Gazeta “Roma”: Zhdukja e 1300 kontejnerëve mund të jetë e lidhur me një “lob” deputetësh që kërkuan legalizim të importit të mbetjeve

gazeta-roma-466x400

Megaskandali që e lidh qeverinë e Edi Ramës me zhdukjen e 1300 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme në territorin shqiptar sa vjen e thellohet më tepër. Që prej momentit kur media italiane “Pianeta Italia” publikoi investigimin për kontejnerët e nisur nga porti i Gioia Tauros dhe që nëpërmjet kalimit tranzit në Shqipëri do të përfundonin në një landfill në Shkup, detaje të reja kanë dalë mbi këtë çështje. Përveç hetimit të nisur nga Guardia di Finanza italiane, e cila po heton edhe në ambasadat përkatëse në Tiranë dhe Shkup, janë zbuluar gjithashtu detaje mbi një VKM të shtatorit 2016, e mbajtur e fshehtë nga syri i publikut, e cila i hapte rrugë kthimit të Shqipërisë në një vend tranzit për kalimin e mbetjeve të rrezikshme, por edhe fakte nga mediat greke që tregonin për pesë qytetet ku mund të jenë groposur lëndët kimike. Përderisa investigimi për çështjen në fjalë tashmë është marrë në dorë nga gazeta më e vjetër italiane siç është “Roma”, pritet që të ndriçohen të gjitha dritë-hijet e këtij skandali dhe lidhjet e qeverisë shqiptare me “Ecomafia”-n italiane. Gazeta “Roma” në një artikull të publikuar ditën e djeshme shpjegon lidhjet që mund të ekzistojnë midis asaj VKM-je të dyshimtë të firmosur nga Edi Rama dhe lobimit të disa deputetëve të majtë për t’i hapur rrugë importit të mbetjeve me këtë megaskandal që trondit themelet e qeverisë së “Rilindjes”. Fakti që një media e rëndësishme e shtetit fqinj i bën jehonë ndryshimit të kursit nga ana e kryeministrit Edi Rama, i cili fitoi zgjedhjet duke deklaruar shfuqizimin e ligjit që lejonte importin e mbetjeve dhe tre vite më pas u tërhoq nga ky vendim për t’i dhënë jetë finalizimit të bashkëjetesës me mafien ndërkombëtare të plehrave, tregon se kjo qeveri ka marrë përsipër të kryejë atë që lideri i opozitës Lulzim Basha e ka quajtur me të drejtë një gjenocid ambientalist mbi shqiptarët. I penguar nga rrëzimi që Presidenti Bnujar Nishani i bëri ligjit të mbetjeve që mazhoranca votoi, por edhe nga mosplotësimi i votave për ta ri kaluar këtë vepër të pjellë prej dëshirës së Edi Ramës për helmimin e Shqipërisë, kryeministri duket se tashmë nëpërmjet shkeljes së ligjit ka vendosur në zbatim planin e mafies së plehrave për shndërrimin e Shqipërisë në një hambar lëndësh kimike.

