gjeneruara nga lidhja e tij me Habilajt, faktojnë blerjen e rezultatit zgjedhor në qershor. Ndër të tjera Vokshi në fjalën e saj tha se përgjimet e anti-mafias italiane vërtetuan denoncimet disa vjeçare të PD, si dhe raportet e OSBE-ODIHR për blerje vote, kërcënime dhe trembje të votuesve nga anëtarë të organizatave kriminale. Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi, kërkoi nga Forumi i Gruas së PPE një reagim të fortë ndaj përkeqësimit të lirisë së medias në vendin tonë. Në këtë takim, përvec Kryetares Doris Pack, ishte e pranishme edhe Dunja Mijatovic, eksperte për të Drejtat e Njeriut dhe Lirinë e Medias, e cila ka mbajtur deri ne 2016-ën postin e Shefes së OSBE për Lirinë e Medias.

Kronika e politikës/Manjani-Ramës: Po të ishte gjallë Tani i Top Channel do të kishte rrëzuar nga pushteti i pamerituar/ Lidhur me akuzat e kryeministrit Edi Rama ndaj mediave, veçanërisht televizionit kombëtar Top Channel ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, që e cilëson Ramën si kryemosmirënjohës.“Top Channel nuk po i bën asgjë (krye)mosmirnjohësit që qeveris! Asgjë, krahasuar me ç’i bëri paraardhësve të tij (Nano e Berisha).  Më kot kërkon kohën e Tanit! Po të ishte gjallë Ai, mosmirënjohësi do ishte rrëzuar tashmë nga pushteti i pamerituar! Nuk di më ç’thotë…”, shprehet Manjani.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>