Fundi i pritur, fillimi i frikshëm

Dy vite e gjysmë më pas, siç dhe pritej pra, bashkëjetesa me shkaktarët kryesorë të kapjes e regresit tonë del të jetë krejt e keqllogaritur. Sepse, në këtë keqllogaritje, kapësit kthehen në habitatin e tyre origjinal, përvetësues, pengues, të frikshëm dhe, fatkeqësisht, më të fortë se gjithherë

-1-
E pritshme, krejt e pritshme, ishte skena shpërbërëse e koalicionit LDK-PDK. Njëjtë sikurse kishte nisur, pa stil e pa parim, njëjtë po përfundonte – edhe pa stil edhe pa parim. Në të vërtetë, njëjtë dhe kishte funksionuar për këto 900 ditë. Qeveria ishte e ndarë, partnerët provokues ndaj tjetrit, afrimi ishte krejt artificial. Artificiale ishte dhe mbrojtja e tij sa herë që ajo bëhej nga eksponentë përfitues të të dyja palëve. Si artificial që ishte, s’kishte si të ecte e përfundonte ndryshe.
Besimi se kapja menaxhohet duke iu bashkuar kapjes, ishte gjithmonë frazë arsyetuese për një politikë pa parime shumë; s’kishte ndonjë sens as për ata që e thoshin edhe më pak për ata që e dëgjonin. Dy vjet e gjysmë më pas, siç dhe pritej pra, bashkëjetesa me shkaktarët kryesorë të kapjes e regresit tonë del të jetë krejt e keqllogaritur. Sepse, në këtë keqllogaritje, kapësit kthehen në habitatin e tyre origjinal, përfitues, pengues, të frikshëm dhe, fatkeqësisht, më të fortë se gjithherë.
Kujtoni vitin 2014 për të kujtuar gjendjen, në të cilën klani i SHIK-ut ishte në vend. Unifikimi opozitar i kishte lënë ata me dy ulëse. Të parën, të zaptuar nga më e moshuara në Parlament; të dytën nga një interpretues skandaloz i parimit të shumicës parlamentare në Gjykatën Kushtetuese. Ndonëse shërbimi i të dyve ndaj partisë e kapjes mund të jetë harruar, dëmi i shkaktuar që nga atëherë do të na ndjekë për një kohë të gjatë. Dhe kapësit, nga dy ulëse të zaptuara, po kthehen në një skenarë mirë të planifikuar edhe me president edhe me kryeministër – me më shumë pushtet.
-2-
Dy vjet kohë, i kisha dhënë kësaj qeverisje, si parashikim të parë, në emisionin e parë të Rubikonit për vitin 2015. Për katër muaj shtyrje më shumë – thuajse nuk ishin këto të fundit gjithsesi – koalicioni i panatyrshëm, kishte pasur jetë. Parashikimi i pothuajse secilit kosovar, në grup të të cilëve bëja pjesë dhe unë, ishte fare i thjeshtë. Në fund të ditës, nuk është shkencë raketore gjetja se me PDK-në s’mund të ketë bashkëjetesë të gjatë. S’ka pasur askush asnjëherë. Në të vërtetë, në të gjitha bashkëqeverisjet e tyre, asnjë mandat, as edhe një, s’ka përfunduar i tëri. Ky madje, është më i shkurti. Kushdo që s’ka parë një skenar të tillë, sinqerisht s’meriton asnjë ditë në politikë.
Skenari i planifikuar e implementuar me përpikëri llogariste që, nëpërmjet shkurtpamësisë së partnerëve, kapësit të merrnin postin e presidentit, të transformonin më pas partinë, dhe në momentin e parë të konsolidimit të lidershipit të ri, të kërkonin mandat të ri për këtë lidership të ri. I gjithë ky proces do t’i linte rivalët e saj të ndarë e përçarë, dhe me një faturë publike shumë vështirë të rikuperueshme në zgjedhjet e ardhshme – që janë këto tani.
Kështu, bashkudhëtuesi i tyre i deritanishëm, LDK pra, gjendet në një përballje pa municion. Për më tepër, e njëjta gjendet në vorbullën e zierjes së brendshme; të ridefinimit e ripozicionimit pas gjithë konsumit të deritanishëm me kapës. E gjithë kjo, në një afat krejt të shkurtër parazgjedhor. Në betejën e jashtme, ndërsa, ata kanë kundërshtarët e njëjtë, me mekanizma kapës të njëjtë. Me media, biznese e propagandë të tërë në qafë të tyre.
Dhe kjo përpjekje ridefinuese e tyre është e vështirë. Ajo, në raste prodhon edhe situata komike, sikurse kjo e fundit që në gjithë pafuqinë reaguese refuzon njohjen e presidentit. Përveçse është e vonshme shumë, është edhe e pavlerë – e pa potencë. E kohës e me vlerë do të ishte dëgjimi i këshillave në kohën e zgjedhjes së tij.
-3-
Kundërshtari tjetër i kapësve, po aq serioz, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur asnjëherë të kanalizojë gjithë pakënaqësinë publike në frymë opozitare. Mund të ketë bërë mjaftueshëm për të mbetur forca kryesore opozitare në vend; por ç’i duhet opozita më shumë kur kapësit zgjerojnë edhe më tepër pozitën kapëse të tyre.
E “fillimi i ri” me kapësit e vjetër, tash është krejt i frikshëm. Sepse, në të gjitha gjasat e mundshme, të një koalicioni të gjerë me parti që refuzojnë vijat e kuqe, kapja do të zgjerohet edhe më shumë.
Ka veç një zgjidhje përballë parandalimit të një vazhdimësie të tillë. E para, që LDK-ja të unifikojë veten e të pranojë me përgjegjësi dështimin e bashkëjetesës me kapësit. Mbi këtë pranim, të reflektojë e të hapë veten. E dyta, që Lëvizja Vetëvendosje të kapërcejë mbi ecjen solo të saj, për të ndërtuar një front të përbashkët anti-SHIK me këdo që përfundimisht rreshtohet në këtë drejtim.Sepse fronti i SHIK-ut do të mbijetojë. Do të mbijetojë për aq sa ka njerëz pa ideal e pa bindje që i bashkohen të njëjtit për pak privilegj. Të tillë do të ketë përherë. Do të mbijetojë deri sa ka mekanizma mirë te themeluara të propagandës, fuqisë financiare e kërcënimit. Si i tillë do ta ketë jetën e gjatë. E përderisa forcat e mbara në Kosovë s’bëhen bashkë kundër SHIK-ut, por flirtojnë me të, kapja e plaçka do të mbijetojnë për shumë vjet. Kanë kohë të përdorin e djegin secilin partner – siç e dogjën këtë herë, edhe para saj, edhe shpeshherë deri më tash. Është koha e fundit për shpëtim të Republikës. Gjithçka tjetër nën të, ka fare pak rëndësi.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>