Frymë  për muzikë  

 

 

                                     

                                

       “…Frymë  për muzikë dhe muzikë dhe për të mbajtur gjallë atë frymë që jeton brenda nesh; ndjeshmëria që përjetojmë të gjithë ndërsa ndjejmë muzikën të vibrojë shpirtrat tanë… sepse muzika është si ajri… e ke gjithnjë në vete – të ushqen jetën”.

 

Në  datën  31 mars 2015, në  hollin e Teatrit të  Operës dhe Baletit u zhvillua një  koncert i muzikës së  dhomës i një formacioni frymor (kuintet), i  cili ishte menduar për afirmimin e artistëve të  rinj shqiptarë që sapo kanë nisur të performojnë sot në skenat brenda dhe jashtë vendit. Këta instrumentistë u bashkuan për koncertin e tyre të parë, në  vendin e tyre. Formacioni i krijuar prej këtyre të rinjve të talentuar është interesant, pasi në të marrin pjesë instrumente frymorë të instrumentinit dhe tunxhit: flaut, oboe, klarinetë, fagot dhe korno.

Por ç’ka i shtyu këta artistë të rinj të zhvillonin këtë koncert? Tek ata ishte pikërisht këmbëngulja dhe dëshira për t’u afirmuar fillimisht në vendin e tyre dhe në këtë  mënyrë të ishin nxitës dhe motivues për artistët e tjerë të rinj për iniciativa të  tilla.

Siç u shprehën dhe ata vetë në prezantimin e programit: -“Në këtë mbrëmje nuk na ka bërë bashkë ndonjë arsye e veçantë, por është iniciativa krejtësisht personale e jona, e studentëve dhe ish-studentëve të Universitetit të Arteve, për të formuar këtë kuintet dhe për të interpretuar sot përpara jush koncertin tonë të parë, i cili jemi të sigurt se do të pasohet edhe nga të tjerë koncerte në rrugëtimin tonë të gjatë artistik!”

Ky koncert kishte një pritshmëri të veçantë nga publiku, së pari se ky kuintet do të kishte premierën e tij, ndërsa në kahun tjetër, veprat që ishin përzgjedhur për t’u interpretuar ishin nga më të njohurat e literaturës muzikore botërore, por të risjella për herë të parë (të adoptuara) për një  kuintet të tillë frymor – e cila ishte dhe sfida e këtij të fundit.

Për t’i njohur pak më nga afër këta instrumentistë të rinj të talentuar dhe me ambicie, po japim disa të  dhëna sinjifikuese të formimit dhe jetës së  tyre artistike.

Matilda Bajrami që në moshë fare të vogël ka filluar të merret me muzikë, prirje të cilën e finalizoi më pas me instrumentin e flautit, për të cilin studioi në shkollën e mesme artistike ‘ Onufri ‘ Elbasan, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 2008 fiton të drejtën për të studiuar në Universitetin e Artve në klasën e ass. Prof. Elvis Rudi në sistemin Bachelor dhe në 2010 vijon studimet Master pranë këtij Universiteti. Pasi mbaron studimet vazhdon jetën koncertore si soliste, ku vlen të përmendet koncerti i 23 marsit 2014 ku ajo ka luajtur Koncertino nga Cecile Schaminade me orkestrën e UART. Aktualisht punon si instrumentiste e jashtme pranë Ansamblit Popullor Shtetëror.

 Kornisti Ermir Qirici fillimet e tij në  rrugën e artit i ka nisur në  moshën 10-vjeçare në klasën e pedagogut Avni Dajko pranë  Liceut Artistik “Jordan Misja” në  Tiranë. Qysh në  fillimet e tij ai është  spikatur për talent por mbi të  gjitha për punë dhe seriozitet. Në moshën 19-vjecare ai konkuron në  UART  dhe nis studimet në degën e kornos nën drejtimin e  Prof. Andrea Canaj. Për të thelluar më tej  dijet e tij ai rinis përsëri studimet në Gjermani, nën drejtimin e Prof. Markus Wittgens në Universitetin e Robert Schumann Düsseldorf. Ndonëse në fillimet e karrierës së tij,  renditen një mori koncertesh të organizuara jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, duke qenë kështu  pjesëmarrës në skena prestigjoze ndërkombëtare.

