Fati i të burgosurve të mbetur të Guantamos, ende i paqartë

Diel, 02 September 2018 22:50

Njëmbëdhjetë nga 40 të burgosrurit e mbetur në Guantanamo, i kanë bërë peticion një gjykate amerikane lidhur me statusin e tyre të papërcaktuar ligjor. Ndërsa qeveria amerikane vazhdon t’i mbajë të dyshuarit për terrorizëm në burgun ushtarak të sigurisë së lartë në bazën amerikane në Kubë, pyetja që po shtrojnë avokatët e tyre është në se një person mund të mbahet në burg për një kohë të pacaktuar, pa u akuzuar për një krim? Korrespondentja e shërbimit rus të Zërit të Amerikës, Victoria Kupchinetsky ishte në Guantanamo për të parë se si jetojnë të ndaluarit që kanë mbetur atje pas një dekade në burg.

Nuk është e lehtë të shkosh në Guantanamo. Në fillim një udhëtim me avion nga Florida, pastaj njëtraget dhe një udhëtim i gjatë me makinë në bazën amerikane, kalon barrakat ushtarake dhe kampin tashmë të mbyllur X-Ray. Sot Guantanamo është një burg ushtarak i sigurisë së lartë me tre kampe. 1 mijë e 800 personel ushtarak dhe civil punojnë në burgun me 40 të ndaluarit e mbetur.

“Misioni i Grupit të Përbashkët të Punës në Guantanamo është që të ofrojë kushte ligjore dhe humane për të ndaluarit e konflikteve të armatosuara, në mbështetje të përpjekjeve amerikane në luftën globale kundër terrorizmit”,thotë Anne Leanos, koordinatore e medias në grupin e përbashkët të p unës.

Për arsye sigurie, gazetarët nuk lejohen të filmojnë fytyrat e personelit ushtarak që punon në burgun e Guantanamos.

Të ndaluarit në Kampin 6 jetojnë së bashku. Dyert e qelive të tyre janë të hapura 24 orë në ditë. Ata mund të shkojnë në ambjentet e përbashkëta në çdo moment apo të dalin në një oborr. Çdo bllok ka dollap ushqimesh, frigorifer dhe mikrovalë. Një shenjë shigjete në çdo qeli tregon drejtimin e Mekës.

“Porta këtu është e mbyllur. Çdo komunikim mes rojeve dhe të ndaluarve bëhet përmes kësaj hyrjeje, për sigurinë e rojeve dhe të ndaluarve”.

Të burgosurit nuk mund të përdorin internetin por kanë qasje tek palestra dhe një bibliotekë. Ata mund të shikojnë televizor ose të përdorin lojra elektronike. Atyre u ofrohen mësime anglishteje, bazat e biznesit dhe klasa vizatimi. Spitali i burgut së fundmi ka marrë paisje të reja.

“Quhem Zak dhe jam këshilltari kulturor këtu në Guantanamo.”

Zak merr masat që të gjitha ushqimet për të burgosurit të gatuhen sipas rregullave myslimane, dhe përcjell ankesat e të burgosurve tek administrata e burgut.

“Sfida jonë është se bota nga jashtë na sheh si palën e keqe dhe sikur ne po bëjmë diçka gabim”.

Kushtet janë përmirësuar gjatë viteve por Guantanamo nuk është çliruar nga e kaluara e saj famëkeqe. Në vitet e para, pasi u hap në vitin 2002, të ndaluarit mbaheshin në kafaze, trajtoheshin brutalisht, përfshirë frikësime dhe tortura.

“Nuk flas për asnjë proces që ka lidhje me marrjen në pyetje apo praktikat që ndiqeshin më parë. Popullata jonë këtu nuk torturohet”, thotë mjeku 
i burgut.

Të ndaluarit lejohen të agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit. Por ka dhe te ashtuquajtur “agjërime jo-fetare”, një shprehje e zbutur për grevat e urisë. Të ndaluarit hyjnë shpesh në greva urie për të protestuar kundër mbajtjes në Guantanamo për mbi një dekadë pa akuza ligjore. Megjithatë Zak mendon se grevat e urisë janë një mënyrë për t’i nxjerrë Shtetet e Bashkuara nën një dritë negative.

“Të ndaluarit kanë zgjedhur të mos hanë sepse donin të përfshiheshin në listë, që media të fliste për ta. Që të diskreditonin Shtetet e Bashkuara. Në të vërtetë ne nuk kishim askënd që po vdiste urie. Ata bëjnë sikur. Ndoshta dy, tre, katër, pesë, bëjnë një lojë”.

Por avokatët e të ndaluarve hedhin poshtë argumentin se dëshira për të manipuluar sistemin, i bën të burgosurit të mos hanë.

