Gëzuar 1 Prillin, z. Kryeministër!

rama-jpg

Të gjithë ata që e kujtojnë, më 19 tetor të vitit 2012 z.Edi Rama, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste, tha se fushata elektorale e Partisë Socialiste do të niste, prej janarit të vitit 2013, derë më derë të shqiptarëve, që t’i bindte ata të votonin, më 23 qershor, për ardhjen e tij në pushtet. Shqiptarët, si bujarë që janë, e mirëpritën, e dëgjuan, madje edhe e besuan në çdo premtim që “rilindasi” ynë tha. Të shumta qenë aso kohe premtimet që sot duken që s’kanë qenë gjë tjetër veçse mashtrime e gënjeshtra, si ato të pinokut. Madje në të njëjtën kohë, gjatë Asamblesë, z. Rama u bëri thirrje partive të tjera që të zgjeronin aleancën e tyre për të arritur fitoren e “Rilindjes”. Kështu u tha prej kreut të socialistëve dhe kështu u bë! U realizua fushata derë më derë, me autobusë e show nga çdo anë, fushatë që arriti të përfshinte gjithkënd, aq sa edhe fëmijët mësuan këngët e përdorura në fushatë. Në “qarjet” e halleve, gju më gju me popullin, z. Rama u premtoi punësim, shëndetësi falas, arsim të një standardi të lartë, drejtësi, shtet në shërbim të qytetarit, investime në bujqësi, zhvillim të kulturës e, mbi të gjitha, rritje të ndjeshme të ekonomisë. Të gjitha këto u thanë e u stërthanë për muaj me radhë. Shqiptarët e besuan se vjen një moment, siç do të thoshte Hannah Arendt, studiuesja e totalitarizmave, që “edhe ai që e di që është duke thënë një gënjeshtër fillon ta besojë dhe vetë atë, duke e përsëritur aq shumë”.

Pas formimit të qeverisë, me udhëheqjen e Partisë Socialiste, shqiptarët pritën që premtimet të fillonin të ktheheshin në vepra, por tre mujori i parë u vijua me përrallën “100 ditët e para të qeverisë”, ku flitej e flitej se çfarë kishin bërë paraardhësit dhe jo se çfarë po bënte vetë qeveria socialiste.  Kjo gjë zgjati për gati një vit radhazi, e gjatë vitit të dytë u kalua në veprim. Nisi reforma arsimore, ku asgjë më tepër por thjesht krijimi i një reklame se të punësuarit në arsim do të filtroheshin përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. A thua se mësuesit më parë kishin qenë për Mongolinë?! Dosje pa fund e testime të njëpasnjëshme për mësuesit që shpresuan dhe e besuan gënjeshtrën e radhës. Por portali ishte fasadë, ashtu si çdo fasadë tjetër e qeverisë. Korrupsioni u formalizua edhe më tepër, mjaftonte të ishe pjesmarrës në këtë portal dhe nuk kishte fare rëndësi renditja, por miku, leku, e partia të nxirrnin të parin. E pra, ky portal u brohorit e u shit në sy të shqiptarëve si arritje “e madhe” e qeverisë. Pastaj bëmat vijuan me shëndetësinë, u krijua chek-up. Kontrolli mjeksor, mbi moshën 35 vjeç,  i ofruar “falas” për shqiptarët, i kushtoi shtetit vetëm për 9 muajt e parë të 2015-s, 554 milionë lekë, por, kuptohet, shtetin e mbajnë taksat e taksat i paguajnë shqiptarët. Kështu, nëse gjithkush mund ta bënte kontrollin mjekësor falas, përmes siguracionit që paguante në punë, tashmë jo vetëm që do paguante siguracion, por duhej të mendonte se çfarë takese do rritej për të nxjerrë këto të ardhura të shpenzuara për chek-up-in. Standardi i analizave të kryera në këtë kontroll mjekësor asnjëherë nuk u sigurua e megjithatë u triumfua arritje në shëndetësi, pavarësisht se nga ana tjetër çdo pacient që i drejtohej spitalit duhet të mendonte se në spital gjente vetëm mjekun, të tjerat duhet t’i siguronte nga xhepi i tij, duke vizituar tre herë në ditë farmacitë rreth spitaleve.