 Një prej instrumentistët që spikati për saktësi dhe timbër ishte dhe Xhei Hajro, i cili e ka  pasur kontaktin e tij të parë me muzikën që në moshën 6-vjeçare, ku filloi të mësonte instrumentin e pianos. Në moshën  10 – vjeçare nis studimet për instrumentin e fagotit duke mësuar në klasën e pedagogut Ilir Kola, në Liceun Artistik “Jordan Misja” në  Tiranë. Gjatë kësaj periudhe të studimeve evidentohet talenti i tij në instrumentin e fagotit. Më 2010 nis studimet e larta pranë UART, duke studiuar në klasën e ass. Prof. Fatos Jaho. Qysh  prej vitit 2010, ai është pjesë e Orkestrës Simfonike të Universitet të Arteve ku luan si Fagot i parë pranë kësaj orkestre, duke qenë aktiv në cdo koncert të saj.

 Klarinetisti Ideal Meka mësimet e para në muzikë i mori në shkollën fillore të muzikës “Prenkë Jakova” në Gjakovë, në instrumentin e klarinetës nën drejtimin  e pedagogut Frrok Seli. Në vitin 2008 vazhdon studimet në shkollën e mesme të muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren në drejtimin e pedagogut Fitim Rexhepi. Në vitin 2012 fiton të drejtën për të studiuar në Universitetin të Arteve (Tiranë) në klasën e klarinetës me ass. Prof. Bashkim Barbullushi. Në vitin 2011 realizoi disa koncerte ne Kyjov ( Ceki ) si edhe ka qenë pjesë e orkestrës rinore të Bazelit të Zvicrës.  Në vitin 2014 u bë pjesë e Filarmonisë së Tiranës; gjithashtu është pjesëtar aktiv i shumë formacioneve te ndryshme si: kuintet klarinetash, kuintet fryme, trio etj.

Entuel Dervishaj mësimet e para për oboe i mori në liceun artistik “Jordan Misja” Tiranë në klasën e pedagogut Edis Bacelli. Në vitin 2011 fiton të drejtën e studimeve në Universitetin e Arteve (Tiranë) në klasën e pedagogut Ilir Gjoka. Ai ka qenë pjesë e aktiviteteve te ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ndër të cilët mund të përmenden  “Bochum Academy Orchestra” në Gjermani, Filarmonia e Tiranës, Banda e Ushtrisë,  orkestra e UART dhe Filarmonia e Kosovës.  Prej një periudhe dy vjeçare ai është pjesë e orkestrës së TKOB dhe Ansamblit Popullor të Shtetit (si instrumentist i jashtëm).

Programin e hapi Suita nr.1 ”Peer Gynt“ e Edvard Grig-ut, e cila është e ndërtuar në katër kohë, ku çdo kohë ka një përshkrim të veçantë të një situate:

  1. Morning Mood
  2. The Death of Ase
  • Anitra’s Dance
  1. In the Hall of the Mountain King

 

Interpretimi që i’u bë secilës prej kohëve të saj nga kuinteti, ishte herë energjik e herë vallëzues dhe herë me ekspresion të fortë sipas karakterit që përcjell gjithsecila prej tyre, duke përçuar në publik një atmosferë të ngarkuar me kontraste emocionale. Vlen për t’u përmendur loja e secilit instrument në momentet solistike, ku doli në pah si këndueshmëria e linjës por dhe posedimi i teknikës, të cilat dëshmuan aftësinë interpretative të secilit instrumentist dhe njëkohëshëm komunikimin e ndërsjelltë e me nivel artistik mes tyre.

Më tej, vepra e perzgjedhur në program ishte “Salut d’amour” – një nga veprat më të njohura të Edward Elgar –  një vepër e cila ka sjellë kombinime instrumentale të ndryshme në një formacion të muzikës së dhomës ku bashkohen instrumentat në fjalë, origjinali i së cilës është shkruar për violinë dhe piano në vitin 1888. Përmes lojës në ansambël, instrumentistët u komportuan natyrshëm me njëri – tjetrin duke dëshmuar unifikim dhe saktësi. Tek publiku vepra solli mjaft emocion, për edhe vet historinë që ajo përmban[1].

