Gara në PD si sukses qytetar

meli

Pa hyrë në debate spekulative për garën në PD dhe pa u fokusuar tek lufta politike e pandershme kundër Bashës, bërë kjo nga njerëz me përgjegjësi të rënda për dështimin e PD-së, duhet nënvizuar aspekti tjetër civil e qytetar i fushatës midis Bashës e Selamit.  Në garën për kreun e ri të PD-së, dy kandidatët përveçse po përcjellin një frymë ndryshe nga ajo që është parë e prekur deri më tani, po paraqiten para votuesve me një program dhe plan konkret përmes së cilit do të vij ringritja e partisë së lirisë.

Kur i sheh kronikat dhe sheh këtë garë kupton se ajo bashkë me paraqitjen e situatës brenda PD arrin t’i dhuroj publikut një pamje e leksion qytetarie, duke treguar e folur kështu për energjinë pozitive dhe lirinë demokratike që gjendet brenda kësaj force politike. Andaj ajo në aspektin qytetar jep shembullin e një diskutimi të lirë, konstruktiv të dy njerëzve brenda një alternative politike, ku në plan të parë është mendimi i lirë dhe pa frenime, ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim deri tani në klasën tonë politike, fatkeqësisht e pa emancipuar mjaftueshëm. Ndaj ata që hedhin baltë e vjellin vrer duke bërë përgjegjës vetëm Bashën për humbjen e PD-së apo duke e cilësuar garën jo të ndershme, e mira e të mirave është të presin votën e sovranit, të çdo anëtari të thjeshtë të PD-së, të cilët më 22 Korrik do të vlerësojnë ecurinë e Lulëzim Bashës në këto 4 vite si kryetar i Opozitës shqiptare dhe nëse kanë pakënaqësira karshi tij, janë të lirë të zgjedhin alternativën tjetër.

Por në këtë sens, kjo kundërshti e madhe dhe kjo përplasje që po shoqëron këtë garë të ndershme në PD, mund të shpjegohet fare mirë si fenomen që është prezent dhe në masë në shoqërinë tonë. Ende sot tek ne ekziston problemi i mendimit ndryshe nga tjetri. Kjo dallohet midis familjarësh, miqsh, shokësh, të cilët duke mos e përballuar kundërshtinë ndaj tjetrit shkaktojnë konflikte në vend të garës së lirë e demokratike. Jo rrallë mendimi ndryshe hap telashe aq të mëdha saqë populli thotë: ‘Prishet dasma për një qepë’. Prandaj vajtja e Bashës e Selamit në të njëjtën truall politik, emancipon dëgjuesit, i bën aktiv, por mbi të gjitha emancipon vet ata, garuesit. Si përfundim emancipohet e gjithë partia, si pjesë e shoqërisë së këtij vendi. Në aspektin qytetar shpaloset edukatë për të cilën ka shumë nevojë shoqëria jonë.

Në këtë situatë ku gjendemi, kundërshtari politik me gjithë zellin e vet për të paraqitur dhe nxitur thashethemnajë rreth kësaj gare, e harron faktin se vet dha shembullin e kundërt që nxiti konfliktualitetin në shoqërinë tonë sepse Rama jo vetëm që nuk bëri garë por njeriu që donte të garonte me të u përjashtua nga PS e bëri parti tjetër. Rama rinovoj mandatin e tij partiak në shkelje të statutit, ndërsa shmangia e tij ndaj një gare të ndershme rrudhi mjaftueshëm demokracinë e brendshme në partinë e tij, që e konsideroj si pronë dhe vazhdon ta trajtoj po si plaçkë të vetën. Andaj çdo mendim për të ndezur debate tek PD, kurrsesi nuk mund të pranohet, sidomos kur vjen nga një forcë e një kryetar që triumf  të vetin ka zaptimin e partisë dhe përdorimin e saj për interesa personale. Kjo gjithashtu tregon se një parti që nuk arrin të respektoj demokracinë e brendshme, kurrsesi nuk do mund të arrij të qeveris në mënyrë të përgjegjshme vendin. Ndaj me bindje mund të themi që gara në PD dhe demokracia e brendshme që shoqëron këtë parti do të sjellë ndryshimin që i duhet klasës politike në tërësi dhe vendit e shoqërisë në përgjithësi. Me këto dy shembuj diametralisht të kundërt, njëri me vlerë në aspektin qytetar e politik, e tjetri në konfliktualitetin e traditës së keqe të sherreve, anëtarët e PD dhe çdo shqiptar padyshim që do të përqafojnë mendimin e lirë, të pavarur e të pa ngujuar nga tjetri.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>