Gazetarët amerikanë pranë zbulimit të skandalit të plehrave

gazeta-roma

Basha:Nëse vërtetohet, populli ta trajtojë Ramën siç trajtohen ata që bëjnë gjenocid

Kryetari i PD:“Mbrëmë vonë, miq nga SHBA, gazetarë, na njoftuan se janë shumë pranë zbulimit të dimensionit të vërtetë të skandalit ndërkombëtar të plehrave që mafia ndërkombëtare ka depozituar në Shqipëri. Dita e sotme, java e sotme do të jetë përcaktuese për transparencën e këtij mega skandali, kjo nuk është asgjë më pak se genocid ndaj shqiptarëve”

 

Kryetari i PD-së Lulzim Basha nga çadra e lirisë ka folur për skandalin e 1300 kontenierve që thuhet të kenë mbetur në vendin tonë. Kreu demokrat theksoi se gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë amerikanë ka mësuar se ata janë shumë pranë zbulimit të dimensionit të vërtetë të skandalit të plehrave, që mafia ndërkombëtare ka depozituar në Shqipëri. E nëse kjo faktohet e vërtetë, Basha tha se Rama duhet akuzuar për genocid. “Sot, në këtë ditë të bukur, në këtë vend të bekuar nga Zoti, po shpaloset një skandal i mynxyrshëm, që tregon çfarë ndodh kur vendi i dorëzohet qeverisjes së papërgjegjshme të lidhur me krimin dhe mafian. Mbrëmë, natën vonë, miq gazetarë nga SHBA, kanë njoftuar se janë shumë pranë zbulimit të dimensionit të vërtetë të skandalit të plehrave, që mafia ndërkombëtare ka depozituar në Shqipëri. Bravo për gazetarët. Nëse këto fakte, shpalosen, ashtu siç jam njoftuar, atëherë ai që qëndron prapa kësaj fasade në zyrën e tij do të duhet të zbresë e t’u shpjegojë shqiptarëve se pse i hapi dyert mijërave ton mbetjeve të rrezikshme që sot mund të gjenden në truallin tonë, pranë burimeve tona ujore, e mund të kenë filluar që tani të helmojnë, tokën, bukën, ujin dhe ajrin e shqiptarëve dhe fëmijëve tanë. Nuk mjaftoi që i drogoi shqiptarët, tani po i helmon shqiptarët. Ju e dini. Kam qenë i kujdesshëm këto dy javë të shpërthimit të skandalit, për të mos arritur në konkluzione të parakohshme. Kjo javë do të jetë përcaktuese për transparencën e këtij megaskandali. Në qoftë se është e vërtetë, kjo nuk është asgjë më pak se genocid ndaj shqiptarëve. Të sjellësh mbetjet e rrezikshme kundër ligjit, ta mbash të fshehtë, t’i depozitosh në tokën e qytetarëve të tu, pa u marrë asnjë autorizim apo leje, në kundërshtim total me ligjin, kjo do të thotë të jesh bashkëpunëtor për genocid kundër popullit tënd dhe në qoftë se kjo është e vërtetë, Edi Rama, unë do t’i bëj thirrje popullit të të trajtojë siç trajtohen ata që bëjnë genocid kundër qytetarëve të vet. Ndaj, sa nuk është vonë, mos u fshih pas dorëheqjeve dhe shkarkimeve fasadë të shërbëtorëve të tu. Sa nuk është vonë, bëj transparencën e plotë për këtë megaaferë skandaloze dhe të tmerrshme të plehrave, sqaroji gjërat sot, sepse nesër do të jetë vonë. Ndërkohë, ne jemi e do të jemi këtu të bashkuar, më të vendosur, më të shumtë në numër, çdo ditë, sepse kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nuk mund të dështojë, nuk mund të tërhiqet. Demokracia nuk mund e nuk do të largohet nga ky vend. Ajo që do të largohet nga ky vend, është oligarkia e lidhur me krimin dhe pushtetin që e solli në zyrat e shtetit”, tha Basha .

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>