Ndërsa vepra që vijoi repretorin e kësaj mbrëmjeje ishte “The Magic Flute” e Mozart-it. Nga kjo kryevepër erdhi e luajtur vetëm uvertura e saj, e cila përbën një nga veprat më brilante të repertorit muzikor të të gjithë orkestrave simfonike të botës. Vepra është shkruar në dy muajt e fundit të jetës së autorit të vitit 1791. Që në shfaqjet e para drejtuar muzikalisht nga vetë autori, gëzoi një popullaritet të jashtëzakonshëm sidomos për natyrën e të kënduarit në llojin “Singspiel” që përmbante dy mënyra të kënduari dhe të foluri të ndërthurur artistikisht në të njëjtën kohë. Për herë të parë kjo vepër është ekzekutuar në Shqipëri nga formacionet muzikore frymore ose “Bandat frymore” në fillimet shekullit të kaluar dhe sot ajo përbën pjesë të repertorit të zgjedhur të orkestrës së RTSH, ndërsa për herë të parë erdhi e koncertuar nga një kuintet fryme, ku cilësitë individuale të gjithsecilit, të unifikuara brenda lojës në ansambël, dëshmuan një nivel interpretativ të atillë, saqë një uverturë kaq brilante – një vepër karakteri – të tingëllonte gati si një ‘orkestër e vërtetë’.

“Pavane pour une infant defunte” e  Maurice Ravel-it, “The Silken Ladder” e Giaochino Rossini-it, “ Slaëischer Tanz Nr 8 op.46/8” e Antonin Dvorak-ut,  “Wiener Kreuzer Polka op.220”  dhe “Damen Souvenir Polka” të Johann Strauss Vater, ishin veprat të cilat krijuan një larmi ngjyrash dhe stilesh në këtë mbrëmje koncertore, duke dëshmuar se ky kuintet është i aftë për të luajtur një gamë të gjerë të veprave të literaturës muzikore botërore dhe t’i përcjellë ato tek publiku me emocion e profesionalizëm.

…“Vështirësia ishte e madhe; kemi studiuar për një  kohë  të  shkurtër por intensivisht duke qenë të  palodhur, por ajo ç’farë morrëm nga publiku, duartrokitjet e tyre dhe fjalët e ngrohta pas koncertit, ishte shpërblimi më  i mirë i  punës sonë.”- pohojnë vetë  instrumentistët në paskuintë.

Një falenderim i përzemërt shkoi prej tyre në këtë mbrëmje, për ata pa të cilët s’do të ishte i mundur realizimi i këtij koncerti – një falenderim i veçantë dhe shumë special për Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe drejtorin e tij z. Ilir Kerni si edhe për udhëheqësin e tyre artistik, pedagogun e apasionuar të fagotit dhe instrumentistin e palodhur ass. Prof. Fatos Jaho, i cili u nda nga jeta, para disa ditësh, në mënyrë të papritur. Ky koncert do të mbetet gjatë në memorien e këtyre instrumentistëve të rinj por edhe të publikut, që e ndoqi nga afër këtë konncert, edhe për këtë arsye, pasi personalitete të tillë si F. Jaho janë një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe njerëzit e afërt, por edhe për skenën muzikore shqiptare, për të cilën prof. Fatosi (siç e thërrisnin studetët e tij) apo dhe thjesht Tosi – për miqtë dhe kolegët, do të jetë i paharruar!

  Kjo mbrëmje e muzikës së dhomës solli vepra të kompozitorëve të  mëdhenj të  artit botëror, klasikë e romantikë, nën interpretimin e artistëve të rinj shqiptarë, të  cilët megjithëse studentë apo të  sapodiplomuar dëshmuan në rradhë të parë iniciativë për t’u bërë bashkë dhe për të marrë përsipër një aktivitet të tillë dhe së dyti përmes nivelit dhe cilësive të tyre interpretative, të  spikatura si në momentet solistike brenda formacionit po ashtu edhe në lojën në ansambël, dëshmuan profesionalizëm duke i dhënë  diversitet e ngjyra kësaj nate koncertore.

Urojmë që aktivitete të tilla, ku mbledhin së bashku të rinj të talentuar, të jenë sa më prezente në skenat tona!

 

[1] Edward Elgar ia ka kushtuar këtë vepër të dashurës së tij Caroline Alice Roberts, në prag martese. Kur ai kthehet pas kohësh pranë saj. Alice, nga ana e saj, i ofroi atij një poemë të quajtur “Wind in Dawn”, të cilën ajo e kishte shkruar vite më parë.

 

*Studente e muzikologjisë, Univeristeti i Arteve, Tiranë