Shkrimi i gazetës “Roma”:Prokuroria e Durrësit ka vepruar me shpejtësi duke hapur hetime pas zbulimeve të gazetës “Roma” për 1300 kontejnerët me mbetje urbane dhe industriale, “të zhdukura” në territorin shqiptar, gjatë rrugës për në Maqedoni. Siç del nga vendimi i Këshillit të Ministrave i shtatorit 2016, i cili autorizoi importin dhe tranzitin e mbetjeve kimike e industriale, dëshmon pa diskutim interesimin e fortë të sferave të larta në Tiranë për t’i dhënë hapësirë një biznesi që ishte mohuar dhe që askush nuk e mendonte se mund të autorizohej pikërisht nga qeveria e kryeministrit Edi Rama. Ishte ai që gjatë fushatës elektorale kishte dalë kundër importit të mbetjeve. Një ndryshim kursi kaq i madh duhet justifikuar dhe jo thjesht nga ana politike. Po hetohet edhe nga ana italiane. Janë të paktën 13 hetime të hapura për trafikun e mbetjeve jashtë vendit, e fundit ajo për kontejnerët e humbur në Shqipëri. Pas zbulimeve të “Romës”, shumë televizione e gazeta, në Shqipëri, Greqi e Maqedoni, po e ndjekin me vëmendje ngjarjen. Siç u tha edhe më sipër, Prokuroria e Durrësit – qyteti portual nga i cili kontejnerët hynë në Shqipëri, të ardhur me anije nga porti italian i Gioia Tauros – pasi nisi hetimet ka lëvizur me shpejtësi në kërkim të përgjigjeve. Edhe Ministria e Mjedisit, pas verifikimeve të para, ka siguruar se jo vetëm duhet sqaruar misteri i kontejnerëve, por edhe që as ata dhe as shumë të tjerë nuk kanë kërkuar apo marrë lejen e nevojshme për tranzitin e mbetjeve në territorin e vendit. Në Tiranë janë rritur polemikat e opozitës kundër qeverisë së drejtuar nga Rama. Shefi i opozitës ka folur për gjenocid ambientalist, duke përdorur një metaforë të fortë, sigurisht, por e përshtatshme për dhjetëra episode helmimi të territorit në më pak se një dekadë. Ndërkohë, pranë ambasadave italiane në Shkup e Tiranë ka një prani të shtuar të Guardia di Finanza, e cila heton për kontejnerët e humbur dhe për rrugët e trafikut të helmeve. Nëse 1300 kontejnerë mbetjesh zhduken në një vend si Shqipëria, me siguri që trafikantët duhet të kenë bashkëpunëtorë. Dhe dyshimin që edhe politika mund të jetë, në një farë mënyre, në çështjen e mbetjeve e konfirmon ligji që një “lob” deputetësh kërkoi ta kalonte në parlament për të legalizuar importin ndërkufitar të mbetjeve. Ligj, ndër të tjera, i mbështetur fuqishëm nga kryeministri Edi Rama, i cili hedh poshtë në këtë mënyrë premtimet dhënë zgjedhësve gjatë fushatës elektorale. “Kurrë më mbetje nga jashtë në Shqipëri”, tha atëherë. Dhe, në një vend pa impiant përpunimi, ku edhe landfilli i Tiranës duket si një kazan në qiell të hapur, arkaik dhe i rrezikshëm për shëndetin, mbetet për t’u pyetur se si kishin menduar të merrnin edhe mbetjet e të tjerëve. Vendimi i qeverisë ka tërhequr mbi vete shumë kritika. Në Shqipëri, gjatë këtyre viteve, është pjekur një sensibilizim i fortë ambiental: qytetarë, shoqata, parti politike, përpiqen të mbrojnë territorin dhe shëndetin e qytetarëve pikërisht nga “karteli” i interesave. Rama këto interesa i përdori në fushatën elektorale. Kthimi i pashpjegueshëm prapa trazon ujërat, të turbullt që më parë, të politikës shqiptare.

Denoncimi/Banorët e Shpiragut dyshojnë se lëndët kimike janë groposur në tunelet e komunizmit me ndihmën e ushtrisë/ Çështja e zhdukjes së 1300 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme në Shqipëri është kthyer tashmë në një shqetësim akut për qytetarët e zonave ku pretendohen të jenë groposur këto mbetje, por edhe ambienatlistët e opozitën e vendit që këmbëngulin në marrjen e përgjegjësisë nga qeveria e Edi Ramës dhe thellimin e hetimeve për zbulimin e së vërtetës. Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë një prej figurave opozitare që e ka ndjekur këtë çështje që prej fillimit të saj. Ndërkohë në një postim të djeshëm në Facebook ai e vendos theksin tek tronditja e madhe që kanë pësuar banorët e fshatrave rreth malit Shpirag pasi kanë të dhëna që tregojnë se në tunelet, bunkerët dhe galeritë e asaj zone dhe zonave përreth janë groposur helmet kimike dhe lëndët radioaktive të ardhura nga Italia. Sipas denoncimit të një pedagogu që ish-kryeministri Berisha publikon thuhet se banorët e kësaj zone kanë parë në fundin e gushtit dhe fillimin e shtatorit 2016 autokolona kamionësh të shoqëruara nga ushtria që kryenin transport drejt galerive. Berisha i bën thirrje prokurorisë së shtetit që të hetojë me përgjegjësinë më të madhe këto informacione tronditëse. Denoncimi i publikuar nga Berisha:

“Përshëndetje Zoti Berisha. Unë jam pedagog universiteti. Desha të ju informoj se banorët e fshatrave pranë malit Shpirag janë shumë të tronditur mbasi ata kanë dyshime shumë të forta që një pjesë e kontenierëve me helme kimike dhe radioaktive nga fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit mund të jenë futur në tunelet e komunizmit. Po në këtë periudhë ka banorë që thonë se kanë konstatuar lëvizje shumë të dyshimta komionash të huaj dhe autokolonash të shoqëruara nga ushtria. Ju lutem shumë ngrijeni zërin dhe kërkoni të kontrollohet çdo tunel, galeri dhe bunker mbasi depozitimi i lëndëve radioaktive apo helmeve kimike mund të ketë pasoja katastrofale për qytetin e Beratit dhe vetë Shqipërinë nëse dyshimet për fshehjen/groposjen e mbetjeve kimike rezultojnë të vërteta.

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>