Freedom House: “Përkeqësimi i lirisë në internet minon demokracinë”

Agjencitë amerikane të zbulimit thonë se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 pjesërisht përmes propagandës në internet. Por një raport i ri tregon se Shtetet e Bashkuara nuk ishin objektivi i vetëm i propagandës së këtij lloji. Sipas raportit të vitit 2017 “Liria në Internet”, fushatat e dezinformimit po rriten ndërsa liria e internetit po bie në nivel global. Më shumë qeveri po manipulojnë mediat sociale, duke kufizuar transmetimet e drejtpërdrejta të videove dhe duke bllokuar rrjetet private virtuale që përdoren shpesh për të anashkaluar censurën e internetit, sipas raportit të vitit 2017 “Liria në Internet”. “Në të kaluarën shumë qeveri mbështeteshin në arrestime, ligje ndëshkuese, bllokime dhe censurime, por duket se tani ata e kanë kuptuar se këto metoda nuk janë të mjaftueshme. Tani ata po e kthejnë Internetin në një mjet për përhapjen e mesazheve të tyre dhe në shumicën e rasteve mesazhet e tyre janë të bazuara në informacione të rreme”, thotë Sanja Kelly, drejtore e projektit “Liria në Internet”. Raporti vjetor i organizatës Freedom House vlerëson se 87 për qind e përdoruesve të internetit në botë panë një rënie të lirisë së tyre në internet për vitin e shtatë radhazi. Kina mbetet abuzuesi më i keq në botë i lirisë në internet. Turqia, Filipinet dhe Venezuela ishin mes 30 vendeve, ku qeveritë përdorën ushtritë dixhitale për të nxitur idetë pro-qeveritare. Ka patur gjithashtu një goditje më të madhe ndaj internetit për rrjetet e telefonave celularë në zonat e populluara nga grupe të caktuara etnike dhe pakicat si rajoni i Tibetit në Kinë dhe ai i Oromosit në Etiopi. Ekspertët thonë se këto taktika minojnë demokracinë. “Ato padyshim kanë efektin e dëshiruar të qeverisë për mbylljen e debatit politik ose diçka tjetër që nuk i pëlqen qeverisë. Por në anën tjetër, ato po krijojnë një paqëndrueshmëri të madhe në ekonomitë e tyre lokale. Ata kanë dëmtuar aftësinë e sipërmarrësve për të tërhequr investime, kanë dëmtuar besueshmërinë e shërbimeve, shërbimet online që bizneset e tyre mund të ofrojnë, ata kanë dëmtuar besueshmërinë e teknologjive të ndryshme që vendi i tyre mund të përpiqet t’i eksportojë”, thotë Sally Wentworth, nënkryetare për zhvillimin e politikave globale në organizatën “Shoqëria e Internetit”. Freedom House raporton se edhe Shtetet e Bashkuara përjetuan një rënie të vogël të lirisë në internet për shkak të përhapjes së lajmeve të rreme gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 dhe ngacmimeve në internet të gazetarëve që sfiduan kandidatin e atëhershëm presidencial, Donald Trump. Sipas raportit, më pak se një e katërta e përdoruesve të internetit në të gjithë globin banojnë në vende ku nuk ka kufizime të rënda mbi përmbajtjen, shkelje të të drejtave të përdoruesit ose pasoja të dhunshme ndaj tyre për fjalime legjitime.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>