Bëma e radhës kaloi tek mënyra e rritjes së ekonomisë së vendit, e zgjedhja u gjet duke vjelur detyrimet e prapambetura të  energjisë elektrike, por jo për detyrimet milionëshe të bizneseve të mëdha apo të njerëzve që shpatullat i kishin të mbrojtura nga partia. U volën vetëm detyrimet e shqiptarëve që i binden si gjithmonë shtetit kur ai kërcënon dhëmbët. Shqiptarët që s’kishin ç’t’i jepnin shtetit përveç kockave të trupit të tyre, përfunduan në burg. Arritje e madhe u cilësua edhe kjo, por arritja duhej të kuptohej mbi të njëjtin standard e jo të favorizohej kush militonte e arrinte t’i gjente anën që faturat e prapambetura t’i zeronte në sistem.  Por ky është shteti e në këtë kohë shtetin e bëjnë të purpurit. Pastaj kaluam tek triumfet në vazhdim, gjetëm edhe një parullë tek Ministria e Brendshme “Policia që duam”, ndërkohë që policët, sidomos rrugorët, u urdhëruan të arrinin normën e të vendosnin sa më tepër gjoba në ditë, e që vetë gjoba ishte katër e  pesëfishuar, në krahasim me qeverinë paraardhëse. Pastaj ministri më i devotshëm i qeverisë, u zotua të pajiste me uniformë të re policinë, duke i dhënë rëndësi shfaqjes teatrale, duke e ditur se çfarë i pëlqente shefit të ekzekutivit. Pajisi me detyrim çdo shofer me policën e shpëtimit, por kjo e fundit nuk shërbeu as në reduktim të aksidenteve rrugore, e as në siguri për shqiptarët. I vetmi triumf real i “policisë që duam” ishte marrëdhënia e shkëlqyer e uniformave blu me krerët e drogës, duke iu shërbyer atyre si partnerë të vërtetë biznesi, në qëllimin e vetëm të sigurojmë paratë për fushatë. E plani shkoi pikë për pikë sipas parashikimit! Zgjedhjet e 25 qershorit të vitit 2017 u “rifituan” bindshëm nën partneritetin e biznesit të drogës e Rilindjes. Por fasada vijoi të ishte ndryshe në sytë e shqiptarëve, kryeministri doli dhe gjithë fajin e dështimit të qeverisë ia hodhi aleatëve, duke thënë se ishte varur prej tyre në drejtimin e qeverisë, ndaj këtë herë u kërkoi shqiptarëve t’i jepnin timonin vetëm atij që t’i çonte në atë “parajsën” e Rilindjes. Kjo gënjeshtër qe aq teatrale sa nuk bindi vetëm shqiptarët, por edhe përfaqësuesit e ndërkombëtarëve. Kështu fitorja e mandatit të dytë u arrit, e menjëherë pas saj doli hapur përfshirja e ish-ministrit të Brendshëm (proces që vijon ende të shqyrtohet) me biznesin e drogës, zyrtarë të tjerë të vendosur në poste kyçe që i shërbenin si duhej ortakëve të tyre.  Por z.Rama as që e prishi rehatinë e tij, ai e di zgjidhjen e çdo situate sado e rëndë të jetë ajo, ai e kupton që zgjidhja perfekte nuk është mbrojtja, por sulmi. Ndaj kur duhej t’u kërkonte ndjesë shqiptarëve e të jepte dorëheqjen, ai u hodh në sulm dhe ua pasoi topin mediave duke i detyruar ato të bëjnë autogol. I quajti ato “kazanë”, pra media që nuk bënin punën siç duhej. Si te mundnin ato të kundërshtonin kur shumica prej tyre të përkëdhelur prej kryeministrit, tashmë ishin të detyruar t’i bënin fresk. Ndaj në vend që t’i kërkonin deri në fund llogari për gjendjen e Shqipërisë e çuan topin në rrjetën e tyre, duke pranuar si një batutë epitetin që u vendosi kryeministri.

Ky është viti i pestë që gënjeshtrat serviren për vepra, kur realiteti nxin nga të gjitha anët, për standardin e ulët të jetesës së shqiptarëve, të cilët çdo ditë largohen nga ky vend. Kush ka sy për ta parë e kush ka veshë për të dëgjuar, kupton që Shqipëria është shndërruar në vendin ku çdo ditë rripet nga hajdutët me kollare.

Ndaj z. kryeministër, meqenëse ke pesë vjet që lodhesh te na mbushësh mendjen me gënjeshtra, sot të takon ta festosh këtë ditë. Gëzuar 1 Prillin, z.Kryeministër!

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>