“A do të ishte normale që ta bësh një gjë vullnetarisht për të turpëruar Shtetet e Bashkuara? Është një veprim dëshpërimi, një veprim jo i natyrshëm që një njeri të refuzojë të hajë”, thotë Pardiss Kebriaei e Qendrës për të Drejta Kushtetuese.

Klenti i saj, i burgosuri Sharkawi Al Hajj, hynte shpesh në grevë urie kur ishte në Guantanamo, në shenjë proteste ndaj faktit që pas 16 vjetësh në ndalim dhe tortura nga CIA, ai nuk është akuzuar ende. Së bashku me disa avokatë të tjerë nga Qendra për të Drejta Kushtetuese, zonja Kebriaei depozitoi një padi në një gjykatë amerikane në emër të 11 të ndaluarve të Guantanamos, të gjithë në të njëjtën pozitë si Al Hajj.

“Pyetja që ata shtrojnë është: a mund të mbahen për një kohë të pacaktuar nën kushtetutën amerikane dhe ligjin ndërkombëtar?”.

Administrata e presidentit Trump iu përgjigj padisë. Juristi i Departamentit të Drejtësisë, Ronald Wiltsie i tha gjykatësit se Shtëpia e Bardhë kishte të drejtën t’i mbante të ndaluarit për 100 ditë nëse ishte e nevojshme. Administrata i konsideron të burgosurit “luftëtarë armiq” të kapur në fushë beteje dhe argumenton se mund t’i mbajë pa ngritur akuza ose gjyq, përsa kohë Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luftojnë grupe terroriste si Talibanët dhe al-Kaidën.

“Nuk e dimë me saktësi se cilat janë akuzat ndaj shumë prej atyre për të cilët thuhet se janë tepër të rrezikshëm për t’u liruar. Shumë prej avokatëve të të burgosurve e kanë kundërshtuar këtë përfundim, por kanë kufizime lidhur me atë që mund të thonë për klientët e tyre”, thotë Laura Pitter e organizatës “Human Rights Watch.

Vetëm shtatë nga të ndaluarit janë akuzuar nga një gjykatë ushtarake. Buxheti vjetor i Guantanamos është 80 milionë dollarë, afro 2 milionë për çdo të burgosur. I burgosuri i fundit mbërriti në vitin 2008. Ish-presidenti Barack Obama donte ta mbyllte Guantanamon. Por President Trump tha se do ta mbante hapur.

“Do të rishqyrtojmë politikën tonë të ndalimeve dhe ta mbajmë hapur burgun në Guantanamo”.

Kjo do të thotë riparime në kamp.

“Po shqyrtojmë mundësinë e ndërtimit të kampit 8, duhet të zëvendësojmë një nga kampet e vjetra që ka filluar të prishet. Po shikojmë mundësinë për banesa të reja për ushtarët tanë”, thotë John C. Ring, Komandant i Grupit të Përbashkët të Punës.

Një kamp i ri do të kushtojë rreth 69 milionë dollarë, që Presidenti Trump ia ka kërkuar Kongresit. Pra duket se burgu do të rindërtohet, pavarësisht nga protestat e vazhdueshme nga aktivistët dhe avokatët e të drejtave të njeriut.

“Burgu në Guantanamo ka qenë një dështim i plotë. Të vazhdosh ta mbash atë burg nuk është politikë efektive. Ndjekjapenale e disa të ndaluarve në gjykatat federale nën akuza serioze, ka qenë shumë më efektive”.

Guantanamo dhe argumentat për ta mbajtur hapur janë debatuar për vite me radhë në Uashington. Do të duhen ndoshta shumë vite të tjera që të merret një vendim për fatin e të ndaluarve. Deri atëherë, atyre nuk u mbetet veçse të presin, ashtu siç kanë bërë për më shumë se një dekadë./VOA

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Liga e Kombeve, të gjitha rezultatet sot

Sport

Liga e Kombeve, të gjitha rezultatet sot

Kanë përfunduar sfidat e programuara për ditën e sotme në Ligën e Kombeve dhe rezultatet surprizë nuk kanë munguar. Uellsi është mposhtur në shtëpi nga skuadra e Danimarkës, e cila...

Kim i pranishëm në testimin e një arme të teknologjisë së lartë

Globi

Kim i pranishëm në testimin e një arme të teknologjisë së lartë

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka mbikëqyrur testin e një arme taktike të teknologjisë së lartë në një qendër mbrojtëse, sipas medias shtetërore e Phenianit. Ajo shtoi se...

Miqësorja/ Shpresat mundin Maltën pa shumë problem

Sport

Miqësorja/ Shpresat mundin Maltën pa shumë problem

Kombëtarja e Shqipërisë U 21 mundi me rezultatin 2-0 Maltën në një ndeshje miqësore të luajtur në stadiumin “Selman Stermasi” në kryeqytet. Kjo sfidë ishte një test për trajnerin Alban...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!