Fushata “mbill një kullë”, Veliaj ngul kunjat në mushkritë e qytetarëve

Zbulohen dy kullat e reja që do të ngrihen në qendër të Tiranës dhe prapa bashkisë

Tre ndërtesa të reja të larta do të rrethojnë Sheshin Skënderbej—zhvillimi i njërës ndërtesë është miratuar, kurse dy të tjerat janë planifikuar të miratohen së shpejti, në hapësirën pas godinës së Bashkisë Tiranë.

 

Këshilli Kombëtar i Territorit, drejtuar nga Kryeministri Rama, ka miratuar më 2 shkurt, lejen zhvillimore për objektin Book Building, si pjesë e një zhvillimi me disa ndërtesa, një projekt i të cilit tregohet në imazhin render më poshtë, në hapësirën mes rrugëve 28 Nëntori dhe Abdi Toptani.

Renderi i kullave që do të ndërtohen pas Bashkisë Tiranë

Deri më tani nuk është bërë publike asnjë e dhënë tjetër për kullën Book Building, përveç kompanisë ndërtuese dhe asaj projektuese.

Kompania që do ta ndërtojë është Techno–Alb shpk, në pronësi të Dajlan Avdisë, Glendi Abdisë dhe Natasha Matës. Të njëjtëve pronarë, Dajlan Avdia dhe Glendi Abdia, por nën emrin e një kompanie tjetër, Invest Society, Kryeministri Rama u ka miratuar, në nëntor 2017, dy leje të tjera për ndërtimin e kullave në zonën e bllokut, godinës shumëfunksionale “Blloku” dhe “Ëest Residence”.

Book Building është projektuar nga studio 51N4E, studio e preferuar e Kryeministrit Rama, e cila ka projektuar edhe sheshin Skënderbej dhe godinën e Hotel Plazas.

Book Building është kulla e tretë e lartë përqark Sheshit Skënderbej e miratuar nga kryeminsitri Rama muajt e fundit. Kulla 111 metra pas Hotel Tiranës dhe kulla 26 katëshe Sytë e Tiranës, në pjesën ku bashkohen Rruga e Durrësit dhe Rruga e Kavajës, kanë nisur tashmë punimet.

Në shërbim të kullave do të jetë edhe parkimi nëntokësor në Sheshin Skënderbej—i papërfshirë në masterplanin e Tiranës dhe i bërë publik në mënyrë të befasishme në gusht 2016.

Tashmë është e qartë se Kryeministri Rama po zbaton planin e qendrës së Tiranës të hartuar nga firma franceze Achitechture Studio, i njohur si plani francez, i cili nuk u miratua asnjëherë. Ky plan parashihte 10 kulla të larta—mbi 81 metra secila, afërsisht 20-25 katëshe—të cilat do të vendoseshin përqark Sheshit Skënderbej dhe anash aksit të Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Kullave të miratuara deri tani i shtohet edhe Kulla 24 katëshe si pjesë e stadumit të ri Arena Kombëtare në fund të Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Në muajt në vijim pritet që Kryeministri Rama dhe Këshilli Kombëtar i Territorit të miratojë dhe lejet e ndërtimit për kullat e tjera.

Plani francez u miratua në vitin 2010, por zbatimi i tij u ndërpre nga humbja e bashkisë nga Zoti Rama. Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013 të Krueminsitrit Rama dhe ardhjes në krye të Bashkisë të Zotit Erion Veliaj në vitin 2015, Zoti Rama ka rinisur përpjekjet për ndërtimin e kullave të larta që kishte dëshiruar që në krye të herës.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>