Politika kthen djathtas kudo në Europë

Tuesday, 11 September 2018 15:49

Nga Christoph Hasselbach DW

Suedia është shembulli më i ri. Më fillimin e krizës së refugjatëve, gati në të gjitha zgjedhjet në vendet e BE-së kanë fituar terren të madh partitë populiste të djathta. Në disa vende ato madje bashkëqeverisin.

Itali

Shokëve të idealit, ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini i uroi gjithë të mirat për votimet. Në Itali partia e tij "Lega Nord" është politikisht shumë më përpara se Demokratët Suedezë. Lega Nord vërtet që zuri vendin e tretë në zgjedhje, por bashkë me lëvizjen "Pesë Yjet" ajo u fut në koalicion si partneri më i vogël. Që atëherë, Salvini sundon skenën politike europiane me një politikë të fortë kundër të huajve, ai është aq prezent, sa madje disa e mbajnë atë për kreun e qeverisë. Gjuha e tij nxitëse dhe politika kundër të huajve gjejnë rezonancë. Gati 100 ditë pas hyrjes në koalicion, Lega Nord ndodhet në krye të sondazheve me 30%. Kujtojmë se në zgjedhje ajo arriti vetëm 17% të votave. Në drejtim të Merkelit, Salvini tha se ajo "nënvleftësoi rrezikun e konflikteve sociale, kur mendoi se kishte vend për qindra mijë njerëz në Gjermani."

Austri

Partia populiste austriake e lirisë, FPÖ ka pasur përvojë qeverisëse më të gjatë. Në vitin 1999, kjo parti doli partia e dytë më e fortë në zgjedhjet e atëhershme parlamentare, dhe krijoi një koalicion me ÖVP. Tani po kjo aleancë qeveris nga viti i kaluar me kancelar, Sebastian Kurz. Por FPÖ nuk duhet të luftojë shumë për një kurs të fortë në politikën e azilit. Sebastian Kurz vetë u zhvendos djathtas me politikën e tij për të mbajtur refugjatët larg Austrisë. Por FPÖ shkon edhe një hap më tej. Ministri i Brendshëm, Herbert Kickl kërkon t'i mbajë refugjatët "të përqëndruar", gjë që solli reagime të forta dhe akuzën se ai po përdor gjuhën e nacionalsocializmit.

Gjermani

Në zgjedhjet e Bundestagut në shtator 2017, Alternativa për Gjermaninë, AfD arriti 12,6 të votave dhe me 94 vendet në Bundestag është partia e tretë më e fuqishme, dhe partia më e madhe opozitare. Miratimi për këtë parti vazhdon të rritet. Në sondazhet e fundit kjo parti ka arritur 15% të votave, dhe nganjëherë ajo arrin të kalojë vetë Partinë Socialdemokrate. Në disa sondazhe në Lindje AfD madje kryeson, duke kaluar edhe partinë CDU. Edhe pse ekspertët e politika e akuzojnë këtë parti për afrimitet me ekstremistët e djathtë dhe kërkojnë që të vëzhgohet nga Mbrojtja Kushtetuese, duket se asgjë nga këto nuk e ka dëmtuar AfD-në. Së fundmi kjo parti pritet të hyjë edhe në dy parlamentet e fundit të landeve në Bavari më 15 tetor dhe në Hesen më 28 tetor.

Francë

Kur Marinë Le Pen nga Front National doli në raundin e dytë për ballë Emmanuel Macron, shumë vëzhgues kishin theksuar se bëhej fjalë as më pak e as më shumë, por për të ardhmen e Europës. Proeuropiani Macron fitoi dukshëm përballë Marine Le Pen 66% kundrejt 34%. Prej atëherë duket sikur Le Pen doli nga skena, në fund ajo arriti të ndërrojë emrin e partisë në Lëvizja Kombëtare e Përgjithshme. Por shumë përkrahës presin që mbesa e Le Pen, Marechal Le Pen të marrë timonin për ta arritur me të fitoren. Megjithatë edhe në Francë armiqësia ndaj të huajve dhe skepticizmi ndaj Europës janë bërë pjesë normale.

Holanda

Para zgjedhjeve parlamentare në Holandë në mars 2017, në të gjithë Europën sundonte paniku mes partive tradicionale se çfarë rezultati do të arrinte Partia e Lirisë PVV e Geert Wilders. Rezultatet treguan kjo parti nuk doli triumfuese, por me rezultatin 13%, kjo parti zuri vendin e dytë, ndërkohë që socialdemokratët gati u shuan politikisht. Pas koalicionesh të vështira u arrit më në fund të krijohej një aleancë e qendrës më të djathtën. Por Wilders me qëndrimin e tij refuzues ndaj migrantëve dhe islamit vazhdon të sundojë skenën politike në Holandë. Ndërkohë me Thierry Baudets është krijuar një parti tjetër e ekstremit të djathtë që ndjek qëllime identike si Wilders. Baudet paraqitet si njeri i kulturës, luan piano dhe flet latinisht, duke iu drejtuar kështu shtresës së arsimuar. Kështu djathtistët nuk do i marrin vota njëri-tjetrit, por më shumë do t'i shumojnë ato.

Modifikuar më Tuesday, 11 September 2018 15:51

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Humbja e Shqipërisë pushton mediat, ja çfarë shkruajnë gazetat prestigjioze

Sport

Humbja e Shqipërisë pushton mediat, ja çfarë shkruajnë gazetat prestigjioze

Kur pritej që Shqipëria të synonte një fitore me goleadë, për të synuar një vend në Ligën B, ndodhi krejt e kundërta dhe kuqezinjtë kapitulluan me rezultatin e thellë 0-4...

Sekreti i mjekësisë alternative: Dhembjet në pjesën e qafës

Shëndeti

Sekreti i mjekësisë alternative: Dhembjet në pjesën e qafës

Qëndrimi i gjatë ulur në pozitë jo të drejtë, gjumi në jastëk të papërshtatshëm dhe stresi janë problemet më të shpeshta për shkak të të cilave kemi dhembje në pjesën...

Mbledhja sot në Dubai, pritet që të vendoset për Kosovën në INTERPOL

Bota Shqiptare

Mbledhja sot në Dubai, pritet që të vendoset për Kosovën në INTERPOL

Shtetet anëtare të Interpol po mblidhen sot në Dubai për të zgjedhur presidentin e ri pasi ish-udhëheqësi i agjencisë ishte arrestuar në Kinë. Meng Hongëei, i cili ishte zëvendësministri i sigurisë...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!